481 raste për përdorimin e lëndëve narkotike, shumica prejardhjen nga Shqipëria - Bota Sot
481 raste për përdorimin e lëndëve narkotike, shumica prejardhjen nga Shqipëria

Politika

481 raste për përdorimin e lëndëve narkotike, shumica prejardhjen nga Shqipëria

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 16 qershor 2019 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Katër mujori i parë i vitit 2019 ka nisur për policinë me regjistrimin e rasteve të shumta për përdorim të lëndëve narkotike. Policia e Kosovës ka kryer mbi 300 operacione, prej të cilave janë ngritur me qindra kallëzime penale ku janë regjistruar gjithsej 481 raste për katër mujorin e parë të këtij viti, raporton “Bota sot”. 

Numri më i madh i rasteve janë inicuar për Marihuanë (448 kg), substancë kjo e cila e ka prejardhjen nga Shqipëria. Ndryshe nga viti paraprak, në të cilin ka pasur 14 raste të drogave sintetike, të porositura me internet dhe janë sjellur përmes postës, këtë katër mujor sipas Policisë së Kosovës janë regjistruar tre raste të tilla. 

Ademi: Çështja e abuzimit me substanca narkotike, ndër gjërat më shqetësuese për shoqërinë

Image
Arton Ademi

Këtë çështje e sheh me shqetësim anëtari i Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës, Arton Ademi. Ai ka thënë për “Bota sot” se aktualisht dukuria më shqetësuese në vend është përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë, ku edhe më shqetësuese është trendi në rritje i kësaj dukurie. 

''Çështja e abuzimit me substanca narkotike, kohëve të fundit është njëra ndër gjërat më shqetësuese për shoqërinë tonë në Kosovë, e cila fatkeqësisht është në rritje, e sidomos nga të rinjtë të cilët fillojnë abuzimin me substanca.'' Për faktorët që ndikojnë në konsumimin e substancave narkotike në vend, Ademi është shprehur të jenë tendencat e të rinjve tanë që të ndjekin “trendet” evropiane apo botërore, duke thënë se shoqëria jonë është e pa përgatitur për t'u ballafaquar me hapin e shpejt të kohës. 

''Duke pasë parasysh që jeta në Kosovë është duke ecur me hapa të shpejtë në të gjitha sferat e jetës dhe dinamika e kësaj ecurie është duke ndikuar që shumë të rinjë provojnë substanca narkotike “duke u munduar që të jenë në trend dhe në hap me kohën” apo edhe si pasojë e mos përgatitjes së mjaftueshme e shoqërisë sonë në ballafaqim me këtë ecuri sikurse vendet evropiane a botërore. Po ashtu edhe ndikimi i bashkëmoshatarëve që të provojnë diçka ndryshe apo edhe që të jenë “të pranuar” në shoqëri mund të jetë njeri nder faktorët e përdorimit të substancave psikoaktive nga ana e të rinjve. 

Ka shumë shkaqe dhe fajtor në rritjen e konsumimit të substancave psikoaktive, për të cilat shpesh është e vështirë të gjendet fajtori apo shkaku, mirëpo shpesh herë aludohet në shkaqet apo nxitësit e përdorimit të narkotikeve, e ata janë të shumtë si p.sh. kureshtja për të provuar diçka të re, shtytja nga bashkëmoshatarët që të jenë të pranuar në mesin e tyre, dinamikat e jetës dhe mos përgatitja në ballafaqim me këtë dinamikë,'' ka shtuar ai. Ndërkaq, sa i përket përkujdesjes prindërore ndaj fëmijëve dhe të rinjëve, psikoterapeutisti Arton Ademi ka theksuar se ''Përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve dhe të rinjve të varur nga këto substanca nuk mungon duke u munduar që më çdo kusht t'iu ofrojnë përkrahje dhe marrjen e trajtimit të duhur që sa më parë fëmiu i tyre ta ndryshojë sjelljen dhe të largohet nga varësia e krijuar me rastin e përdorimit të substancave psikoaktive. Për prindërit nuk është e lehtë që të japin përkujdesje për arsye se dëmet që i shkaktojnë këto substanca psikoaktive janë të rënda dhe kërkojnë mund e durim në trajtim dhe arritjen e qëllimit që fëmijët e tyre t’i kalojnë këto varësi dhe asnjëherë mos t’i kthehen asaj rruge të mëhershme.'' 

Gollopeni: Moshat më të rrezikuara janë 16-17 vjeç

Image
Besim Gollopeni

Mirëpo, ndryshe e sheh situatën presidenti i Shoqatës së Sociologëve në Tiranë, Besim Gollopeni. Për Bota sot, Gollopeni ka deklaruar se ''Sado që përdorimi i pijeve narkotike te të rinjtë kosovarë, sidomos te nxënësit e shkollave të mesme të larta dhe të ulta është në rritje, për një situatë të tillë si duket prindërit dhe institucionet vendore ende nuk janë të shqetësuar dhe përkujdesur mjaftueshëm për këtë dukuri. Te prindërit, kjo situatë ndodhë për dy arsye; e para, prindërit besojnë fuqishëm se fëmijët e tyre po i dërgojnë në shkollë dhe mundësia që fëmijët e tyre të përfshihen në përdorimin e pijeve narkotike është e kufizuar, kur dihet fakti se fëmijët kanë edhe një përkujdesje sadopak institucionale (shkollore) në njërën anë, dhe prindërit nuk janë të informuar për një situatë të tillë në anën tjetër. E dyta, nga pa përkujdesja e mjaftueshme prindërore ndaj fëmijëve të tyre, ka raste të shumta kur prindërit ani pse janë në dijeni që fëmijët e tyre janë përdorues të narkotikëve, ata/o me vetëdije e mbajnë të fshehur (mbyllur) për rrethin social një situatë të tillë ose, thjeshtë sikur janë dorëzuar para fëmijëve të tyre, s’kanë çfarë të bëjnë sepse fëmijët e tyre kanë kaluar në faza më të larta të varësisë. Përdorimi i drogave (kanabis, marihuana, hashash) te nxënësit është prezentë sikur në qytete (qendra urbane) po ashtu edhe në zonat rurale. Këto droga ju servohen të rinjve në klube (kafene), në dyqane në afërsi të shkollave dhe forma të tjera. Moshat më të rrezikuara janë 16-17 vjeç. Ndër shkaktarët kryesor që qon të rinjtë (nxënësit) në përdorimin e pijeve narkotike janë: të qenit më “IN”, “Cooll” para bashkëmoshatarëve, relaksimi dhe mungesë e njohurive për efektet anësore që kanë përdorimi i pijeve narkotike.'' Sociologu Besim Gollopeni ka thënë se komuniteti duhet të bashkëpunojë për parandalimin e dukurive të tilla negative. ''Andaj, prindërit, komuniteti dhe shkolla do të duhej që të shtojnë nivelin e bashkëpunimit në mënyrë që dukuritë si kjo, e përdorimit të narkotikëve të parandalohen. Përveç kësaj që u tha, nga institucionet e vendit do të duhej të organizohen sa më shumë fushata vetëdijesuese dhe, në anën tjetër, dilerët të vihen para drejtësisë.''

Sipas informacioneve të marra nga Policia e Kosovës, për katër vitet e fundit më së shumti janë inicuar raste me marihuanë, pastaj kokaina, hashashi dhe heroina. Saktësisht, në vitin 2019 për katër mujorin e parë janë arrestuar 572 persona, janë ngritur 411 kallëzime penale ndaj 522 personave. Janë konfiskuar: Marihuanë: 448 kg Heroinë: 3 kg Kokainë: 1 kg Ekstazi: 89 hapa /Bota sot/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...