Profesori ndërkombëtar: Klanet kriminale janë shtrirë në shumë segmente të politikës

Politika

Profesori ndërkombëtar: Klanet kriminale janë shtrirë në shumë segmente të politikës

Nga: A.M Më: 3 korrik 2019 Në ora: 23:04
Foto ilustrim "Bota sot"

Haradinaj në një takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kanë nënshkruar një letër të qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal.

Me anë të kësaj marrëveshje Kosova ka marrë përkrahjen franceze për lëvizje të lirë.

Kryeministri me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë. Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO”.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori, Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Ramush Hardinaj me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner.

Ai beson se Franca kërkon më shumë garanci për të dhënë vendimin e saj për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe se kryeministri Haradinaj është i detyruar që detyruar t’i nënshtrohet kërkesave të Francës.

Image
Enver Bytyçi

“Nënshkrimi i marrëveshjes për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe migrimit me Republikën Franceze është një akt me rëndësi për rrugën e integrimit të Kosovës e dhe i ndihmon edhe shtetformimit dhe konsolidimit të institucioneve të vendit. Ndërsa aftësia për të implementuar një marrëveshje të tillë është diçka relative, e kushtëzuar, aftësi të cilat Haradinaj duhet t'i ketë marrë parasysh në momentin e nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Ndërkaq unë besoj se Franca kërkon më shumë garanci për të dhënë vendimin e saj për liberalizimin e vizave me Kosovën, me qëllim që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen. Duke punuar për këtë qëllim, kryeministri I Kosovës është i detyruar t’i nënshtrohet kërkesave të Francës. Nëse Gjermania dhe Franca shprehen pro liberalizimit të vizave, atëherë vendimi thuajse është I sigurt”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori paralajmëron se nëse qeveria nuk do të angazhohet për realizimin e kërkesave të nënshkruara në marrëveshje, mund të mos të ketë liberalizim të vizave.

“Por nëse qeveria e Haradinaj nuk angazhohet për realizimin e kërkesave të nënshkruara në marrëveshje, atëherë nuk do të ketë as liberalizim të vizave. Unë shoh këtu jo pak vështirësi. Administrata publike e Kosovës nuk është e aftë të implementojë dhe realizojë politikat e luftës kundër terrorizmit. Policia ka dëshmuar aftësi në menaxhimin e shumë situatave, por i ka duart e lidhura sa i përket luftës kundër krimit të organizuar ekonomik. Ndërkaq, drejtësia sidomos prokuroria, janë instrumente në duart e presidentit të Kosovës dhe as gjykata as prokurorët nuk veprojnë pa urdhrin politik të presidentit”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Ai nuk beson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të pranonte një sukses të Haradinaj sa i përket me liberalizimin e vizave dhe se kryeministri mund të ketë të vështir të vepronte me sukses kundër klaneve kriminale të shtrira në shumë segmente të politikës .

“Nuk besoj se Hashim Thaçi do ta pranonte një sukses të tillë të Ramsh Haradinajt, lidhur me liberalizimin e vizave. Dyshoj shumë se ai jep mbështetjen e tij reale për këtë aksion politik të qeverisë. Ndërkaq klanet kriminale janë shtrirë në shumë segmente të politikës, sidomos asaj në pushtet. Përveçse klanit PRONTO, ka edhe eksponentë të AAK-së dhe Nismas të implikuar në vepra kriminale ekonomike. A është i aftë Ramush Haradinaj t’i ndëshkojë këto grupe të fuqishme politike. Edhe nëse nuk do t’i mungonte vullneti, do ta kishte të vështirë të vepronte me sukses. Është tjetër punë lufta kundër terrorizmit. Në këtë aspekt interesi nuk është vetëm evropian, por edhe amerikan. Ndërkaq, në çështjet e terrorizmit nuk besoj se ka implikime politike. Ndaj kjo luftë është me e lehtë, thjesht kërkon strategji të qartë dhe veprim aktiv, si dhe fonde të caktuara për këtë”, ka deklaruar profesori Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat