Jakup Krasniqi: Kosova, si delja e zezë karshi Serbisë

Politika

Jakup Krasniqi: Kosova, si delja e zezë karshi Serbisë

Nga: V.R Më: 14 qershor 2019 Në ora: 10:54
Jakup Krasniqi

Ish-kryetari Kuvendit, njëherit edhe zyrtar i lartë në Nismën Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, për “Bota Sot”, ka thënë se në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë, nuk ka qenë problem rrëzimi i qeverive e për rrjedhoj, sipas tij, nuk do të jetë vështirë as rrëzimi i qeverisë Haradinaj. Ai kujton që asnjë koalicion qeverisës nuk e ka përfunduar mandatin në afatin kushtetues.

Ai shtoi se problemi i qeverisjes aktuale dhe i atyre të mëparshme ka qenë qeverisja e mirë.

“Në Kosovë, pas Pavarësisë nuk ka qenë problem rrëzimi i qeverive, asnjë koalicion qeverisës nuk e ka përfunduar mandatin në afatin kushtetues, por ka mbetur vazhdimisht problem sesi të gjindet mënyra për të qeverisur mirë dhe përfunduar mandatin katër vjeçar. Dhe kjo nuk është varur nga fuqia e numrave në Kuvend”, tha ai.

Krasniqi, shtoi se arsye për të shkuar në zgjedhje ka, e një nga arsyet kryesore është edhe mënyra e komunikimit në raport me Serbinë.

“Arsye për të shkuar në zgjedhje ka, e njëra nga ato është edhe mënyra e komunikimit në mes institucioneve të shtetit dhe problemet e krijuara politike, ku Kosova po shihet si delja e zezë edhe në raport me Serbinë, por i gjithë problemi është: cila është zgjedhja e duhur dhe sa e besueshme mund të jetë një zgjidhje e tillë, kur dihet se të gjitha partitë politike i kemi parë sesi qeverisinë”, tha ai.

Ai përfundoi duke thënë se ata që do të tentojnë të vijnë në qeverisje duhet ta kenë parasysh që është e nevojshme ta kenë një program të thuktë e përmbajtësor qeverisës në raport me Serbinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ata që donë të vijnë në qeverisje duhet ta ofrojnë një Program qeverisës duke treguar edhe mënyrën se si ata do t’i zgjidhin problemet politike në raport me Serbinë si dhe si do t’i përmirësojnë raportet me vendet euroatlantike. Kjo është çështja.”, tha Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat