Një karrierë e ndërtuar mbi akuza e skandale, Hashim Thaçi mbrohet nga trashëgimia e regjimit serb

Politika

Një karrierë e ndërtuar mbi akuza e skandale, Hashim Thaçi mbrohet nga trashëgimia e regjimit serb

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 24 qershor 2019 Në ora: 22:16
Hashim Thaçi

“E para, janë njerëzit që i kemi trashëgimi nga regjimi serb në ekonomi, politikë e media por edhe në organet e sigurisë, që e mbajnë dhe e mbrojnë atë. Faktori i jashtëm është diplomacia dhe gazetaria diplomatike në arenën ndërkombëtare, kryesisht pro-serbe, që e përkrah atë në çdo hap me shkrime e deklarata të ndryshme”, tha Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje.

Njeriu aq fort i përmendur, jo edhe aq shpesh për të mirë, i zgjedhur President dy vite më parë nga Parlamenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po konsiderohet si njeri i papërgjegjshëm dhe jo lojal përballë qëndrimeve të tij politike. Mjafton të kujtojmë deklaratat e tij të mëparshme që Kosova është një shtet i veçantë nga ai i Shqipërisë, ndërkaq jo shumë kohë më vonë, deklarohet për një bashkim të mundshëm kombëtar me Shqipërinë. Nisur nga kjo dhe nga shumë veprime e deklarata kundërthënëse, del se Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka ndërtuar karrierën e tij mbi akuza e skandale.

Për rrjedhojë, ai si duket nuk do ta ketë të lehtë ta qojë deri në fund mandatin e tij si President, ndërsa rasti i fundit me agjentin e BIA-s, të cilin e kishte emëruar si këshilltar, vetëm sa i përforcon bindjet për këtë.

Gaxherri: Dorëheqja e Thaçit kthen dinjitetin në vend

Për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, dorëheqja e Thaçit kthen dinjitetin në vend. Ajo për gazetën “Bota sot”, ndër të tjera, tha se presidentit Thaçi, i ka mbetur të inskenoj skandale pasi që sipas saj, kjo është e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen.

Image
Besa Gaxherri

“Presidenti Thaçi i ka mbetur që të inskenoj skandale për të tërhequr vëmendjen e opinionit, pas shumë skandaleve e veprimeve të tij, të cilat janë shumë të dëmshme për vendin. Vetëm dorëheqja e tij do të ishte kthyer dinjitetin dhe stabilitetin e vendit, pasi që mundësinë kushtetuese dhe mungesa e dy të tretave të votave e bëjmë të pamundur për ta shkarkuar”, tha ajo.

Tutje, Gaxherri, nuk la pa përmendur neglizhencën totale të kryeministrit Haradinajt.

“Shtuar këtu pa përgjegjësinë edhe të kryeministrit i cili më shumë bënë veprime taktike për konsum politik ditor në raport me presidentin se sa është korrekt me përgjegjësitë e veta i cili ka obligim kushtetues që të përfaqësoj vendin edhe në dialog me Serbinë dhe në këtë mënzrë presidenti do ishte i detyruar që të luaj rolin e tij kushtetues”, tha Gaxherri.

Deputetja Gaxherri, konsideron se Kosova është në një udhëkryq dhe se sipas saj, populli nuk po e di se nga cili përfaqësues i vendit po i vjen e keqja.

“Fatkeqësisht për momentin Kosova është në një udhëkryq dhe populli nuk e di se nga cili përfaqësues i vendit po i vjen e keqja më e madhe, prandaj shkuarja në zgjedhje është e domosdoshme dhe e pashmangshme”, tha Gaxherri.

Çollaku: Deputetët duhet të bëjnë presion më të madh ndaj Thaçit

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Adrian Çollaku, për “Bota sot”, ka thënë se presidenti Thaçi është i njohur për mënyrën e funksionimit.

Ai është i mendimit se në shumicën e situatave ai i ka krijuar skandalet vetë, në mënyrë që pastaj vetë t’ua jap zgjidhjen.

Image
Adrian Çollaku

“Skandali me agjentin e BIA-s, pa dyshim që është ndër skandalet më të mëdha të tij, si president vendi. E, skandal më i madh është edhe arsyetimi që jep, se kinse nuk ka informata për këtë rast. Mendoj, se opozita, por edhe deputetët duhet të bëjnë presion më të madh ndaj tij për këtë rast dhe t’i kërkojnë përgjegjësi institucionale”, tha ai.

Sipas tij, sikur të ishim një vend normal, një skandal i tillë, nuk do të kalonte në heshtje, pa dhënë përgjegjësi politike, që në këtë rast dorëheqja do të duhej të ishte veprimi më i vogël.

Zogiani: Pra, do të duhet kohë për të ç’montuar strukturat e Thaçit

Kurse, Avni Zogiani, nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Bota sot”, pohoi se fuqia e presidentit Thaçi nuk buron nga legjitimiteti dhe vota, por nga një kombinim faktorësh.

Image
Avni Zogiani

“E para, janë njerëzit që i kemi trashëgimi nga regjimi serb në ekonomi, politikë e media por edhe në organet e sigurisë, që e mbajnë dhe e mbrojnë atë. Faktori i jashtëm është diplomacia dhe gazetaria diplomatike në arenën ndërkombëtare, kryesisht pro-serbe, që e përkrah atë në çdo hap me shkrime e deklarata të ndryshme”, tha ai.

Sipas tij, rënia ose mbajtja e presidentit Thaçi nuk varet nga zhvillimet elektorale.

“Pra, do të duhet kohë për të ç’montuar strukturat e tij në shumë sektorë për ta rrëzuar Thaçin. Me një fjalë kushdo që pretendon se do ta rrëzojë Thaçin pas zgjedhjeve, duhet ta shtrëngoj rripin fort e ta ketë të qartë se do të përballet me faktorët më të fuqishëm në shoqërinë kosovare e më gjerë”, tha Zogiani.

Shahu: Thaçi sponsorizon kudo në hapësirat shqiptare ekstremistët majtistë enveriste

Rexhep Shahu, publicist dhe njohës i rrethanave, për “Bota sot”, tha se gjithë karriera e gjatë e Thaçit është aksident politik në Kosovë.

Image
Rexhep Shahu

“Do ta thosha se mund të pranohej si Rruga e partizanëve të Shqipërisë që luftuan për pushtet se armikun në luftën e dyte botërore nuk e dëboi Shqipëria. Thaçi kaq gjatë në politikë e kaq lart është për shkak të politikës së frikës që ka ndërtuar e ushtruar”, tha ai.

Skandali më i madh i presidentit Thaçi, sipas Shahut, është ky u fundit kur i është mbushë mendja se është pronari i Kosovës dhe po të doje bën tregti me territorin.

“Skandali tjetër i frikshëm është se ai sponsorizon kudo në hapësirat shqiptare ekstremistët majtistë enveriste. Dhe me lajmet e fundit me spiune serbe na kap frika se Thaçin e konsideron Serbia si të emëruarin e saj në Prishtinë. Duke shfrytëzuar përçarjet e dobësitë e opozitës në Kosovë Thaçi shin lamë në politike. Ai si president ka agjende personale jo kombëtare”, tha Shahu.

Krasniqi: Ky njeri (Thaçi) është rrezik edhe për shtetin

Ndërkaq, analisti Faik Krasniqi, për “Bota sot”, konsideron se presidenti Thaçi është politikani më skandaloz në trojet shqiptare.

Sipas tij, karriera e tij e deritanishme është ndërtuar kryesisht me skandale, intriga, mashtrime dhe gënjeshtra.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk mbaj mend që ka mbajtur ndonjë premtim që e ka bërë. Nëse nuk e mbajmë në mend, do të thotë që nuk e ka mbajtur. Edhe shokët e tij e vlerësojnë si një njeri egoist, narcist dhe të pabesë. Në një shtet të mirëfillte, soji i tij dhe i shumicës së politikanëve në Kosovë, as erë në politikë nuk do të mund të merrnin, e lëre më të ishin kryeministra, ministra e presidentë. Por kjo, është Kosovë dhe politika është profesioni i sojit të tyre”, deklaroi ai.

Krasniqi, vazhdoi të pohojë se skandalet e shumta të presidentit Thaçi dhe të ish bashkë partiakëve, do të ishin të mjaftueshme për të kërkuar largimin e tyre.

“Ata, do të duhej të ishin në burg për të bëmat e tyre. Mirëpo, në këtë vend ku këta janë mbi ligjin, nuk pres që të largohen nga skena. Ky njeri (Thaçi) është rrezik edhe për shtetin, deri sa insiston në idenë e tij për korigjim kufijsh apo më mirë të them ndarjen e pjesës veriore të Kosovës”, tha ai.

Krasniqi, deklaroi se është vështirë të shkarkohet ky njeri sepse mrapa vetës ka një mori partish dhe njerëz, si në Kuvend e po ashtu edhe në Qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat