LDK thërret Vetëvendosjen: Lista serbe të mos jetë pengesë për rrëzimin e Qeverisë

Politika

LDK thërret Vetëvendosjen: Lista serbe të mos jetë pengesë për rrëzimin e Qeverisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 qershor 2019 Në ora: 16:56
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Problemet e vazhdueshme të cilat po e përcjellin Lidhjen Demokratike të Kosovës në procesin e brendshëm zgjedhor, kanë bërë që kjo parti në këto momente ta harrojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Kështu kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, lidhur me këtë ka thënë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë, duhet të dal tash.

Konjufca ka deklaruar se sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, ata do ta dërgonin në votim këtë mocion, por, sipas tij për këtë duhet të pyetet Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Sa për Vetëvendosjen Mocioni do të dilte tash, por duhet ta pyesni LDK-ën. Unë jam takuar me liderin e LDK-ës, Isa Mustafën dhe i kam shpjeguar atij se sa për neve duhet të dal mocioni. Për mua është e pakuptueshme pse nuk del mocioni. Nëse i numërojmë edhe Alternativën dhe deputetët e pavarur, i kemi 57 vota” u shpreh Konjufca.

Mirëpo, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se përpos partisë së tyre, partitë tjera nuk janë as serioze as të sinqerta në këtë qëllim. Ata bëjnë me dije se nuk mund të vendosen kushte të palogjikshme nëse janë serioz dhe të sinqertë.

Ndërsa, nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje për “Bota sot”, ka konfirmuar se kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por se janë edhe me tej në kërkim, dhe po presin që edhe deputetët e pozitës të reflektojnë.

Gecaj: Nuk mund të vendosen kushte të palogjikshme

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se mocioni për rrëzimin e Haradinajt mund të ndodhë nëse partitë opozitare dhe gjysmë-opozitare janë serioze dhe të sinqerta.

Gecaj thekson se nuk mund të vendosen kushte të palogjikshme nëse jemi serioz dhe të sinqertë, siç janë kushtet se nuk e rrëzojmë për shkak të tarifës apo nuk e rrëzojmë me Listën Serbe. Ai potencon se qeveri e mbrapsht duhet të rrëzohet sa më parë.

“Rrëzimi i Qeverisë Haradinaj mund të ndodhë nëse partitë opozitare dhe gjysmë-opozitare janë serioze dhe të sinqerta. Nuk mund të vendosen kushte të palogjikshme nëse jemi serioz dhe të sinqertë, siç janë kushtet se nuk e rrëzojmë për shkak të tarifës apo nuk e rrëzojmë me Listën Serbe. Kjo qeveri e mbrapsht duhet të rrëzohet sa më parë”, ka thënë Gecaj.

Gecaj, gjithashtu është shprehur se përpos partisë së tij, partitë tjera nuk janë as serioze as të sinqerta në këtë nismën për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

“Megjithatë, përpos LDK-së duket se partitë tjera nuk janë as serioze as të sinqerta në këtë qëllim. Kjo qeveri është krijuar përmes Listës Serbe dhe nuk ka asgjë të keqe nëse bie edhe përmes votave të tyre, natyrisht nëse kjo bëhet pa kushtëzime. Edhe çështja e taksës nuk duhet të jetë pengesë - qeveria e ardhme, nëse do, mund të vendosi edhe ta mbajë taksen. Prandaj, besoj se e tëra varet nga vullneti serioz dhe sinqeriteti i partive opozitare”, ka deklaruar Gecaj i LDK-së.

Nagavci: Nuk i kemi edhe tri vota

Image
Arbërie Nagavci

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe me tej kanë mungesë së pak votave për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Nuk i kemi edhe tri vota. Kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kemi diskutuar. Ne jemi në kërkim dhe po presim që deputetët e pozitës të reflektojnë”, ka deklaruar ajo për gazetën “Bota sot”.

Nagavci mes tjerash shpjegon se në momentin që partitë opozitarë do të arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ecur tutje.

“Është e qartë se çdo ditë e më shumë me këtë Qeveria në krye të shtetit është shumë më keq për vendin. Dhe meqenëse ne nuk i kemi ende 61 votat e nevojshme si opozitë, po vazhdon të mbetet kësisoj gjendja. Në momentin që ne i sigurojmë votat e nevojshme do të ecim tutje”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

Maloku: LDK me probleme, partnerët e koalicionit të kënaqur!

Image
Albinot Maloku

Ndërsa, politologu Albinot Maloku mendon se partia e Akbin Kurtit ka një konsistencë në këtë drejtim, mirëpo, sipas tij, si e vetme nuk po mund të lëvizë edhe aq shumë në këtë drejtim.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se energjitë e sinqerta sikur nuk janë duke u dedikuar plotësisht nga partitë politike opozitar.

“Energji të sinqerta drejt mocionit të votëbesimit sikur nuk janë duke u dedikuar nga subjektet politike opozitare. Lëvizja Vetëvendosje ka një konsistencë në këtë drejtim, mirëpo si e vetme nuk po mund të lëvizë edhe aq shumë në këtë drejtim”, ka thënë Maloku.

Tutje, ai është shprehur se partia e Mustafës është në telashe të veta me procesin e brendshëm zgjedhor dhe nuk ka energji të mirëfillta.

“Kur flasim për Lidhjen Demokratike të Kosovës ajo është në telashe të veta me procesin e brendshëm zgjedhor dhe nuk ka energji të mirëfillta jo vetëm me mocionin por edhe nëse shkohet në zgjedhje ajo nuk është e gatshme”, është shprehur ai.

Në fund, ai shpjegon se pafuqia e opozitës në njërën anë, po i bënë të kënaqur anën tjetër - koalicionin qeverisës.

“Pengesë këtij mocioni është duke i bërë pafuqia e opozitës aktuale, e që partnerët e koalicionit janë të kënaqur me situatën aktuale”, ka përfunduar Maloku për gazetën “Bota sot”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një kohë të gjatë që e përmendë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Përkundër mungesës së numrave, partia më e madhe opozitare deklaron se tashmë e ka seriozisht rrëzimin e Ramush Haradinajt, ani pse po ballafaqohet me probleme të brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat