Lutfi Haziri: Albin Kurti do të kthehet te Batoni, siç u kthye te Buzhala

Politika

Lutfi Haziri: Albin Kurti do të kthehet te Batoni, siç u kthye te Buzhala

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 23 qershor 2019 Në ora: 17:06
Lutfi Haziri

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Federata ruse është e involvuar thellë në Ballkanin Perëndimorë. Në këtë intervistë mund të mësoni se përse LDK-ja nuk e bojkoton televizionin e Baton Haxhiut, sikurse Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu, mësoni se pse Teuta Rugova, trashëgimtarja e familjes së Dr. Ibrahim Rugovës, shpesh herë del nga kornizat e partisë, madje edhe duke e përkrahur PDK-në.

Haziri potencoi se si nënkryetar i LDK-së, ka hezitime vetëm ndaj disa medieve serbofolëse dhe medieve në Serbi të cilat kanë qenë gjeneratorë të luftërave.

"Kualifikime të tilla unë nuk mund as të komentoj e as të faktoj. Unë jam nënkryetar i LDK-së, unë kam hezitime vetëm ndaj disa medieve serbofolëse dhe medieve në Serbi të cilat kanë qenë gjeneratorë të luftërave, e sidomos karshi shqiptarëve, ndërsa sa i përket pjesës tjetër, unë i takoj kulturës së LDK-së. Kultura e LDK-së, politika dhe ideologjia e saj nuk është e ndërtuar dhe nuk merret me kualifikime, nuk merret me hetime dhe as me linçime. Lidhja Demokratike e Kosovës ka politike afruese, pranuese, pajtuese dhe ka politikë të sundimit të ligjit. Nëse dikush ka problem me sundimin e ligjit, apo bashkëpunimit me armiq apo shtete armike, ai është problem i tyre, por koha do t’i zbardhë të gjitha, kush çka ka punu dhe çka ka bërë, të gjitha do t’i shohim", ka thënë Haziri.

Ndërsa i pyetur se pse nuk merr shembull nga Albin Kurti për bojkot të mediumit të Baton Haxhiut, Haziri tha se lideri i VV-së do të kthehet te Batoni, siç u kthye te Buzhala.

"Unë ju siguroj se ata dy, Albin Kurti dhe Baton Haxhiu janë shumë miq mes vete, kanë raporte shumë miqësore dhe duhet ta kujtoni që ai person për vite të tëra nuk ka shkuar në emision as te Berat Buzhala, por tash është frekuentuesi më i madh i televizionit T7, i Berat Buzhalës. Nuk duhet të ndërtojmë raporte të tilla, fundja është vendim i secilit për ta ndërtuar këtë logjikë, nuk është mirë të personalizojmë raporte, po shoh një tendencë të tillë por nuk është mirë. As unë si përgjegjës politik e as si Lutfi Haziri, nuk mundem të lejojmë diçka të tillë, fundja është vullnet i joni a duam apo jo të shkojmë. LDK-ja nuk ka bërë listë të zezë, në momentin që LDK vendos që të bojkotoj ndonjë gazetë apo medium, unë do ta respektoj, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë", ka deklaruar ai.

(Pjesën e dytë të intervistës mund ta lexoni nesër në gazetën "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat