Kritikohet ashpër thirrja e Haradinajt për pajtim me Serbinë: Askund në botë nuk ka ndodhur viktima t’i kërkoj pajtim vrasësit

Politika

Kritikohet ashpër thirrja e Haradinajt për pajtim me Serbinë: Askund në botë nuk ka ndodhur viktima t’i kërkoj pajtim vrasësit

Nga: N.H Më: 12 qershor 2019 Në ora: 14:25
Ramush Haradinaj

Në 20 vjetorin e shënimit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Serbisë për pajtim.

I pari i qeverisë ka thënë se populli i Kosovës guxon që të pajtohet me Serbinë, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Në këtë shesh ka qenë kënaqësi me ec lirshëm pas gjithë atyre vuajtjeve që populli i Kosovës ka përjetuar . Trenat e vdekjes u ndalën nga ju presidenti Clinton, ju ndalët spastrimin etnik, ne u jemi mirënjohës përjetë”.

“Populli ynë guxon me u pajtua me Serbinë, i bëjmë thirrje presidentit Vuçiq ta njohë Kosovën në kufijtë aktual. Kosova është e gatshëm për pajtim me Serbinë, këtë e bëjmë në shenjë mirënjohje ndaj SHBA-ve”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar deklaratën e kreut të Qeverisë së Kosovës, ka thënë është shume e çuditshme kërkesa e lidershipit të Kosovës.

Krasniqi shpjegon se askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t’i kërkoj pajtim vrasësit, ndërsa thekson se jemi të vetmit që bëjmë kërkesa të tilla.

Image
Faik Krasniqi

“Askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t'i kërkoj pajtim vrasësit. Kurse ne bëjmë kërkesa të tilla. Është shume e çuditshme çfarë kërkesa bënë lidershipi ynë. Në anën tjetër Serbia edhe pse agresore lere që nuk dëshiron të pajtohet me ne, por kërkon që të na heq nga faqja e dheut”, ka shpjeguar Krasniqi

Me tej, ai ka theksuar se nëse fuqitë e mëdha vendosin për një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë Serbia nuk ka gjasa që të mos e pranojë këtë kërkesë.

“Në këto rrethana mision i pamundur për shkak të pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Por, nëse fuqitë e mëdha vendosin për një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë Serbia nuk ka gjasa që të mos pranojë, sepse bashkësia ndërkombëtare e bllokon në çdo aspekt. Kështu që çdo gjë është në dorën e fuqive të mëdha”, ka deklaruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat