Hashim Thaçi i rrezikshëm për shtetin e Kosovës

Politika

Hashim Thaçi i rrezikshëm për shtetin e Kosovës

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 20 qershor 2019 Në ora: 07:57
Hashim Thaçi

Gjatë ditës së martë u përmend nëpër media që Presidenti Thaçi, ndër shumë këshilltar të tij është edhe një person që vjen nga  aktivitete të dyshimta, përkatësisht për personin të njohur si Branislav Nikoliq.

Nikoliq, dhjetë vjet më parë, kishte punuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë rast, është publikuar edhe video e cila ka shpërfaq Nikoliqin i cili ishte duke kryer misionin e tij të Beogradit në Kosovë.

Ai ishte kapur nga kamerat duke ofruar mijëra euro njerëzve që janë të gatshëm të dëshmojnë kundër UÇK-së.

Më pas, ata u arrestuan, u nxorën para kamerave me duar ne pranga dhe nga shefat e politikes u quajt si një fitore e madhe, kurse sot, njëri prej tyre, çuditërisht, është këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vendimi i Thaçit

Kjo nxiti reagime të ashpra në publik, derisa Presidenca doli me një vendim për shkarkimin e Nikoliçit.

Nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është thënë se se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikoliç në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentit, bëhet e ditur se duke u nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikoliq.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikoliç në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media. Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare. Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikoliç”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Është mjaft e habitshme se si Presidenca e Kosovës nuk ka pasur njohur rreth veprimtarisë së Nikoliçit vetëm pak vite më parë.

Pas vendimit të Presidencës, u publikua lajmi se për ta punësuar Branislav Nikoliqin, si këshilltar te Thaçi kishte intervenuar miku i ngushtë i Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliq që është kryetar i Komunës së Shtërpcës, nëjherit edhe vëllai i të parit.

Alarmi i Glauk Konjufcës

Por, para se të ndodhte lirimi nga detyrës i personit në fjalë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se janë krijuar kushtet që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Sepse në zyrën e Presidentit të shtetit është punësuar Branisllav Nikoliq.

“Sipas mediave, ky njeri është pjesëtar i shërbimit shtetëror informativ serb. Kjo përbën pa dyshim rrezikim serioz të sigurisë kombëtare. Sipas kushtetutës sonë (neni 94, pika 5, lidhur me nenin 127, pika 2) Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i vendit. Çka ka kryeministri që nuk e thërret mbledhjen? Mos ndoshta frikësohet nga presidenti që ia përmend bodrumin e Radojçiq-it ku u themelua qeveria e tanishme? Çfarë çifti i tmerrshëm Thaçi-Haradinaj: reciprokisht të shantazhueshëm përmes veglave të Vuqiç-it”, tha Konjufca.

Nga AKI nuk është dhënë asnjëherë ndonjë informacion se kush dhe cilët janë aktualisht subjekte të rrezikshme e të cilët gjenden në pushtet.

Kelmendi: Me elementet e tilla shteti i ynë është në rrezik

Image
Muhamet Kelmendi

Kështu tha për “Bota sot”, juristi dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi.

Megjithatë, sipas tij dyshime ka por prova jo. Dhe se kjo e bën të vështirë kontrollin e situatës.

“Natyrisht gjurmë dhe mendime ka shumë dhe domethënëse, por nuk ka prova. Ajo që dihet është fakti se të gjithë ish-punëtorët e UDB-s dhe të regjimit serbo-jugosllav gjenden të punësuar. Kush në Kuvend, kush në Presidence e në Qeveri; kush nëpër prokurori e në gjykata, në polici e deri te vetë AKI-ja.”, tha ai.

Kelmendi theksoi se bashkëpunimi i mundshëm i kujtdo qoftë përfshi këtu edhe njerëzit në pozitat më të larta të shtetit është e rrezikshme për shtetin.

“Këta janë shumë të dëgjueshëm dhe karrierist të çartur. Me ta dhe me shërbimet e tyre deri në shkatërrim askush nuk mund të shtyhet. Shih faktin e mos luftimit të krimit në nivel të lartë. Lojnat e mëdha të z. Thaçi, mos kapja e kriminelëve apo lirimi i tyre. Pastaj, gjendja e rëndë në veri etj, flasin mjaftë. Me elementet e tilla shteti i ynë është në rrezik. Kosovës po i kërcënohet ndarja dhe copëtimi i vendit”, tha ai.

Kelmendi përmendi faktin që kudo tjetër ku do të funksiononte ligji, presidentit Thaçi, do t’i ngritej aktakuzë.

“Kudo në botë ndaj z. Thaçi ishte hapur procedurë penale deri tash. Fakte ka mjaftë. Kemi keqpërdorim të pozitës, nepotizëm, vendime pas vendimeve antikushtetuese, deri edhe marrëveshje”, tha ai.

Dauti: Rrezik i madh për sigurisë së Republikës së Kosovës

Image
Daut Dauti

Njohësi i politikave ndërkombëtare, Daut Dauti, për “Bota sot”, tha se inkuadrimi i agjentëve në stafin këshillues ndaj Presidentit, është skandali më i madh që ka ndodhur deri sot.

“Duke e pasur parasysh marrëdhënien kritike dhe delikate që mbizotëron në marrëdhëniet Kosovë - Serbi kjo ndodhi duhet të paraqes jo vetëm naivitet e neglizhencë të madhe të Presidentit por edhe rrezik po ashtu të madh ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha Dauti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat