Krasniqi: Opozita të parandalojë tradhtitë nga presidenti dhe Qeveria

Politika

Krasniqi: Opozita të parandalojë tradhtitë nga presidenti dhe Qeveria

Nga: G.B Më: 24 qershor 2019 Në ora: 22:29
Foto ilustruese

Javën e kaluar në Berlin të Gjermanisë u mbajt një takim sekret në mes të palës nga Kosova dhe asaj të Serbisë.

E për një takim të tillë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj.

Por, gjatë ditës së sotme, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar presidentin Thaçi, derisa i ka thënë se ai është takuar vetë me presidentin serbe fshehurazi dhe nuk mund ta kritikojë askënd.

Image
Faik Krasniqi

“Po më vjen mirë president që ia kanë nisë me të pengu takimet e fshehta në këtë rast të kryeministrit, sepse takime të fshehta ka pasur edhe prej juve me Vuçiqin dhe po më vjen mirë që po të pengon kjo sepse asnjëri nuk ishte dashtë me ia ba (takimet e fshehta)”, ka thënë Ahmeti.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu me Serbinë ka filluar mbrapsht dhe ashtu po vazhdon, ku që nga fillimi nuk ka pasur transparencë dhe gjithçka është bërë në mënyrë sekrete.

“Dialogu me Serbinë ka filluar mbrapsht, ka vazhduar mbrapsht dhe po vijon mbrapsht. Prej fillimit të dialogut s'ka pasur transparencë se për çfarë po bisedohet me Serbinë, dhe çfarë marrëveshje kanë nënshkruar. Gjithçka në mënyrë shumë sekrete”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, opozita duhet të organizojë protesta që ta parandalojë ndonjë tradhti nga presidenti dhe qeveria e Kosovës.

“Ky dialog është shumë i dyshimtë. Për takimet e fshehta të kryeministrit dhe presidentit, është Kuvendi dhe partitë opozitare që duhet të kërkojnë llogari. Opozita duhet të organizojë edhe protesta gjithëpopullore, për të parandaluar ndonjë tradhti të gatuar nga Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat