Flet njohësi i Integrimeve Evropiane: Kosovës nuk i duhet një marrëveshje e ngutshme për hir të Serbisë dhe...

Politika

Flet njohësi i Integrimeve Evropiane: Kosovës nuk i duhet një marrëveshje e ngutshme për hir të Serbisë dhe...

Nga: D. B Më: 20 qershor 2019 Në ora: 15:48
Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Kosova nuk duhet assesi të preokupohet për marrëveshje me Serbinë, më shumë sesa për konsolidim të shtetit i cili fatkeqësisht po çalon në çdo fushë dhe që nga paslufta nuk po arrin të ndërtohet si shtet ligjor. Kjo për faktin se Kosovës nuk i duhet assesi një marrëveshje e ngutshme për hir të Serbisë dhe të disa figurave politike të dyshimta.

Kështu ka vlerësuar Mirsad Voca njohës i Integrimeve Evropiane i cili në prononcim për “Bota sot” ka thënë se është në favor të tërë rajonit të Ballkanit perëndimor që të gjitha problemet e hapura të mbyllen.

Sipas tij, kjo do të krijonte marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do ta lehtësonte procesin integrues të rajonit në BE.

“Kosova para së gjithash duhet të jetë në marrëdhënie të mira me fqinjët e saj mirëpo pa e dëmtuar edhe më tej vetveten. Nuk shoh asnjë nevojë urgjente që Kosova të vetësakrifikohej në emër të një fqinjësie të mirë me Serbinë kur kjo e fundit, e cila masakroi e dhunoi një shoqëri të tërë kosovare, nuk e njeh fare Kosovën dhe për më tepër e pengon në çdo formë për t’u konsoliduar si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë jashtme”, ka thënë Voca.

Sipas tij, BE-ja nga ky prizëm duhet të merret më së shumti me Serbinë sa i përket një marrëveshje eventuale me këtë Shtet, sepse Kosova nuk do të ishte kundër një partneriteti reciprok ndërshtetëror me asnjë fqinj.

Image
Mirsad Voca

“Para së gjithash BE duhet ti bëj presion Serbisë për të sqaruar situatën e personave të zhdukur, për të kërkuar falje për krimet dhe për të dëmshpërblyer për të gjitha dëmet që i shkaktoi në Kosovë jo vetëm gjatë luftës por edhe para saj. Pastaj duhet patjetër që të pasoj njohja e Kosovës nga ana e Serbisë si kusht primordial për të realizuar marrëveshje fqinjësore partneriteti. Në anën tjetër, Kosovës nuk i duhet assesi një marrëveshje e ngutshme për hir të Serbisë dhe të disa figurave politike të dyshimta meqë shfaqen të papërgjegjshme. Kosova nuk ka çka të dëmtohet nëse nuk arrihet marrëveshje doemos këtë vit sepse gjendet ende në pikën fillestare në procesin integrues në BE”, ka thënë V9oca.

Ai konsideron se edhe nëse arrihet marrëveshje këtë vit, BE nuk do ti heq Kosovës «detyrat e shtëpisë» apo kushtet themelore që duhet të përmbush për liberalizim vizash dhe përafrim me BE-në.

“Kjo do të bënte që prapë Kosova do të mbetej në të njëjtën gjendje fillestare. Madje Kosova duhet zgjedh prioritetet e saj, pasi ato janë konsolidimi i një sistemi të drejtësisë të lirë dhe demokratik e jo të kapur nga politika, gjë që duket pothuaj e pamundur që të realizohet me pushtetin aktual sepse kapësit e Shtetit bien ndesh me aspiratën e ndërtimit të një Shteti ligjor i cili do të fitonte luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të ndërlidhur me pushtetin aktual. Nga vetëm fakti që nuk u luftuan këto fenomene negative në vend që nga paslufta, mjafton të konkludojmë se kjo garniturë politike por edhe ato paraprake, e kanë lejuar të zhvillohet një sistem kleptokratik me apo pa dashje. Besoj se Kosova afrohet më së shumti me BE-në, krijon marrëdhënie të reja si partner i barabartë me shtetet fqinje përfshirë këtu edhe Serbinë, hap mundësi të panumërta për zhvillim ekonomik e arsimor vetëm me konsolidim të Drejtësisë dhe luftimit të atyre fenomeneve të lartcekura”, ka thënë Voca.

Sipas tij, në një gjendje të varfër politike, juridike dhe ekonomike që mbretëron aktualisht, edhe nëse arrihet marrëveshje me Serbinë asgjë nuk do të ndryshoj përveç se për Kosovën mund të ketë një marrëveshje të imponuar dhe të keqe me Serbinë, qartazi më së shumti në favor të kësaj të fundit meqë në Kosovë kemi lidership ekskluzivisht të interesuar në politika ditore të ndërlidhura ngushtë me interesa të tyre dhe klane të tyre.

“Besoj se Kosova duhet që përmes një lidershipi të ri të punoj në ngritjen e planeve, objektivave afatmesme dhe afatgjate dhe të punohet pareshtur që të mund të ndërtohet një mirëqenie shoqërore pas dy, pesë apo dhjetë viteve, dhe që të mund të realizohet një Kosovë me standarde të krahasueshme me vendet e zhvilluara të BE-së brenda dy apo tri dekadash. Megjithatë, kur shikohen proceset e zgjedhjeve brenda partiake në Kosovë dhe rezultatet e tyre, gjasat për zhvillim të një lidershipi të ri e vizionar mbeten pothuajse inekzistente”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat