Lufta e brendshme po e fundosë koalicionin PAN

Politika

Lufta e brendshme po e fundosë koalicionin PAN

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 qershor 2019 Në ora: 22:20
Qeveria PANA-Lista serbe

Koalicioni PAN është në rrezik për ta humbur pushtetin, për shkak të qeverisjes skandaloze të përfshirë në nepotizëm. Madje, sipas njohësve të çështjeve politike në vend koalicioni PAN deri më tani ka prodhuar vetëm skandale dhe asnjë arritje.

Ata vlerësojnë se në shtator do ketë mocion kundër kësaj qeverie, dhe sipas tyre, me gjasë edhe mund të ndodh largimi i saj nga pushteti.

Gashi: Sipas meje fjala nepotizëm është vjedhje

Image
Tomë Gashi

Kurse avokati Tomë Gashi, duke folur nga ana juridike, ka thënë për “Bota sot” se koalicioni PAN ashtu siç është krijuar për të marr pushtetin, ashtu edhe e ka tepruar në keqpërdorime duke i thyer të gjithë rregullat ligjore dhe duke e sjell vendin në buzë të greminës me këtë koalicion.

“Janë me dhjeta skandale ku janë përfshirë zyrtarë të lartë qeveritare dhe janë me qindra skandale ku janë të përfshirë pjesëtarë të qeverisë PAN të nivelit të mesëm. Dhe këto skandale janë duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin e vendit më të ri dhe më të varfër në Evropë. Tanimë të gjithë e shohin se sa haptas vidhet në Kosovë madje në çdo sferë të mundshme. Aq shumë ka nepotizëm në PAN, saqë këtë fjalë nepotizëm do ta ndryshoje, sepse sipas meje fjala ‘nepotizëm’ është vjedhje. Saqë për të mbuluar një aferë të tillë ende pa u harruar ajo del një skandal tjetër i përmasave më të mëdha saqë skandali i mëparshëm duket kinse i tejkaluar”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, koalicioni PAN është duke e ditur mjaft mirë këtë punën e nepotizmit- vjedhjes, dhe për këtë arsye në çdo deklaratë dhe iniciativë të zyrtarëve të lartë të partive në koalicion fare lehtë vërehet popullzimi i tepruar saqë fare lehtë i vije era, zgjedhje nacionale të parakohshme.

“Po ashtu fare lehtë vërehet se nuk janë aspak të bashkuar në ideale partitë e koalicionit PAN, por janë të bashkuar të mbesin në pushtet sa më gjatë që munden. Dhe fiks deri sa partitë opozitare posaçërisht VV dhe LDK, të gjejnë modusin efikas të paraqitjes së mocionit të mosbesimit të qeverisë aktuale. Mbetemi të shpresojmë që kështu siç kemi qenë në këto 20 vite të pas luftës të mos na shkojnë edhe 20 vite tjera për të ardhur në pushtet forca të pa korruptuara dhe të reja politike që e duan vendin dhe shtetin e vet”, ka thënë avokati Gashi.

Haziri: Rreziku më i madh i koalicionit PAN, i vijë nga brenda

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë për “ Bota sot” se ky koalicion ka prodhuar vetëm skandale, dhe si rezultat i keq qeverisjes jo vetëm sa i përket nepotizmit, por edhe format e tjera korruptive e kriminale dhe si rezultat i kësaj qeverisje skandaloze.

Sipas tij, Kosova ka ngecur në shumë sfera dhe po ashtu kemi një de funksionalizim institucional të Kosovës.

“Rreziku më i madh i koalicionit PAN, i vijë nga brenda për shkak të një jo dakordancë të madh që kanë partnerët e koalicionit, dhe lufta e ashpër në mes tyre se kush më shumë po zapton borde të kompanive publike dhe fusha të tjera ku ata pretendojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre partiak për të përfituar sa më shumë nga buxheti i vendit për grupet e tyre të interesit. Dhe sipas mendimit tim, kjo do ta fundos koalicionin PAN më shumë gjasë, sesa paralajmërimet e opozitës për të ngritur mocion kundër qeverisë Haradinaj, gjë që këtë kërcënime të vazhdueshme pa veprim e kanë bërë opozitën të duken sikur ata tigrat prej letre”, ka thënë Haziri.

Shahu: Në PAN që nga fillimi, gjithçka ka qenë dhe është skandaloze

Image
Rexhep Shahu

Kurse analisti politik Rexhep Shahu, konsideron se në PAN gjithçka që nga fillimi ka qenë dhe është skandaloze, duke filluar nga qeverisja e vendit e deri të mazhoranca aktuale.

“Jo vetëm nepotizmi, por unë nuk besoj në forcat e tjera politike se kanë apo ju takon pushteti moral në Kosovë veçse LDK. Por, LDK të vetme, e jo një LDK shtojcë e tjetërkujt apo që e mbajnë në pushtet aleancat. Kosova ka nevojë për një qeverisje që ngjall edhe një herë solidaritetin mes shqiptarëve, besimin tek kuadro të shkolluar dhe autoritative, jo për shkak të revoles që mbajnë në brez komandantet”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Haziri: Politika e tenderomanisë në Kosovë nuk po ndalet

Image
Ismet Haziri

Njohësi i çështjeve politike ka thënë se Ismet Haziri, ka thënë se të analizohet qeverisja e një vendi, është mirë të shikohet filozofia e rrugëtimit deri të qeverisja, apo kapja e shtetit.

“E kam potencuar edhe më parë, se në Kosovë për aq sa është problem politika, telashet e funksionimit të shtetit i sjellë një sistem i instaluar ku nuk e precizon mirë llogaridhënien, e në veçanti një sistem zgjedhor shumë i çoroditur, ku jep hapësira të madhja kalkulimesh matematikore, por nuk mbulon kënaqeshim përfaqësimin real, p.sh në këtë rast kisha me potencuar komunën e Dardanës (Kamenicës) që kurrë nuk përfaqësohet, ngase nuk ka potenciale muskujsh nga asnjë aspekt, por sipas numrit te banorëve i takon një deputet. E laborojë në këtë mënyrë temën, nga arsyeja se të gjitha qeveritë janë formuar si rezultat i kalkulimeve të interesave klanore, me qëllim përfitimi për xhepat e vetë dhe të akomodimit të atyre që janë të afërt e servil të tyre. Fushat e ndryshme, ku ka më shumë investime dhe ndarje buxheti, i ndajnë si pashallëqe të tyre dhe këtu fillon historia e skandaleve”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, politika e tenderomanisë në Kosovë nuk po ndalet, e aq ma pak politika e mbushjes së Kosovës me asfalt ku rrjedhimisht po ka shpronësime, e ku vlerat e shpronësimit caktohen me jarani.

“Ne nuk mund të ndalemi vetëm në fajësimin e kësaj qeveri për keq qeverisje, por kjo është kapaku i skandaleve me paranë publike, duke e hedhur vend e pa vend, e duke punësuar konkurs e pa konkurs, varësisht kush ku e ka pasur mbretërinë e kapjes së institucioneve. Por e keqja qëndron me mbipopullimin e kryeqytetit me zëvendësministra, që më duket se përbëjnë numrin sa gjysma e popullsisë së Kinës, por që kush nuk i njeh, me siguri për këtë do të ishte mirë të shkruajnë ata që ua lëshojnë pagat në fund të muajt”, ka thënë Haziri.

Ai, konsideron se populli nuk duhet të çajë kokën se a do të bien kjo qeveri, por problemi është se qeveria që të vijë të mos bëjë skandalet e radhës dhe të shpërdor paranë publike.

“Rezultatet e zgjedhje brenda partive, nuk janë inkurajues për ndryshime që na e bërën deri më sot, do vazhdojnë nesër po me të njëjtin avaz. Një gjë është e sigurt se kjo qeveri nuk e mbush mandatin, vjeshta po na vjen dhe aty krahas përgatitjes për dimër, duhet të behën gati edhe kutiat e votimit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Mehmeti: Nepotizmi karakterizon këtë qeveri të korruptuar

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se koalicioni aktual qeverisës, që nga fillimi nuk ka qenë asnjëherë stabil si nga numrat ashtu edhe nga baza politike.

Sipas tij, kjo nënkupton se ky koalicion po mbahet në këmbë për hir të disa proceseve madhore në raport me negociatat në Bruksel, Berlin si dhe Paris.

“Besoj se edhe opozita ka hezituar që për hir të proceseve madhore mos të iniciojë ndonjë mocion për ta rrëzuar këtë qeveri, e cila po mbahet në këmbë për fije të perit. Qeveri më të brishtë nuk kemi pasur asnjëherë ashtu siç është edhe qeveri e skandaleve dhe aferave të madha. Nepotizmi karakterizon këtë qeveri të korruptuar e cila nuk ka punuar asnjëherë që vendi të ec tutje. Natyrisht se kjo qeveri duhet rrëzuar në rastin e parë pasi ndryshe nuk ka se pse opozita edhe ekziston. Besoj se në shtator do kemi mocion kundër kësaj qeverie, dhe me gjasë edhe mund të ndodh largimi i saj nga pushteti”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat