Përfundon aventura e Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt, edhe një hap drejt zgjedhjeve të parakohshme

Politika

Përfundon aventura e Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt, edhe një hap drejt zgjedhjeve të parakohshme

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 28 qershor 2019 Në ora: 07:59
Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj

Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues të enjten nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, shkruan ‘’Bota sot’’.

Në një komunikatë për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”.

Vendimi

Gjykata ka konstatuar se “si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse, siç thuhet, i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim.

Reagimi i Ahmetit

Ndërkohë, në një reagim publik në rrjetin social në Facebook, një nga Kryesuesit e Grupit Negociator - shpallur tashmë e jashtëligjshme – Shpend Ahmeti, ka thënë se partia së cilës i përket, e pranon vendimin e Gjykatës dhe se do të veprojë sipas saj.

“Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenëse ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurrfarë rëndësie ligjore”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti, pohoi se Partia Socialdemokrate, vitin e kaluar ka marr iniciativën për të kthyer procesin e vendimmarrjes në lidhje me dialogun me Serbinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai, shtoi se në një republikë parlamentare, dhe për një interes shtetëror e konsideronin të domosdoshme që procesi të ndërtohet me një unifikim të partive politike për të harmonizuar qëndrimet dhe për të mbrojtur interesat e shtetit në një proces përfundimtar të dialogut Kosovë – Serbi.

Përveç tjerash, Ahmeti, theksoi se kërkesa e tyre ishte që të hiqet monopoli i presidentit Thaçi mbi dialogun dhe vendimmarrja të shpërndahej në institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

Fatkeqësisht, sipas Ahmetit, tentimi i tyre për të ia dhënë kompentencat dhe fuqinë vendimmarrëse Kuvendit e sfiduan dy partitë tjera opozitare LDK dhe VV.

Përtej kësaj, Ahmeti, premtoi se që nga ditën e premte, partia e tij, do t’i dorëyojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend.

Selmanaj: Qeveria nuk meriton të vazhdojë punën

Image
Driton Selmanaj

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar deputetin e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Driton Selmanajn, i cili ka thënë se në vazhdimësi e kanë kontestuar Grupin Negociator të përbërë nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Sipas tij, grupi i ashtuquajtur grup negociator nuk ka qenë gjë tjetër përveçse – siç shprehet ai – një grup aventurierësh që s’kishte të bënte asgjë me shtetin.

“Kjo qeveri nuk e ka kapacitete për asgjë. Madje as të krijoj një grup negociator të thuktë që bën punën mirë. Neve ne e kemi kontestuar në tërësi dhe në vazhdimësi si grupin negociator po ashtu edhe mënyrën se si janë zhvilluar bisedimet.’’, tha ai.

Ndryshe, sipas Selmanajt, është e padiskutueshme përgjegjshmëria e Qeverisë Haradinaj në situatë dhe për shkak të kësaj, qeveria Haradinaj s’e meriton as edhe një ditë të jetë në funksion.

“I ashtuquajturi delegacioni shtetëror për neve ka qenë delegacioni turistik sepse s’kanë pas të bëjnë asgjë me shtetëror. Fati i mirë është që Gjykata Kushtetuese e ka konfirmu shkeljet kushtetuese. Ky delegacion ka qenë asgjë tjetër përveç se një grup aventurierësh. Qeveria si e tillë ka përgjegjësinë e saj dhe për shkak të kësaj kjo qeveri s’e meriton që as edhe një ditë të jetë në qeverisje.’’, tha ai.

Zogiani: Kushtetuesja ka konfirmuar pothuajse të gjitha pretendimet e VV-së gjatë tërë këtij procesi

Image
Avni Zogiani

Avni Zogiani, nga Lëvizja Vetëvendosje, për ‘’Bota sot’’, tha se kundërshtarët e kësaj forme të dialogut dhe sidomos Vetëvendosje ka thënë vazhdimish se ky proces po ecën gabim, edhe atë qëllimshëm gabim për shkak se është duke u përdorur si proces për promovime të ngushta e jo si proces që përfaqëson shtetin e shoqërinë kosovare.

“Vetëvendosje ka provuar që ta ndalë këtë formë dialogu para se të kalonin këto ligje, por është injoruar nga pushteti dhe PSD. Prandaj Vetëvendosje, ka vendosur të shkruaj një rast për Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar përkrahjen e LDK-së për t’i siguruar nënshkrimet. Kushtetuesja thjesht ka konfirmuar pothuajse të gjitha pretendimet e VV-së gjatë tërë këtij procesi”, potencoi Zogiani.

Abdixhiku: Dialogu s’mund të kontraktohet

Reagim për vendim e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, pati edhe nga deputeti tjetër i LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Ai, nëpërmjet një reagimi publik, ka thënë se gjashtë muaj më parë, Ekipi Negociator i ishte kushtëzuar me votimin e buxhetit. Votimi i buxhetit i siguronte jetë Qeverisë PAN.

“Mosvotimi i tij nënkuptonte fund të skenës më të rëndë politike në vend. Buxheti ishte votuar. Në këmbim ishte ndërtuar një ekip me dhjetë burra e ca, që thonin se përfaqësonin Kosovën. Të dhjetë burrat bashkë s’përfaqësonin as 5-6% qytetarë. Kjo për ta kishte pak rëndësi”, tha ai.

Por, gjashtë muaj më pas - me inicitativë të përbashkët LDK dhe VV - siç dhe pritej nga secili me minimalisht dije për shtet, Ekipi Negociator u shpall kundërkushtetues, tha Adixhiku.

Sipas tij, dialogu s’mund të kontraktohet.

“Dialogu s’mund të delegohet. Dialogu s’mund të udhëhiqet nga askush tjetër veçse nga Qeveria. Shteti s’është punë axhamizmi politik. Punët e shtetit megjithatë kanë një rend. Ekipi u zhbë. Me të dhe ekipet me nipër, dajë e akraba. Jokushtetues të gjithë. Por Kosovës i mbetet ende Qeveria PAN. Kjo njollë kapjeje do të harrojej tashmë po të mos votohej buxheti gjashtë muaj më parë. Sot Kosova do të kishte një Qeveri të re që s’fshihet rrugicave të Evropës në takim me Serbinë, por që e ballafaqon atë mençur e botërisht’’, shtoi ai.

Halitaj: Krijimi i këtij Ekipi ishte gabim kardinal i Qeverisë Haradinaj

Një reagim tjetër për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pati edhe nga njohësi i rrethanave politike, Agron Halitaj, i cili u shpreh se s’ka moral në këtë kastë politike, sepse po të kishte sado pak, Qeveria do të binte që sot.

Me t’u bërë publik vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese se Ekipi Negociator është i jashtëligjshëm do duhej të thirrej seancë e jashtëzakonshme për shpërbërjen e kësaj legjislature.

“Krijimi i këtij Ekipi ishte gabim kardinal i Qeverisë Haradinaj, pasi për tendencë nuk e kishte dialogun, sa e kishte sigurimin e mbijetesës me votat e PSD-së, grupacionit parlamentar "opozitar" që pësoi goditje të dyfishtë brenda dy ditësh, duke i humbur edhe shpresat për të përfituar nga Fondi për partitë politike’’, tha ai.

Halitaj, theksoi se me kushtëzime antiligjore e antikushtetuese nuk mbahen institucionet qendrore të shtetit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat