Kosova Lindore mes bashkëngjitjes me Kosovën ose ndihmës nga ajo

Politika

Kosova Lindore mes bashkëngjitjes me Kosovën ose ndihmës nga ajo

Kushtrim MALIQI Nga Kushtrim MALIQI Më 4 korrik 2019 Në ora: 11:25
Qyteti i Preshevës

Që nga paslufta, kur Kosova brenda territorit të saj e fitoi lirinë, qytetarët e Kosovës Lindore, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në asnjë moment nuk kanë reshtur se tentuari për të gjetur një mënyrë që të afrohen me bërthamën e saj, Republikën e Kosovës.

Këtë e kanë dëshmuar edhe me anë të luftës, të cilën qytetarët e Kosovës Lindore e kanë zhvilluar nën emblemën e UÇPMB-së, ku dhe si dëshmorë të kombit kanë rënë djemtë më të mirë të këtyre trevave.

Veprimet e klasës politike shqiptare me qëllim të përmirësimit të gjendjes së qytetarëve të këtyre trevave nuk janë ndalur. Ato kanë qenë edhe në kuadër të bashkëpunimit të përfaqësuesve politik të tri komunave, si rasti i seancave të përbashkëta të përfaqësuesve shqiptarë në kuvendet, atë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Pas shpalljes së pavarësisë nga ana e Republikës së Kosovës, pastaj edhe përcaktimin e të drejtave të pakicave me anë të kushtetutës së Republikës së Kosovës për pakicat e saja, ku kemi parë një respektim të pa-shembull të të drejtave të pakicave e sidomos të serbëve në Republikën e Kosovës.

Kjo, sigurisht se ka nxitur dhe iu ka dhënë një arsye më shumë qytetarëve të Kosovës Lindore që të insistojnë edhe më shumë tek institucionet e Republikës së Kosovës, që në bisedime me Serbinë ta diskutojnë çështjen e shqiptarëve në këto tri komuna. Por, një kërkesë e tillë është bërë edhe tek Republika e Shqipërisë, pasi që ata e kanë të shkruar në kushtetutë obligimin për përkujdesjen ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.
Në saje të këtyre përpjekjeve, në vitin 2013, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, parlamentit të Kosovës i kishte prezantuar një rezolutë e cila ishte quajtur “Rezoluta për Luginën e Preshevës”, e cila ishte votuar pastaj kishte kaluar me 74 vota pro si dhe 4 kundër, e që në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës kishte hequr dorë nga një nen, i cili kërkonte që me rezolut të kërkohej amandamentimi i Kushtetutës, me të cilin Kosova do të obligohej që të interesohej dhe të kujdesej për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Përgjatë kësaj periudhe gjashtë vjeçare, pas miratimit të asaj rezolute, nuk është bërë asgjë në respektimin e saj, deri më dy korrik, (të hënën që lamë pas).

Parlamenti i Republikës së Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, prapë për shqiptarët e Luginës, seancë kjo e cila ka ardhur pasi një grup deputetësh, përfaqësues nga të gjitha partitë politike shqiptare në Parlamentin e Kosovës kishin vizituar Kosovën Lindore, ku nga afër kishin dëgjuar shqetësimet e politikanëve, por edhe qytetarëve të cilët jetojnë çdo ditë me problemet me të cilat janë të detyruar të jetojnë, si rezultat i asaj që shteti serb i trajton si qytetarë të dorës së dytë.

Nait Hasani: Shqiptarët duhet të jenë të unifikuar atje

Image
Nait Hasani

Lidhur me gjithë këtë çështje, për “Bota sot” ka folur Nait Hasani, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit edhe anëtarë i komisionit, i cili ka vizituar Kosovën Lindore, por edhe që e ka formuluar tekstin e rezolutës së ditës së hënë.

Ai ka thënë se, për shqiptarët e atyre tri komunave duhet të themelohet një fond i përhershëm, e cili do të kontribuonte në vazhdimësi për mirëqenien e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Kërkesa jonë, fillimisht ka qenë që të zhvillojmë një vizitë në Luginë, pas kërkesës që e kishim në vitin 2015, me njohjen e problemeve që i kanë shqiptarët në Serbi e posaçërisht në Luginën e Preshevës dhe gjithë kjo ka qenë si arsye e kërkesës sonë drejtuar Këshillit Kombëtarë, të cilët e kanë bërë komisioni për arsim dhe administratë.

Fusha e arsimit ka qenë pjesa më e ngarkuar, ani pse në aspektin politik është më e lehta, ndërsa fusha e administratës në pamje të parë duket më e lehtë, por në aspektin politik ka qenë më e rëndë.

Në aspektin e kërkesave për zgjidhje, në aspektin e administratës kanë qenë nga Këshilli Kombëtarë, edhe nga partitë politike, nga kryetarët e Komunave apo zëvendës kryetarët që janë atje të zgjedhur. Ata gjithashtu kanë kërkuar një fond të veçantë me anë të së cilit Kosova do të kishte mundësinë e saj që në mënyrë direkte të ketë qasje në ndihmesën e shqiptarëve atje, në mënyrë që të kenë një qëndrueshmëri më të gjatë. Kësi lloj fondesh kishin të krijuar të gjitha pakicat tjera në Serbi, përveç shqiptarëve, kështu që mundësia ishte që edhe ne tu dalim në ndihmë, përmes këshillit apo mënyrave tjera. Për neve si Kosovës është shumë e rëndësishme që këto gjëra të realizohen, nuk duhet ndonjë shumë jashtëzakonisht e madhe, ajo do një qëndrueshmëri apo konsistencë, e që pastaj do të kishte një besueshmëri deri në arritjen e qëllimit”, është shprehur Hasani.

Ai ka shtuar se, kërkesat që i takojnë administratës apo dokumentacionit, kishin të bënin me shtetësinë, fshirjen nga lista si banorë e qytetarëve të cilët nuk janë aty, apo janë gurbetqarë.

“Serbia nuk mund tua merr nënshtetësinë, por ua merr vendbanimin dhe pastaj ajo del me statistika se kemi kaq shqiptarë më pak në Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc, e sidomos kjo është e shprehur më shumë në Medvegjë, pasi që atje është një territor tepër i madh, është më i madh se Prishtina, por që ka vetëm 700 banorë.

Në Bujanoc, është e nevojshme të hapet një konsullatë, ajo do të kishte me qenë një përfaqësi politike e e Kosovë e cila do të ishte një lloj vëzhguesi dhe ndihmuesi për zgjidhjen e problemeve atje.

Një çështje tjetër që ekziston prej moti, është edhe ajo që atje ka pasur moti kohë parti politike, unë e njohë atë pjesë qysh prej rrethanave tjera, prej rrethanave të luftës. Atje ndasitë e partive politike ti tejkalojë Këshilli Nacional, pasi që ndarja nëpër parti të vogla politike, secilit në Beograd i konvenon, që shqiptarët t’i përdorë për interesa të veta”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Deputeti Hasani, ka shtuar se janë për njohjen dhe respektimin e referendumit të tyre, që sipas tij,  kjo iniciative nuk ka të bëjë me kërkesën e Presidentit për bashkimin e asaj pjesë me Republikën e Kosovës.

“Kjo ka të bëjë thjeshtë me interesimin e Republikës së Kosovës që ajo pjesë e banuar me shqiptarë të mos ketë ngecje në fushat të rëndësishme që çdo qytetarë i lirë duhet t’i gëzojë. Shqiptarëtduhet të jenë të unifikuar atje, si ka mundësi që ata shkojnë e votojnë një përfaqësues jashtë etnisë shqiptare, e pasta ai t’i përfaqësojë nëpër institucione qendrore, kur e kanë mundësinë që votën t’ia japin një shqiptari”, ka theksuar ai.

Isufi: Duhet që rezoluta të hyjë në fuqi

Image
Ahmet Isufi

Edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në bisedë për “Bota sot” ka thënë se pavarësisht se të hënën nuk kishte kuorum që të votohet rezoluta, çështja e shqiptarëve në ato tri komuna duhet të merret seriozisht, duke nënvizuar momentin kur në seancë, nga presidenca kishte arritur një rezolutë.

“Rezoluta e ofruar dhe harmonizimi i saj, ka qenë nga të gjitha grupet parlamentare që të obligojnë institucionet e Kosovës që të punojnë në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Të gjitha pikat që u lexuan në fund të seancës, ishin të dakorduara nga të gjitha grupet parlamentare e që në mungesë kuorumi, kësaj here nuk u votua. Pat edhe reagime lidhje me tendencat që në seancë të futen edhe material tjera të cilat nuk ishin pjesë e kësaj sence, pasi që komisionet parlamentare të cilat kanë qenë në vizitë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, kanë konstatuar gjendjen atje në rezolutë pikërisht për këtë është biseduar. Tani fjalët duhet lënë anash, duhet të bëjmë veprime konkrete. Duhet që rezoluta të hyjë në fuqi, në mënyrë që qeveria e Kosovës të marrë të gjitha veprimet që janë në interes të shqiptarëve atje”, ka thënë deputeti Isufi.

Kërkesat e qytetarëve

Gazeta ka biseduar edhe me qytetarë të asaj ane, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre që sa më shpejt të bëhet diçka me mirëqenien e qytetarëve në ato komuna.

F.R. mjek nga Presheva, ka thënë se një ndër sektorët, në të cilët do të duhej të ndërhyhej nga ana e Republikës së Kosovës, do të ishte investimi në infrastrukturë të shkollave, por edhe të shëndetësisë.

“Lugina e Preshevës si pikë gjeostrategjike në Ballkan ka nevoja të shumta por ato që janë jetike për qëndrimin e shqiptarëve në këto troje është edhe përkujdesja më e madhe nga shtetet amë si Kosova dhe Shqipëria. Pikat që do duhej të investonin Shqipëria dhe Kosova do ishte në përmirësimin e gjendjes ekonomike në këto treva duke frenuar sadopak ikjen e trurit dhe rinisë nga këto troje duke mundësuar hapjen e vendeve të punës, duke kërkuar nga shtetet mike që investitorët e huaj që kanë synim Rep .e Serbisë ti orientojnë në Luginë, sidomos në zonën Industriale në Preshevë. Sektor tjerë në të cilët do të duhej të intervenohej do të ishte investimi në projekte konkrete në përmirësimin e infrastrukturës nëpër shkolla, përmirësimin e infrastrukturës në ambulanca që gjenden në Luginë, projektet sociale për familjet që nuk kanë të ardhura financiare dhe nuk janë në marrëdhënie pune, projekte për stimulim të lindjeve në Luginë duke nda mjete financiare për çdo nxënës të cilët vijojnë shkollimin fillorë dhe gjimnazin në Luginë, pastaj ndarje të bursave studentëve shembullorë që vazhdojnë shkollimin në fakultetin e Prishtinës dhe Tiranës, dhënia e nënshtetësisë së Rep. së Kosovës të gjithë Luginasve që janë të lindur në Kosovë para vitit 1999 dhe lehtësim i procedurave për marrjen e nënshtetësisë atyre pas viteve 2000, hapja e kuotave në universitetin e Prishtinës në bazë të numrit të banorëve të Luginës për çdo fushë dhe lëndë në proporcion me numrin e banorëve të Rep. së Kosovës, hapja e një universiteti në Komunën e Bujanocit nga ana e Rep. së Shqipërisë në bashkëpunim me Rep. e Kosovës duke nda mjete financiare. Këto mjete do të duhej ti ndahen Keshillit Nacional Shqiptarë ose Komunave respektive në Luginë në varësi të interesit të Shqipërisë duke mos kaluar vlerën 10 mil euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat