Kosova në kthetrat e politikanëve milionerë

Politika

Kosova në kthetrat e politikanëve milionerë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 qershor 2019 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publike pasurinë e zyrtarëve të shtetit, përfshirë këtu edhe ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave e të tjerë.

Nga deklarimet e pasurive të krerëve të shtetit, shihet që kemi të bëjmë me një kundërshti mes rrogës mesatare që është në vend dhe pasurive që posedojnë krerët e shtetit. Ata kanë një shumë të madhe të deklaruar në banka përfshirë posedim të pasurive siç janë banesa e shtëpi me vlerë të madhe financiare.

Nga këto deklarime mund të shohim që zëvendëskryeministri vendit, Behgjet Pacolli është ai që ka një pasuri marramendëse dhe posedime të banesave, hoteleve, veturave dhe avionin e tij personal.

Mirëpo nuk mund të themi që krerët e tjerë janë “duke hequr keq” pasi që secili prej tyre kanë të kursyera së paku mbi 10 mijë euro në banka duke mos i harruar pasuritë që i kanë fëmijët e tyre dhe bashkëshortët e tyre.

Duke mos i kryer punë një bankë, Presidenti i vendit ka treguar që ka në dy banka të kursyera mbi 10 mijë euro dhe se i biri tij, Endriti ka 13 mijë e 500 euro.

Dhe nëse bëjmë një krahasim me rrogat mesatare të vendit atëherë padyshim që kemi të bëjmë me një mos përputhje të pagave dhe keqpërdorim të pozitave. Pasi që nëse krerët kanë të kursyera mbi 10 mijë euro në banka, e nga ana tjetër një qytetar i vendit në maksimum pagën mujore e ka mbi 2 mijë euro atëherë mund të themi që shteti është në rrugë të gabuar dhe se dita ditës ky vend do të mbesë vetëm me krerët, sepse rinia vetëm se po pakësohet në vendin tonë.

Më poshtë kemi bërë një përmbledhje të pasurive që kanë krerët e shtetit:

Pasuria e Hashim Thaçit:

Presidenti vendit,Hashim Thaçi, ka deklaruar se në dy banka ka të kursyera mbi 10 mijë euro, ndërsa merr pagë vjetore 33 mijë e 282 euro. Në emër të bashkëshortes ka deklaruar mbi një mijë euro ndërsa 13 mijë e 500 euro në emër të djalit të tij Endritit.

Ai tregon se ka një shtëpi në vlerë 350 mijë euro për të cilën ka thënë se nuk e ka paguar ende, një shtëpi në fshat në vlerë 80 mijë euro si dhe 7 hektarë tokë po ashtu në fshat në vlerë 180 mijë euro.

Thaçi ka deklaruar edhe një veturë e markës Audi Q5 në emër të gruas së tij në vlerë 15 mijë euro.

Pasuria e Ramush Haradinaj:

Kryeministri vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dy shtëpi banimi, banesë, tokë, veturë si dhe 71 mijë euro para të gatshme.

Ai merr mbi 73 mijë euro nga qiraja, 32 mijë euro të tjera nga paga mujore si kryeministër, dhe 2 mijë e 700 euro pension invalidor.

Si pasuri të përbashkët, Haradinaj e ka deklaruar Kullën, që sipas tij kushton 270 mijë euro, dhe një tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro.

Pasuria e Kadri Veselit:

KryetariI Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ka mbi shtatë mijë euro para të gatshme që i mban në institucionet bankare. Ai si pasuri të paluajtshme posedon një lokal afarist në emër të tij, një banesë në emër të bashkëshortes, si dhe shtëpi e disa hektarë tokë në emër të prindit.

Veseli merr pagë vjetore prej më shumë se 33 mijë eurove dhe mëditje mbi 5 mijë euro. Në deklarimin e pasurisë Veseli ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 16 mijë eurove.

Pasuria e Albin Kurtit:

Kryetari Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar pasuri të paluajtshme banesën e bashkëshortes së tij në Oslo të Norvegjisë me vlerë 400 mijë euro.

Të ardhura vjetore Kurti ka deklaruar pagën e deputetit 19,189 euro.

Para të kursyera Kurti ka deklaruar 10 mijë euro të cilat po ashtu janë në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij.

Pasuria e Lutfi Haziri:

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka në pronësi personale e të përbashkët pasuri si toka, si dhe të holla të deponuara nëpër banka të ndryshme në vend dhe jashtë vendit. Vlen të përmendet toka në pronësi të përbashkët në vlerë 240 mijë euro, tokë e përbashkët në vlerë 245 mijë euro, tokë e përbashkët 210 mijë euro, banesë 100 mijë euro, si dhe shumë prona tjera, të cilat e kalojnë shifrën prej 100 mijë eurove.

Gzim Shala: Në rastet kur kemi mos balancë të madh, duhet edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) të interesohet për rastin

Për këtë çështje ka folur për “Bota sot” edhe Gzim Shala, hulumtues nga Instituti Kosovës për Drejtësi, i cili tha që ende nuk mund të themi që kemi të bëjmë me një vjedhje për arsye se sipas Shalës ende nuk është konfirmuar disproporcioni. Tutje, ai shtoi se në raste kur kemi të bëjmë me një balancim të pasurive duhet të interesohet edhe Administrata Tatimore e Kosovës(ATK).

“Në rastin e parë, në parim, nuk mund të themi se bëhet fjalë për vjedhje. Arsyeja për këtë është se ende ashtu nuk e ka konfirmuar këtë dispoporcion që ne po themi. Por, problemi është tek karakteri puro formal që ka marrë procesi për deklarimin e pasurisë. Ky proces, nuk është thjeshtë formal. I njëjti duhet të ketë ndikimin e vetë. Në rastet kur kemi mos balanc të madh, duhet edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) të interesohet për rastin, nëse për gjithë këtë pasuri, të paktën ka paguar ose jo tatim. Nëse nga këtu lindë dyshimi për kryerjen e ndonjë vepre penale nga deklaruese, mund edhe të hapet procedura penale, sipas lajmërimit të rastit në prokurori nga ATK-ja”, tha Shala.

“Në anën tjetër, Hetimi dhe gjykimi i pasurisë përmes procedurave civile, kur si bazë nuk ka një ndërlidhje me hetime dhe gjykime penale, është një proces i rrezikshëm, aq më tepër në situata në të cilat funksionon institucionet qeverisëse në Republikës e Kosovës. Kjo për arsye se të njëjtat procedura më pas do të mund të përdoreshin për eliminim të kundërshtarëve publik, dhe për të persekutuar “të padëgjueshmit” e një pushteti të caktuar në një kohë të caktuar. Lidhur me këtë, Kosova ka Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale.

“Sipas këtij ligji, nëse një person shpallet fajtorë për një prej veprave penale që përcaktohen me këtë ligj, ndaj të njëjtit mund të iniciohet procedura civile për konfiskim i pasurisë së paarsyetuar. Barra e provës në këtë rast bie mbi të dënuarin. Por, nga monitorimi sistematik që IKD i ka bërë se këtij ligji po ashtu edhe ligjit paraprak, kemi parë se ky është një ligj shumë i mirë në letër, por i vdekur në praktikë”,përfundoi për “Bota sot”, Shala.

Faton Mehmeti: Të gjithë politkbërësit e lartë janë të pasur

Image
Faton Mehmeti

Njohësi i zhvillimeve politike në vend dhe analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” tha se shumë e kuptueshme dhe logjike që politikanët me pozita të larta të mos i kenë të ardhurat nga paga e tyre, sepse sipas Mehmetit mjafton të shikosh fëmijët e politikanëve dhe pasuritë që posedojnë ata pa punuar asnjë ditëve.

“Natyrisht se politikanët tek ne, në veçanti ata me pozita të larta nuk i kanë të ardhurat vetëm nga paga. Kjo është mjaft e kuptueshme dhe krejtësisht e logjikshme kur sheh pasuri, vilat dhe të gjithë kapitalin dhe jetën e shtrenjtë që bëjnë. Mjafton të shikosh fëmijët e politikanëve që pa punuar ansjë ditë çfarë jetë përrrallore bëjnë, ndërsa qytetarët e thjesht po vuajnë për gjërat elementare për jetën. Kështu, me mjaft vështirësi ata arrijnë të shtyjnë jetën”, tha Shala.

Ndër të tjera, Mehmeti shtoi që kemi të bëjmë me moszbatim të ligjit për konfiskim të pasurisë sepse ky moszbatim ka ndikuar që politikanët të mos ndalën duke përfituar nga shteti.

“Mos zbatimi i ligjit për konfiskim të pasurisë të politikanëve ka ndikuar që këta të fundit të mos ndalen me afera të ndryshme për të zhvatur shtetin, për të përfituar. Të gjithë politikëbërësit e lartë janë të pasur, nëse do të kishte shtet këta do të ishin ne burg. Kjo s`mund të ndodh derisa drejtësia vazhdon të jetë e kapur nga segmente të caktuar të politikës, e kështu që shteti ka rënë në gjunjë të bandave që kontrollojnë çdo gjë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”

Binak Maxharraj: Milionerët e shtetit të varfër

Image
Binak Maxharraj

Profesor Dr. Binak Maxharraj për “Bota sot” tha se me deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publik në Kosovë ka treguar se Kosova ka shumë pushtetar, ministra e deputet të cilët shkelin etikën e tyre dhe shkelën gjakun e të rënëve në luftë. Në këtë mënyrë ata të posedojnë pasuri të madhe dhe të paligjshme.

“Dihet për çdo vit bëhet deklarimi i pasurisë të zyrtarëve publik në Kosovë, kjo është një procedurë e rregullt vjetore të paraqitur në Agjencionin kundër korrupsonit. Deklarimi i sivjemë i pasurisë së personave zyrtar ka treguar për pasurinë që disponojnë zyrtarët në pozitat e larta. Ky deklarim tregoi së në Kosovë ka shumë pushtetar, ministra, deputet, të cilët e kanë deklaruar pasurin disa milionëshe euro. Këta e shkelën etikën e tyre, këta shkelën mbi gjakun e të rënëve në luftë, duke u pasurua ne këtë mënyrë të paligjshme më hajni, plaçkitje dhe korrupsion”, tha Maxharraj.

Maxharraj më tutje parashtron pyetje duke vë në pikëpyetje pasurin e krerëve të shtetit dhe se vjedhja më e madhe e shtetit është bërë nga tenderët që zhvilloheshin në vendin tonë.

“Po si është kjo e mundshme të arrihet në Kosovë në shtetin më te varfër në Evropë? Po si është e mundshme që pushtetarët tanë siç thuhet brenda natës u pasuruan u bane milionerë? Siç dihet menjëherë pas luftës pushtetin e rrëmbyen Komandantet e luftës të cilët nuk kishin në fillim kurrfarë pasurie. Në vend së këta komandant të bëjnë ndërtimin e shtetit, pra të punojnë për shtet, ata filluan qe në fillim të luftojnë për pushtet, duke keqpërdor çdo gjë që u vinte për dore. Përmes privatizimit të pasurisë publike, të cilën pothuajse e shiten lire, gati falas arritën që gjatë këtij procesi të fusin diçka edhe ne xhepat e tyre. Pastaj, vjedhja më e madhe u bë përmes tenderomanisë. Behej luftë e madhe me këta tenderë se kush po i merr, por jo pa ndonjë kushtëzim ne stilin”në daç tenderin duhet me dhanë kaq nërdorë”, tha Maxharraj.

Tutje, Maxharraj thotë që ka pasur keqpërdorim të parasë dhe kështu duke lënë pas zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësinë.

“Kjo klasë politike e cila qe 20 vjet po qëndron në pushtet, e ka kapur shtetin nga të gjitha anët, synimi i tyre nuk është ndërtimii shtetit por keqpërdorimi i tij, filluan me hajni me plaçkitje të çdo gjëje që u vinin përdore,u pasuruan aq shumë sa qe për pak vite u banë milioner,ani pse pushtetin e kishin marr si njerëz të varfër më opinga. Kjo klasë politike nuk i frikësohej askujt për hajnin dhe plaçkitjen që i bënin vendit, sepse gati të gjitha institucionet ishin të kapura nga ta si prokuroria, gjyqësia dhe institucionet tjera. Askush nuk guxonte t`i pyeste për prejardhjen e pasurisë,sepse edhe vetë Ligjin e kishin akomoduar asisoj qe nuk kërkohej prejardhja e pasurisë”, tha Maxharaj.

Sipas Maxharaj ligji për konfiskim të pasurisë së paligjshme nuk zbatohet dhe se në këtë mënyrë gjendja e shtetit tonë është më e varfëria. Ku për çdo ditë edhe rina po ikën nga Kosova sepse nuk kanë punë dhe se perspektivën ia morën pushtetarët për pasurimin e tyre.

“Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme as që zbatohet, gjykatat nuk merreshin me këto punë, sepse askush nuk guxonte të paraqiste as të vetmin rast për ndonjë korrupsion nga ana e pushtetarëve të lartë në pushtet. Këta pushtetar pasurin e tyre nuk kanë mundur ta bëjnë me pagën e tyre,por këtë pasuri siç thash edhe më lartë e kanë bë më korrupsion me keqpërdorimin e detyrës zyrtare,me hajni klasike, me plaçkitje,duke e pru shtetin ne këtë gjendje çfarë është tani më te varfrin ne Evropë,ku për çdo ditë rinia po ikë nga Kosova,sepse nuk kanë punë, nuk kanë perspektive,sepse perspektiven ua morën këta pushtetar të pa shpirt te cilët nuk punojnë për ndërtimin e shtetit por për pasurimin e tyre”, përfundoi Maxharaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat