Takimet e fshehta me Serbinë, rrezik për Kosovën

Politika

Takimet e fshehta me Serbinë, rrezik për Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 qershor 2019 Në ora: 21:03
Pamje nga takimi sekret të enjten, në mes të Kosovës dhe Serbisë

Berlini ka qenë vendi ku u zhvillua një takim sekret të enjten, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim që nuk ishte paralajmëruar fare, Kosova u përfaqësua nga ambasadori në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi dhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Selim Selimi, bashkë me avokatin ndërkombëtar MichaelO’Riley, të cilët u takuan me Marko Gjuriqin.

Po ashtu, pjesëmarrës në takim ishin edhe përfaqësues të BE-së, Francës, Gjermanisë e SHBA-ve.

Nga ajo që u raportua në media, në takim u shkua për negociuar Asociacionin me kompetenca Ekzekutive.

Nga Qeveria nuk ka pasur deklarim lidhur me këtë, e as gazeta “Bota sot” nga ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara drejtuar Zyrës së Kryeministrit.

Përgjigje nuk ka pasur as nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku është thënë se duhet drejtuar Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa për këtë takim, ka qenë vetë Arifi ai që ka folur për takimin, duke treguar për çka është biseduar.

Arsyetimi i Arifit

Ai ka thënë se në këtë takim është folur vetëm për dialogun dhe se nuk kanë biseduar për asnjë temë tjetër.

“I tërë takimi ka pasur të bëjë vetëm për të arritur te dialogu teknik ku ka mbet procesi, pra se si të vazhdojmë tutje. Kurse për pjesën politike nuk kemi pas kompetenca me fol sigurisht as për taksën. Debati është bërë për atë që dialogu është bllokuar shtatë muaj para taksës më, 15 mars 2018. Me gjithë insistimin tonë drejtuar BE-së në maj ata nuk e kanë vazhduar, sepse zyra e Mogherinit është shndërruar në zyrë të Serbisë”, ka deklaruar Arifi.

Sipas tij, ajo çfarë Kosova ka kërkuar nga Serbia në këtë takim ka qenë që të mos ketë kushtëzime të dialogut dhe që bisedimet të vazhdojnë në Samitin e Parisit.

Millaku: Takimet e fshehta janë të rrezikshme, institucionet e Kosovës kanë rënë për toke

Image
Drita Millaku

Lidhur me këtë takim të fshehtë e të paparalajmëruar si dhe pasojat apo rrezikun që mund të ketë Kosova nga ajo që është biseduar aty, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” çdo ditë e më shumë po dëshmohet se këto institucionet nuk kanë lidhje me qeverisje, aq më pak me politikë të jashtme, duke shtuar se takimet e fshehta janë të rrezikshme.

“Për ditë e më shumë po dëshmohet se këto institucione tona nuk kanë lidhje me qeverisje e aq më pak me politikën e jashtme e sidomos raporti me Serbinë. Takimet e fshehta janë të rrezikshme, institucionet e Kosovës kanë rënë për toke”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, brenda institucioneve janë katër qeveri që veprojnë kokë në vete, duke shtuar se shtetësia e Kosovës është në rrezik dhe këto lëvizje tregojnë se shteti nuk po funksionon.

“Brenda institucioneve tona janë katër qeveri dhe secila prej tyre punon në kokë të vetin pa koordinim. Të gjitha këto lëvizje që po bëhen kohëve të fundit tregojnë se shteti nuk po funksionon, dhe po punon si pula po kokë. Këta nuk janë të aftë të udhëheqin, nuk kanë kapacitet andaj duhet të lirojnë vend. Shtetësia e Kosovës është në rrezik”, ka deklaruar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Kelmendi: Mos informimi tërheq dyshime të ndryshme

Image
Muhamet Kelmendi

Në anën tjetër, profesori Muhamet Kelmendi, nuk beson se mund të ketë prapaskenë të rrezikshme pas takimit në Berlin, pasi siç është thënë takimi është përgatitje për takimin e Parisit.

“Nuk e di se a është takuar z. Avni Arifi. Ai është tash ambasador. Por, natyrisht se kemi një takim të dy delegacioneve në Berlin. Zyrtarisht është thënë se ky takim po i paraprinë dhe është përgatitje për takimin e Parisit. Mendoj se kështu edhe duhet të jetë. Kjo edhe për faktin se takimi është i përgatitur nga qeveria dhe nuk besoj se kandonjë prapaskenë të rrezikshme”, ka vlerësuar Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, nuk ka rëndësi nga kush është përbërë delegacioni, por që duhet domosdo të informohet publiku, pasi mos informimi ngre dyshime dhe kjo e dëmton shtetin.

“Ajo që duhet kërkuar është fakti që ky delegacion, kush nuk ka rëndësi, duhet domosdo të informojnë publikun mbi atë që është diskutuar. Mos informimi tërheq dyshime të ndryshme dhe kjo e dëmton shtetin. Kosovës nuk i duhen takime sekrete dhe jashtë organeve. Shpresoj se do të informohet Kuvendi dhe qytetarët. Kjo është edomosdoshme”, është shprehur profesori Muhamet Kelmendi.

Duhanaj: Vetë lajmi për Asociacion Plus, lë të kuptohet se diçka po zihet

Image
Leon Duhanaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, vlerëson se takimi i mbajtur në Berlin nëse shikohet nga këndvështrimi diplomatik mund të jetë në rregull, por nëse analizohet e kaluara, ka vend për shqetësim.

“Takimi i fshehtë, i mbajtur në Berlin, mes delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Ambasadori Arifi, delegacionit të Serbisë të kryesuar nga Marko Gjuriq dhe ndërmjetësuesve gjermano - francez. Nëse e analizojmë nga këndvështrimi diplomatik, njeriu kishte me thënë, ok është diçka që ndodhë në diplomaci. Por, kur analizojmë të kaluarën historike të shqiptarëve, atëherë kisha me thënë se, ka vend për shqetësim. Kjo pasi që shqiptarët në vazhdimësi kanë vepruar krye në veti, qoftë duke negociuar marrëveshje, qoftë duke i nënshkruar ato si akte dhe marrëveshje ndërkombëtare, të cilat me pastaj na kanë futur para aktit të kryer. Në ketë kontekst, Kosova që nga Rambuje, ka bërë kompromise, për të vazhduar me pastaj me procesin e Vjenës, nga doli edhe "Pako, Ahtisari", pastaj filloj procesi i Bukselit, i cili në fillim u quajt teknik e që më vonë u shndërrua në politik dhe tani e ka sjellë Kosovën para dilemave të reja ku nga e do të kërkohen kompromise shtesë”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, vet lajmi për Asociacionin Plus nënkupton që diçka po zihet dhe se Kosova po përballet me idenë e kompromisit të ardhshëm, por arsye pse nuk kemi njohuri pasi nuk ka transparencë.

“Vetë lajmi për Asociacion Plus, lë të kuptohet se diçka po zihet dhe se Kosova do të përballet me idenë e kompromisit të ardhshëm. Për mendimin tim, pas pakos Ahtisari, degradimi ka filluar me gjashtëpikëshin e ish Sekretarit të OKB Ban Ki Mun, i cili e nxori njëfarë Ahtisari plus, për të cilin është debatuar në opinion dhe për të cilin kam shkruar edhe unë se do ta sjellë Kosovën para problemeve të mëdha. Tani, çfarë ka mund të ndodhë gjatë këtyre viteve. Dihet mirëfilli se asnjë projekt ndërkombëtar, asnjë vendim apo marrëveshje, nuk mund të ndodhë pa dijeninë e krerëve politik të vendit tonë. Edhe gjashtë pikshi edhe marrëveshjet e Brukselit që u nënshkruan me vonë janë miratuar nga shqiptarët në tavolinë negociatash.Arsyeja pse ne nuk kemi njohuri si shoqëri e tërë, është se tek ne nuk ka transparencë. Ne i kemi humbur kaq shumë vite dike bërë regres në të gjitha fushat, duke e sjellë popullin bizë greminës, në luftë për mbijetesë, duke ja bërë jetën "ferr" me premtime e populizma të rremë, për t’ia kumtuar tash pas një dekade se megjithatë duhet bërë lëshime në mënyrë që të ecët përpara”, ka vlerësuar Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Kjo do të na kushtoj shtrenjtë

Ai thotë se kështu nuk qeveriset dhe tani jemi në një pikë ku bota demokratike është zhgënjyer me ne dhe ne shumë shpejt do të përballemi me kompromise të mëtutjeshme.

“Jo, kjo nuk është mënyra se si bëhet politikë, e aq me pak mënyra se si mbrohet interesi kombëtare. Të gjitha aventurat e të gjithë atyre që kanë pasur agjenda qoftë kinse për bashkim Kombëtarë duke e luftuar shtetësinë e Kosovës siç bënte L. Vetëvendosje, apo edhe Presidenti Thaçi, jo ndryshim kufijsh, jo bashkim kombëtar jo metë jo atë, për mendimin tim, kanë qenë dhe janë nëshërbim të së njëjtës agjendë, pansllaviste e cila është brumosur në çarqet serbe.Tani kemi ardhur në një pikë ku bota demokratike, e zhgënjyer me ne, me bandat e krimit, të cilat në emër të "patriotizmit" nuk lanë gjë të ligë pa i bërë këtij populli e këtij vendi, janë lidhur me ne dhe dëshirojnë ta përmbyllin ketë konflikt qoftë edhe me kompromise të mëtutjeshme. Ne do të përballemi me këto situata shumë shpejt dhe një gjë duhet ta dimë. Se nëse ne si shoqëri nuk kemi qenë në dijeni, nuk do të thotë se edhe krerët e shtetit të mos kenë ditur. Ata a e dinë mirë madje mund edhe të kenë pranuar marrëveshje të dëmshme, të cilat mund ta lënë Kosovën përnga të politikave të Beogradit. Ketë na e kanë dëshmuar në vazhdimësi, duke degraduar proceset në vazhdimësi”, ka theksuar ai.

Duhanaj mendon se i gjithë fokusi për shkëmbim territoresh është një lojë, parapërgatitje për ndonjë Asociacion Plus, që do të na kushtojë shtrenjtë.

“Për mendimin tim, i gjithë fokusi i ndarjes, apo ndryshimit të territoreve, nuk është asgjë tjetër por një lojë mashtruese, si lloj parapërgatitje për ndonjë Asociacion Plus si e keqe me e vogël.Kjo do të na kushtoj shtrenjtë sepse ne jemi detyruar çdoherë të zgjedhim në mes dy të këqijave dhe dy të këqija janë të këqija, pa marrë parasysh pse njëra mund të jetë me e vogël apo me e madhe. Mos të harrojmë se ishin shqiptarët që në tavolinën e negociatave, hoqën dorë nga trashëgimia paleokristiane - ortodokse për ta cilësuar si trashëgimi të kishës serbe e që Serbia sot e ka armë me të fortë kundrejt nesh. Në çfarëdo varianti të zgjidhjes së konfliktit Serbia do të insistoj në eksterritorialitet për kishat që në masë të madhe ishin shqiptare, por që ju falën serbeve”, ka përfunduar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat