Bardhyl Ajeti u bë viktimë e krimit politik në Kosovë, sepse goditi me kurajo banditizmin politik në këtë vend - Bota Sot
Bardhyl Ajeti u bë viktimë e krimit politik në Kosovë, sepse goditi me kurajo banditizmin politik në këtë vend

Politika

Bardhyl Ajeti u bë viktimë e krimit politik në Kosovë, sepse goditi me kurajo banditizmin politik në këtë vend

Nga: D.B Më: 25 qershor 2019 Në ora: 22:51
Bardhyl Ajeti

Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti 14 vite më parë ishte një vrasje e paramenduar, e planifikuar dhe e projektuar me qëllim goditjen e fjalës së lirë në Kosovë.

Kështu ka vlerësuar profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Bytyçe i cili në një prononcim për “ Bota sot” ka thënë se Bardhyl Ajeti bën pjesë në mesin e mbi dhjetë gazetarëve shqiptarë të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

“Gazetari Ajeti, bën pjesë në mesin e mbi dhjetë gazetarëve të vrarë gjatë dhe pas luftës dhe shumica e të cilëve i përkasin vijës së presidentit Rugova, ku mund të veçojmë shefin e agjencisë së lajmeve të Kosovës, Enver Malokun, gazetarin e ‘Bota sot’, shkrimtarin dhe këshilltarin e presidentit Ibrahim Rugova, Xhejmal Mustafa, gazetarin e gazetës kombëtare ‘Bota sot’, Bekim Kastrati etj. Edhe Bardhyl Ajeti ishte gazetar shumë aktiv i kësaj gazete të rëndësishme të shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë. Bardhyl Ajeti u bë viktimë e krimit politik në Kosovë, sepse ai goditi me kurajo banditizmin politik në këtë vend, sepse ai mbrojti me forcën e mendimit të tij gazetaresk e filozofik idetë përparimtare të ndërtimit të institucioneve në Kosovë”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, artikujt e tij, editorialet, komentet dhe opinionet e tij prekën interesat e kriminelëve politikë në Kosovë. Ai ishte bashkëpunëtor i patriotit dhe luftëtarit permanent të luftës në Kosovë, Tahir Zemaj.

Image
Enver Bytyçi

“Ai mbrojti me fanatizëm të vërtetën e luftës e të zhvillimeve të pas luftës. Dhe e vërteta i djeg dhe i përvëlon të pabesët, kriminelët, politikanët e korruptuar dhe hajdutë. Prandaj Bardhyl Ajeti u eliminua prej armiqve të lirisë. Ashtu si të tjerë gazetarë kurajozë e të guximshëm, edhe Bardhyl Ajeti, ishte idealist, luftoi me ndershmëri për të drejtën dhe të vërtetën. Nuk bëri kompromis me keqbërësit në pushtet ose nën hijen e pushtetit në Kosovë. Megjithatë vrasësit e tij ende janë të lirë, ndërkohë që nëna dhe pjesëtarë të familjes së Bardhyl Ajetit rënkojnë nën pikëllim për humbjen e djalit të tyre”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se drejtësia në Kosovë nuk ka bërë asnjë përpjekje për ti zbuluar dhe ndëshkuar vrasësit e gazetarit, Bardhyl Ajeti.

“Pa drejtësi nuk do të ketë kurrë liri të fjalës dhe mendimit në Kosovë. Për pasojë nuk do të ketë as prosperitet dhe ardhmëri të sigurt për qytetarët e Kosovës. Shteti i Kosovës, institucionet e tij, prokuroria e kanë për detyrë të ndriçojnë rastin e të vërtetën për Bardhyl Ajetin dhe gjithë gazetarët e tjerë të vrarë nga dora kriminale në Kosovë. Komuniteti i gazetarëve, shoqëria civile, shoqatat e gazetarëve dhe të te drejtave të njeriut duhet të kërkojnë çdo ditë e të bëjnë presion të vazhdueshëm për gjetjen dhe ndëshkimin jo vetëm të ekzekutuesve, por edhe të skenaristëve dhe regjisorëve e urdhëruesve të këtyre vrasjeve makabre”ka deklaruar profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...