Gërshetimin e klasikes dhe modernes ua ofron gazeta “Bota sot”

Politika

Gërshetimin e klasikes dhe modernes ua ofron gazeta “Bota sot”

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 26 qershor 2019 Në ora: 18:48
Gazeta "Bota sot"

Të flasësh për të kaluarën, pa dyshim se ndien nostalgji. E të flasësh për evoluimin në mediet e shkruara, në mbarë botën tashmë po thuajse ka mbetur vetëm dëshirë dhe pasion i atyre që janë të dashuruar pas klasikes. Padyshim që ky trend e ka prekur edhe Kosovën e cila sa i përket medies ka evoluar së bashku me mediet tjera.

Evoluimi i medies me ndihmën e teknologjisë në përgjithësi, dhe në të shkruarën në veçanti ka ndikuar në përcaktimin që pëlqejnë lexuesit, deshëm apo jo në mënyra të ndryshme lexuesit do t’i shfaqen informacionet nga interneti.

Si duket shtypit të shkruar kjo prurje e re i ka dhënë “shuplakë”, përballë medies online. Dëgjojmë shpeshherë se e ardhmja e medies tashmë është online, e pse mos të thuhet kur secili qytetar me telefonin e tij, mund të jetë një gazetar në terren, duke e bërë një video, vendin se ku ka ndodhur dhe i duhen sekondat për ta dërguar në një redaksi ose ta shpërndajë në llogarinë e tij. Duke pasur parasysh këtë, gazeta klasike ka mbetur vetëm për lexuesit e pasionuar, sepse shumica e tyre edhe janë mbyllur, fillimisht duke e ulur tirazhin e tyre, pastaj duke kaluar nga gazeta online.

Njeriu është i krijuar të jetë kurioz, njëkohësisht ta shuajë atë kuriozitet shpejt. Teknologjia i ka ofruar këtë lexuesit. Lexuesi nuk ka nevojë të mbetet në pritje për të lexuar të nesërmen se çfarë ka ndodhur sot, por sot, shpeshherë ndodh e lexon sot atë se çfarë do të ndodh nesër.

Edhe diçka tjetër që ofron interneti përveç marrjes së informacionit, të ofron mundësi të shumta argëtimi, libra, miqësi të reja me një fjalë të gjitha me një vend në një ekran në shuplakë të dorës. Ky fakt i stimulon tërinjtë që të jenë pothuajse të “varur” pas tij, dhe gazetat e printuara i lënë në “harresë”.

Një ndër gazetat kryesore në Kosovë “Bota sot” dhe ndër të parat në vend, e cila ishte mjet i vetëm informimi për shqiptarët në vitet e para të saj, sidomos të atyre që jetonin nëdiasporë. Pas shumë sukseseve në startin e saj në vitet e para me një staf profesional dhe me një numër të madh tirazhi për lexuesit e saj, ka kaluar nëpër barrierat e evoluimit të medies së printuar në atë online, edhe pse sfiduese si për të gjitha mediet tjera, kjo gazetë ende i ka mbijetuar kohës “moderne” dhe për lexuesin e saj vjen në dy mënyra, në atë të printuar dhe online.

Në Kosovë disa gazeta tashmë janë shuar në formën e shtypur dhe kanë kaluar në atë online e disa janë mbyllur në të dy format.

Vlen të theksohet se kriza ekonomike është e pashmangshme të mos ceket, duke pasur parasysh se ekonomia në Kosovë është e nivelit më të ulët ka ndikuar edhe ne mediet e shkruara.

Ndryshe, për përballjen e “klasikes dhe modernes” vlen të ceken disa pika kyçe: shtypi i shkruar e ka veçantin e tij, gazeta të jep kënaqësi kur e shfleton dhe e lexon dhe kjo duhet të ruhet me fanatizëm, e natyrisht këtë e bënë gazeta Kombëtare “Bota sot” tash e 24 vite, duke mos e lënë anash as platformën online. Kjo formë i ka të mirat e saj dhe se kjo platformë online i ka avantazhet e saj, si shpejtësinë e informacionit dhe e pakufizuar në kohë.

Dhe, duhet të thuhet se mediet online kanë epërsi dhe nuk diskutohet në informimin e opinionit krahas medieve të printuara.
Kjo gazetë ka ecur me kohën dhe si në startin e saj me tirazhin më të madh të shitur të asaj kohe, ajo sot në platformën online është njëra ndër portalet më të klikuara.

Siç përmendet edhe më lartë, tashmë lexuesi s’ka nevojë t’i ripërsërisë lajmet e ditës së sotme të nesërmen në gazetë dhe këtë ua ofron media online. Dhe, duke mos harruar se qasja në një lajm në medie online ka një epërsi tjetër: Gjatë leximit të një lajmi, lexuesit përveç tekstit i ofrohen pamje dhe ilustrime vizuale dhe shpërndarja e këtyre lajmeve bëhet me shpejtësi të madhe, dhe kjo nuk i mungon gazetës “Bota sot”.

Para 24 viteve, “Bota sot” nis rrugëtimin e saj në një qytet evropian të një shteti me kulturë, traditë dhe me zhvillim të madh ekonomik, në Cyrih të Zvicrës. Ky qytet bëri një vend edhe për gazetën kombëtare “Bota sot”, me editor XhevdetMazrekaj. Atë kohë gazeta ishte dritare informimi për shqiptarët në diasporë dhe e cila vazhdon me punën e palodhshme tash e 24 vite dhe me jetëgjatësinë më të madhe deri më sot.

Atë kohë gazetat e shkruara ishin pjesë e shumicës së familjeve shqiptare në diasporë dhe në trojet mbarë kombëtare, kjo dukuri ishte edhe globale me kalimin e viteve përveç sfidave të mëdha që ka tejkaluar kjo gazetë me shumë sukses e kaloi edhe evoluimin e medies klasike në atë moderne ose online.

Gazeta “Bota sot” vazhdon të shtypet edhe sot në letrën e bardhë e me shumë informacione nga stafi i saj së bashku me bashkëpunëtorë të palodhshëm që i qëndruan besnikë.

Kjo gazetë ka formatin e saj në platformën online cila ka një lexueshmëri shumë të madhe mbarëkombëtare dhe në diasporë. Vazhdon me krenari ta mbajë të informuar publikun shqiptar dhe lexuesit e saj kudo që janë edhe në Amerikën e largët, ku edhe ka bashkëpunëtorët e saj.

Image
Gazeta “Bota Sot”, në formën e shtypur

Vullneti i pathyeshëm e bënë këtë gazetë të mbijetojë  dhe të qëndrojë në këmbë edhe në këtë periudhë të vështirë.

Gazetarinë në Kosovë duhet ta kesh pasion për të vazhduar ta kesh si profesion të parë, përndryshe nuk jeton, por, mbijeton me të.

Unë e kam të dytën, e kam pasion, më bëhet qejfi kur dëgjoj lexues të moshës së mesme se si çdo ditë nuk mund të rrinë pa e blerë gazetën bile edhe thonë se tashmë është shprehi si duhangjiu që e pinë cigaren, ashtu lexuesit e gazetës kombëtare ”Bota sot” janë të varur nga shkronjat e gazetarëve të kësaj gazete.

Vullneti shtohet edhe më shumë që të vazhdojë këtë profesion dhe të mundohem që lexuesit t’i ofrojmë më të mirën, në gazetën e pandashme për tash e 24 vjet.

Të kaluarën e “Bota sot” e di vetëm në një formë, ndër gazetat më të shitura në startin e saj, dhe tashmë në platformën online ndër më të klikuarat.

Gazetarët dhe bashkëpunëtorët e kësaj gazete e japin maksimumin për këtë gazetë, tashmë në dy platforma.

Kjo gazetë ka lënë gjurmë përgjatë këtij rrugëtimi, përveç se kishte një staf të madh dhe profesional, gazeta “Bota sot”, i nderonte bashkëpunëtorët dhe figurat më të ndritura të Kombit Shqiptar me çmimin “Skënderbe” për personalitete që lanë gjurmë në historinë tonë kombëtare.
Ku janë nderuar figura të shquara të kulturës, artit e shkencës si më meritorët për promovimin e identitet tonë kombëtarë nëpër botë.
Po pra, sukseset vazhdojnë, “Bota sot”  arrin mbi 1 milion klikime vetëm brenda një dite.

Gazeta kombëtare “Bota sot”, po vazhdon të dëshmojë se është ndër mediet e para në raportimin e lajmeve profesionale, të sakta dhe të paanshme.

Në vazhdën e sukseseve, janë edhe klikimet në faqen online të kësaj gazete.

Image
Statistikat

Andaj, sot bota e ka krijuar një imazh vetëm përmes medieve. Tashmë, siç e cekem edhe më lart mund të ndiesh vetëm nostalgji për mediet e shkruara, në mbarë botën. Media është transferuar në medie online, është e pa përshkruar të mbash gazetën në duar, dhe është fat dhe një punë e palodhshme të mbijetojë ajo, e sidomos në një vend siç është Kosova, një shtet i ri me pak vite pavarësi, duke i parë mangësitë e saj.

Në kohët që jetojmë gazeta bëhet nga pak edhe ekran televiziv. Dhe ekrani televiziv nuk i shpëton dot krejtësisht logjikës së gazetës sepse figura duhet të shpjegohet gjithsesi më fjalë.

Gazeta “Bota sot” ka bërë një sondazh online, po ashtu edhe një anketë me qytetarët se ku e shfletojnë këtë gazetë më shumë, në gazetën tradicionale apo në platformën online.

Sipas anketës të bërë me qytetarët del se gazeta lexohet më shumë në platformën online edhe pse ka qytetarë që gazetën e kanë në çdo mëngjes të shoqëruar me kafe.

Lexuesja e rregullt e kësaj gazete, S.K (e cila ka dashur të mbes anonime), e cila njëherazi është edhe studente në Universitetin e Prishtinës, në këtë anketë tha se njeh mjaft mirë punën e kësaj gazete, ngase sipas saj, e njëjta gazetë kishte kaluar çdo ditë në duart[ e babait të saj, që është një pasionant i leximit.

“Shpeshherë koha po na imponon që të kemi qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në platformën online, por nuk e mohoj se edhe e blej gazetën “Bota sot” në dyqanet e kryeqytetit”, përfundoi ajo.
Ndërsa, një numër i madh i të anketuarve, që i takojnë moshës së mesme, kanë pohuar se preferojnë ta lexojnë atë në formën e shtypur.

Në anën tjetër, në bazë të një sondazhi të bërë në faqën zyrtare të kësaj gazete ka dalë që mënyra më e mirë për të shfletuar gazetën është platforma online.

Si përfundim tashmë media tradicionale i ngjanë një bashkëbiseduesi që nuk të lë të flas, pra opinioni është vetëm lexues, ndërsa në medie online kjo tashmë është shndërruar në bashkëbisedim. Përdorimi i medies tradicionale është e preferueshme më shumë për moshën e mesme, dhe të pasionuarve pas leximit klasik, ndërsa mediaonline është bërë e pandashme për shumicën e qytetarëve që shfletojnë lajme ditore, qoftë politike, sociale, ekonomike apo kulturore. Në ditët e sotme brezat e ndryshëm po marrin informacione në forma të ndryshme.
Përballë sfidave të kësaj gazete, stafi i saj vazhdon ta bëjë një punë të palodhshme dhe profesionale. Energjia e gazetarëve të rinj e mban lexuesin të lidhur në platformën online dhe atë të shtypur.

Leximi është ilaçi më i mirë i trurit, andaj, mbajeni afër vetes gazetën “Bota sot”, për informim, besueshmëri dhe si shoqëruesin më të mirë të mëngjesit tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat