Kosova nuk kërcënohet vetëm nga presidenti, prej sot edhe nga Gjykata Kushtetuese!

Politika

Kosova nuk kërcënohet vetëm nga presidenti, prej sot edhe nga Gjykata Kushtetuese!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më 28 qershor 2019 Në ora: 10:35
Hashim Thaçi

Të enjten gjykata kushtetuese e Kosovës ka zhvleftësuar vendimin e parlamentit të Kosovës për të rideminsionuar delegacionin e Kosovës në negociatat me Serbinë dhe ka mënjanuar nga kjo detyrë Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn.

Në gjykimin tim ky ishte një lajm i keq për Kosovën. Ishte dhe është një kambanë alarmi për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët. Jo pse nuk u lejuan Shpendi e Fatmiri në ushtrimin e detyrës së ngarkuar. Ata edhe pse qenë aty, nuk patën forcë për ta ndryshuar situatën e dialogut me Beogradin.

Por ky vendim i gjykatës kushtetuese të Kosovës është i rrezikshëm, sepse ka prapavijë politike. Gjykata kushtetuese provoi në këtë rast se është instrument i Hashim Thaçit dhe jo instrument i drejtësisë. Ajo më së paku ka të drejtën të gjykojë një rezolute të Kuvendit dhe ta mënjanojë atë nga funksioni i saj për politikën e jashtme të shtetit. Kjo sepse Kosova është republikë parlamentare dhe si e tillë në politikën e jashtme dhe të gjitha politikat e zhvillimit rolin kryesor e ka parlamenti dhe qeveria.

Vendimi i gjykatës kushtetuese e kthen vendimmarrjen për zhvillimin e negociatave te Hashim Thaçi. Por nuk e transferoi këtë të drejtë te paraardhësja e Thaçit, zonja Jahjaga, kur Thaçi ishte kryeministër. Kjo do të thotë se ku është Hashim Thaçi është dhe gjykata kushtetuese e Kosovës. Çfarë do e çfarë thotë Thaçi bën gjykata. Nëse Thaçi do të ishte kryeministër dhe parlamenti do ia ngarkonte barrën e negocimit presidentit, atëherë gjykata do ia hiqte këtë të drejtë presidentit. Meqë Thaçi është president, atëherë e drejta për t’u marrë me Vuçiqin i jepet presidentit.

Ndërhyrja e presidentit të vendit në çështjet e drejtësisë është pengesa kryesore e përparimit dhe zhvillimit demokratik të Kosovës.  Por vendimi i sotëm i gjykatës kushtetuese të Kosovës ka dhe një parapavijë tjetër. Kjo gjykatë duket se është shndërruar në një instrument të Beogradit për të mbështetur vendimmarrjen për ndarjen e Kosovës. Në fakt ky është dhe duhet të jetë alarmi më i madh për të gjitha institucionet, për politikën në mazhorancë dhe në opozitë, për qytetarët e vendit. Tashmë Kosova nuk kërcënohet vetëm nga Vuqiç ose nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi, Kosova kërcënohet gjithashtu nga institucioni më autoritar për drejtësi e ligj, nga vetë gjykata kushtetuese e vendit.

Imagjinoni sikur Hashim Thaçi ta nënshkruajë në fshehtësi më presidentin e Serbisë marrëveshjen e ndarjes së territorit të vendit! Me këtë gjykatë të Hashimit, kjo marrëveshje ratifikohet vetëm me firmën e presidentit. Gjykata kushtetuese e Kosovës ka marrë shumë vendime me urdhër të Thaçit. Madje ka shkarkuar presidentë, thjesht për të plotësuar apetitet e Hashimit.

Tani ajo ka shumë mundësi që në vend të mbrojë kushtetutën, t’i hapë rrugë cenimit të integritetit territorial të vendit, pavarësisht se neni 2, pika 2 e kushtetutës ndalon cilindo shtetar e politikan të flasë dhe të veprojë kundër këtij integriteti territorial. Kjo gjykatë sot cenoi karakterin parlamentar të Republikës, i dha fund parlamentarizmit, duke i dhënë asaj, në kundërshtim me kushtetutën karakter presidencial ose semi presidenacial.

Nëse ajo sot shkeli një parim themelor kushtetues, askush nuk garanton se nesër nuk do të shkelë një parim tjetër kushtetues, atë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Nga lindja e shtetit e deri më sot, qeverisjet kanë patur detyrë të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit, të zhvillojnë ekonominë e mirëqenien në interes të qytetarëve, të investojnë e kujdeset për kulturën, arsimin e shkencën dhe të zhvillojnë një diplomaci në interes të kombit e të shtetit. Hashim Thaçi i ka shkallmuar këto funksione kushtetuese. Prandaj ai sot ishte euforik në deklaratën e tij sa i përket vendimit të gjykatës kushtetuese. Madje u shfaq si trumfator dhe dukej sikur kundërshtarëve të ndryshimit të kufijve të Kosovës u thoshte- ‘Prisni se ende kam fuqi dhe energji për ta realizuar projektin e Serbisë së Madhe, përmes ndarjes së Kosovës’! Madje kërkoi sërishmi që kundërshtarët e tij të ulin armët dhe të bashkëpunojnë me presidentin ati-Kosovë për ndryshimin e hartës politike të saj.

‘Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë. Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë. Kosova, shtet i pavarur dhe i integruar në BE, NATO dhe OKB, në paqe dhe me fqinjësi të mirë, është obligim i ynë për gjeneratat e reja, të cilat nuk duhet të rriten me urrejtje ndëretnike dhe me ngarkesa çfarë kemi pasur ne’. Kjo deklaratë duhet të lexohet edhe si kërcënim direkt i presidentit të Kosovës për Kosovën vetë dhe ata që kundërshtojnë idenë e Beogradit për ndarjen e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat