Zëvendësministri i Mbrojtjes i përgjigjet ashpër Bërnabiqit: E ardhmja e Kosovës e qartë, por Serbia po shkon kah Rusia

Politika

Zëvendësministri i Mbrojtjes i përgjigjet ashpër Bërnabiqit: E ardhmja e Kosovës e qartë, por Serbia po shkon kah Rusia

Nga: G.B Më: 4 korrik 2019 Në ora: 11:54
Burim Ramadani

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka vazhduar me deklaratat e saj për Kosovën.

Së fundmi ajo ka thënë se Kosova nuk ka të ardhme pa Serbinë.

“Është me rëndësi se Engel ka thënë se ajo që është miku i shqiptarëve, nuk to të thotë që nuk mund të jetë edhe miku i serbëve, dhe kjo tregon se sa është sot Serbia e fortë dhe se nuk bën pa biseduar me të. Pa Serbinë bebja e tyre nuk mund të ketë asnjë të ardhme”, ka deklaruar Bërnabiq.

Lidhur me këtë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qasja e Serbisë, sikurse ajo e Millosheviqit edhe sot, është e dëmshme më së shumti për Serbinë, pasi Kosova dhe e ardhmja e saj janë të sigurta drejt integrimeve euro-atlantike, ndërsa që e ardhmja e Serbisë luhatet kah Rusia.

“Qasja e pandryshuar e Serbisë, sikurse ajo e Millosheviqit edhe sot, është jo vetëm e pasaktë, por e dëmshme më së shumti për Serbinë. Kosova dhe e ardhmja e saj janë të sigurta drejt integrimeve euro-atlantike, ndërsa Serbia dhe e ardhmja e saj luhatet kah Rusia”, është shprehur ai.

Ramadani vlerëson se Serbia duhet të zbatojë një plan edukues për gjeneratat e reja, që tu tregojë për spastrimin etnik që kanë bërë në Kosovë.

“Elita politike e Serbisë duhet të zbatojë një plan edukues për t'i treguar gjeneratave të reja në Serbi për krimet dhe spastrimin etnik që kanë bërë në Kosovë. Pra, Serbia duhet të dekriminalizohet në politikën e saj dhe në vetëdijen e shoqërisë serbe”, ka vlerësuar zëvendësministri.

Ai thotë se e ardhmja e Kosovës është e qartë, por që e ardhmja e Serbisë duhet të jetë kah Perëndimi dhe jo kah Rusia.

“Thjesht, e ardhmja e Kosovës është e qartë. Por, e ardhmja e Serbisë duhet të jetë kah Perëndimi e jo kah Rusia”, ka deklaruar Burim Ramadani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat