Kritikat e Thaçit ndaj Haradinajt, analisti tregon pse presidenti po vepron kështu

Politika

Kritikat e Thaçit ndaj Haradinajt, analisti tregon pse presidenti po vepron kështu

Nga: G.B Më: 25 qershor 2019 Në ora: 23:49
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Javën e kaluar në Berlin të Gjermanisë u mbajt një takim sekret në mes të palës nga Kosova dhe asaj të Serbisë.

E për një takim të tillë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj.

Por, gjatë ditës së djeshme, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar presidentin Thaçi, derisa i ka thënë se ai është takuar vetë me presidentin serbe fshehurazi dhe nuk mund ta kritikojë askënd.

Image
Leon Duhanaj

“Po më vjen mirë president që ia kanë nisë me të pengu takimet e fshehta në këtë rast të kryeministrit, sepse takime të fshehta ka pasur edhe prej juve me Vuçiqin dhe po më vjen mirë që po të pengon kjo sepse asnjëri nuk ishte dashtë me ia ba (takimet e fshehta)”, ka thënë Ahmeti.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se akuzat e Thaçit ndaj Haradinajt janë përpjekje për ta relativizuar aktivitetin e tij në dëm të Kosovës, duke akuzuar të tjerët për takime të fshehta, derisa shton se sjellja e tij nuk është befasuese, pasi e përdor për të denigrua të tjerët.

“Akuzat e Presidentit Thaçi, në drejtim të Kryeministrit Haradinaj, për mendimin tim nuk janë asgjë tjetër por përpjekje për ta relativizuar aktivitetin e tij në dëm të Kosovës, duke akuzuar të tjerët për kinse takime të fshehta, në dëm të Kosovës. Kjo sjellje e Thaçi, nuk më befason fare, pasi që është metodë e tij për t'i denigruar të tjerët përderisa punët e liga i bën me zell të madh. Ai e promovoi idenë e akademisë serbe për ndarje të Kosovës, duke e maskuar me deklarata si korrigjim kufijsh apo edhe bashkim kombëtar. Thaçi, ketë ide u mundua t'ia atribuojë Presidentit Ibrahim Rugova, duke e promovuar si ide të tij. Kjo e tregon vërtetë se sa perfid dhe i pafytyrë që është”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, Haradinajt mund t’i atribuohet naivitet dhe paaftësi për të bërë politikë, por jo mungesë e vullnetit e aq me pak ndonjë variant i ndonjë aktiviteti të qëllimshëm antikombëtar.

“Kryeministrit Haradinaj, mund t'i atribuohet, ndoshta shumë naivitet, apo dhe paaftësi për të bërë politikë. Por, assesi nuk mund t'i atribuohet mungesë e vullnetit e aq me pak ndonjë variant i ndonjë aktiviteti të qëllimshëm antikombëtar”, ka vlerësuar ai.

Ai thotë se takimi që ndodhi në Berlin është normal, por që disa nga fuqitë e mëdha kanë ndasi serioze rreth qëndrimeve dhe rreth ideve për zgjidhjen e çështjes së konfliktit shqiptaro-serb.

“Takimi i Berlinit, për mendimin tim, është takim krejtësisht normal në suazat e komunikimit apo negocimit diplomatik. Ajo çfarë është shqetësuese, është se me gjasë bota demokratike është e hamendur dhe jounike në çështjet që janë në rëndë e që kërkojnë zgjidhje. Disa nga fuqitë e mëdha kanë ndasi serioze rreth qëndrimeve dhe rreth ideve për zgjidhjen e çështjes së konfliktit shqiptaro-serb gjegjësisht Kosovë- Serbi. Edhe kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së seriozitetit nga ana e politikanëve kosovarë tash e 20 vjet, që nga çlirimi”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat