Zbulohen të tjera detaje sekrete për Haklajn, Thaçin e Haradinajn: Këta ishin personat që organizuan çarmatimin e ushtarëve të Tahir Zemajt

Politika

Zbulohen të tjera detaje sekrete për Haklajn, Thaçin e Haradinajn: Këta ishin personat që organizuan çarmatimin e ushtarëve të Tahir Zemajt

Nga: N.H Më: 29 qershor 2019 Në ora: 19:35
Tahir Zemaj, Fatmir Haklaj, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Rrethanat se si 20 vite më parë erdhi deri te ndalimi i ushtarëve të FARK-ut, e që si rrjedhojë e saj ndodhi edhe çarmatimi i njësisë ushtarake “Mërgimi”, e cila drejtohej nga Kolonel Tahir Zemaj, edhe me tej vazhdon të mbetet një enigmë e pazbardhur.

E lidhur me këtë ngjarje, për gazetën “Bota sot”, ka folur Naim Miftari, ish-ushtar i UÇK-së dhe agjent i SHIK-ut.

Ai në një përgjigje të tijën, në detaje ka shpjeguar gjithë ngjarjen e zhvilluar në Tropojë, gjatë vitit 1999.

““Brigada “Mërgimi” ishte e vendosur në bazën kryesore të FARK-ut, pranë Mamurrasit. Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Qeveria Nano e akuzuan kryeministrin Bukoshi dhe drejtuesit e FARK-ut, se një pjesë të trupave që i kishin në Shqipëri, i përdorën gjatë trazirave të 14 shtatorit 1998 për të rrëzuar qeverinë e majtë dhe për të kthyer sërish në pushtet ish-presidentin Berisha. Duke qenë se trupat e FARK-ut dhe kryesisht brigada “Mërgimi”, shiheshin si kundërshtarë të UÇK-së që drejtohej nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, prandaj pas luftës kur në Kosovë hyri NATO, kthimi i brigadës “Mërgimi”, më datë 19 qershor 1999, kur forcat speciale të policisë shqiptare shkuan në Mamurras dhe kërkuan nga drejtuesit e Brigadës “Mërgimi” që të largoheshin drejt Kosovës, duke lënë aty të gjitha armatimet e rënda, si raketat tokë-tokë dhe tokë-ajër, armë të artilerisë etj”, ka thënë ai, për gazetën “Bota sot”.

Mes tjerash, Miftari tregon se përpara se brigada të merrte rrugën e kthimit drejt Kosovës, më 20 qershor 1999, Tahir Zemaj kishte marrë informacione se do të ndalej brigada “Mërgimi”.

“Ish-komandanti i kësaj brigade, Koloneli i vrarë Tahir Zemaj në kujtimet e tij kishte shkruar se, “Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të palës serbe dhe forcave të NATO-s, brigada “Mërgimi” u nis për në Kosovë. Me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Luan Hajdaraga dhe me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes ramë dakord që një pjesë të armatimit t’ia linim në dispozicion Ushtrisë Shqiptare për çka, edhe ashtu u veprua, kurse pjesën tjetër kryesisht armët e lehta, t’i merrnim me vete”. Policia dhe Ushtria shqiptare bënë një marrëveshje me drejtuesit e FARK-ut që të shoqëronin me mjetet e tyre autokolonën e brigadës “Mërgimi” deri në kufi. Përpara se brigada të merrte rrugën e kthimit drejt Kosovës, më 20 qershor 1999, Tahir Zemaj kishte marrë informacione se do të ndalej brigada “Mërgimi”, prandaj me disa oficerë tjerë kishte shkuar-ikur në drejtim te Maqedonisë”, ka thënë mes tjerash Miftari.

Sipas Miftarit, është e pa qartë dhe shumë enigmatike pse Zemaj i kishte lënë vetëm ushtarët e vet.

“Është e pa qartë dhe shumë enigmatike pse Zemaj i kishte lënë vetëm ushtarët e vet në fat të tyre. A ishte urdhëruar ky devijim i Tahir Zemajt, pra rrugëtimi i tij përmes Shkupit nga vet Bujar Bukoshi, kjo nuk është sqaruar kurrë. Si epror zëvendësues i Zemajt ishte caktuar Fazli Rugova, ai së bashku me brigadën “Mërgimi”, ishin përcjell deri në Qafën të Malit nga policia shqiptare edhe pse marrëveshja ishte “Mërgimi” duhet të përcillej deri në kufirin me Kosovën. Në Qafë Mali, brigada e FARK-ut u orientua çuditshëm të hynte në Kosovë, jo nga Kukësi, por nëpërmjet Tropojës. Pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër një rrugë tepër të vështirë, autokolona e brigadës “Mërgimi” u ndal në hyrje të qytetit Bajram Currit, pranë varrezave u ndaluan nga komandanti i grupeve të gatshme të Tropojës, Fatmir Haklaj, Shefi i Rendit Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, ku brigadës “Mërgimi” iu ka kërkuar të çarmatosen nga armët e rënda pasi kushte përfunduar lufta dhe se ata pastaj duhen të ktheheshin pas. Në të kundërt, do të kishin pasoja të mëdha. Brigada “Mërgimi” qëndroi për orë të tëra e bllokuar në hyrje të Bajram Currit”, tregon ai.

Miftari shpjegon se udhëheqësit e FARK-ut dhe qeverisë Bukoshi tentuan të negocionin me autoritetet shtetërore në Tiranë, por askush nuk merrte përsipër të urdhëronte Fatmir Haklajn që t’i lironte trupat e FARK-ut.

“Drejtuesit e FARK-ut dhe qeverisë Bukoshi tentuan të negocionin me autoritetet shtetërore në Tiranë, por askush nuk merrte përsipër të urdhëronte Fatmir Haklajn të lejonte kalimin drejt Kosovës. Ai deklaroi se nuk e njihte marrëveshjen e bërë mes drejtuesve të FARK-ut dhe qeverisë shqiptare dhe se nuk merrte urdhra nga Tirana. Haklaj i cilësonte trupat e Tahir Zemajt si tradhtarë të Kosovës dhe deklaroi se nuk do të lejonte që 250 trupa të armatosura të kalonin nëpërmjet Tropojës për t’u dalë pas shpine trupave të UÇK-së që kishin derdhur gjak për çlirimin e Kosovës”, shpjegon Naim Miftari.

Ai thekson se as mesazhet e Tiranës nuk ia kthyen mendjen Haklajave.

Image
Naim Miftari

“Kontaktet nga Tirana nuk ia kthyen mendjen Haklajt, i cili këmbëngulte se çlirimtarët e Kosovës ishin trupat e UÇK-së dhe jo të FARK-ut.! Prandaj brigada “Mërgimi” nuk u lejua të hynte në Kosovë nga Tropoja, qëllimi ishte çarmatimi i tyre të mos hynin në Kosovë si çlirimtarë, por si një njësi e çarmatosur. Pastaj Tahir Zemaj dhe qeveria e Bukoshit e akuzuan Policinë dhe Ushtrinë Shqiptare se i kishin prerë në besë për të favorizuar UÇK-në. Sipas tyre, autokolona e brigadës “Mërgimi” ishte lënë qëllimisht e pashoqëruar në Qafë Mali, dhe ishte orientuar të hynte në Kosovë jo nëpërmjet Kukësit, por nga Tropoja në mënyrë që të ndalej dhe çarmatosej nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e armatosur që drejtoheshin prej tij”, thekson ai.

Ish-ushtari i UÇK-së me tej kujton se 6 pjesëtarë të brigadës “Mërgimi” ishin rrëmbyer dhe ishin gjet të vrarë në afërsi të Pejës.

“Nuk është sqaruar kurrë nëse Fatmir Haklaj e kreu këtë veprim me kokë të vetë apo kishte ndonjë orientim të posaçëm nga Tirana. Fakt është se pas këtij veprimi, 6 pjesëtarë të brigadës “Mërgimi” u rrëmbyen dhe u gjetën të vrarë në afërsi të Pejës. Hetimi për këtë ngjarje përfundoi në gjykatën e Hagës dhe të dyshuar kryesorë ishin Ramush Haradinaj dhe trupat e UÇK-së të drejtuara prej tij. Duke e njohur vet personalisht Haklajn i cili ishte mik i ngushtë i Ilir Konushevcit dhe i cili ishte i vetmi që kishte bërë diqka të zbulohej vrasësi e Ilir Konushevcit, për të cilin mori hakun pas vrasjes së tij, pra Fatmir Haklaj bashkëpunonte shumë ngushtë me disa komandantë të UÇK-së, të cilët i gjatë luftës në Kosovë i ndihmonte sidomos i furnizonte dhe iu shiste armë UÇK-së, pastaj iu ndihmonte me logjistik, duke përdorur edhe policinë e Tropojës ku ishte ai që vendoste pika në çdo gjë” është shprehur ish-ushtari i UÇK-së.

Tutje, Miftari rrëfen se pra Fatmir Haklaj ishte mashtruar me informacione të pavërteta nga disa komandantë të UÇK-së.

“Duke e njohur mirë Fatmir Haklen i cili ishte një rebel-bandit në vete, por në tjetrën anë ishte një atdhetar i madh i çështjes kombëtare dha ndihma të mëdha ndaj UÇK-së. Nga ana e tij kjo ka qenë e madhe, sa i përket çarmatosjes së brigadës “Mërgimi”, Fatmir Haklaj i kishin shkuar informacione nga disa komandantë të UÇK-së, të Hashim Thaçit, se brigada “Mërgimi” po shkonte në Kosovë ta luftonte me ato armë UÇK-në dhe se do të tentonte që ta merrte qeverinë ku kryeministër do të vendosej Bujar Bukoshi, pra Fatmir Haklaj ishte mashtruar me informacione të rreme dhe pasi tani nuk jetojnë as Fatmir Haklaj as Tahir Zemaj, të dytë vrarë, të vetmit që munden me sqaruar këtë prit, apo këtë akt tradhtie janë Bujar Bukoshi, dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë edhe gjatë luftës Hashim Thaçi”, ka rrëfyer ai.

Sipas Miftarit, skenaristët kryesor të kësaj ngjarje kanë qenë Thaçi-Bukoshi.

“Dhe çështjet që duhet të sqarohet është se pse u la brigada “Mërgimi” vetëm e pa përcjellje nën mëshirë të tjerave, pse Bukoshi hesht edhe sot kush e detyroi, e urdhëroi Tahir Zemajn t’i ikte asaj rrugës? A kishte informacion Zemaj se po përgatitej atentat ndaj tij në at rrugë. Në këtë çështje ka shumë konspiracione dhe tradhtia pas shpinës, por ku rolin kryesor e kanë pasur skenaristët Thaçi-Bukoshi që atëherë ishin bashkë, tani janë bashkë, por që atëherë gjatë luftës dhe pasluftës luajtshin pingpong, lojëra të ndyra politike ushtarake, financiare si me UÇK-në po ashtu luanin me FARK-un. Interesant se në atë kohë 1999 tani kryetari i LDK-së Isa Mustafa ishte ministër i financave, dora e djathtë e Bujar Bukoshit dhe duke ditur se kush e ka zgjedhur kryetar të Kosovës pas shumë vjetësh Hashim Thaçin, mendoj se tradhtia e konspiracionet që iu janë bërë atëherë luftës së vërtet të UÇK-së, dhe të FARK-ut mendoj se ato ndodhin dhe vazhdojnë edhe tani, por tani të modifikuara si çështje politike e shtet-formuese”, shtoi Miftari.

Krejt në fund, Naim Miftari ka nënvizuar se Zemaj e Haklaj ishin të tradhtuar dhe viktima të shërbimeve të ndryshme sekrete.

“Mendoj dhe jam shumë i bindur se si brigada “Mërgimi”, dhe si vet UÇK-ja, si Tahir Zemaj, si Fatmir Haklaj, të gjithë këta ishin të tradhtuar, pra, ishin viktima të mashtrimeve, konspiracionëve të shërbimeve të ndryshme sekrete, shërbime këto armiqësore ndaj zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan”, ka përfunduar Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat