E thotë ish-deputeti i Kuvendit: Problem nuk është Josep Borrell, problem është ekipi negociator i Kosovës - Bota Sot
E thotë ish-deputeti i Kuvendit: Problem nuk është Josep Borrell, problem është ekipi negociator i Kosovës

Politika

E thotë ish-deputeti i Kuvendit: Problem nuk është Josep Borrell, problem është ekipi negociator i Kosovës

Nga: N.H Më: 5 korrik 2019 Në ora: 22:40
Josep Borrell Fontelles dhe Federica Mogherini

Këshilli Europian ka nominuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell Fontelles që të zëvendësojë Shefen e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini.

Por, cili do të jetë roli i kryediplomatit të ri të BE-së ndaj Kosovës. Për të folur për këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar ish-deputetin Driton Tali.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e mëparshme të Josep Borrell, ishin në funksion të ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës.

Tali tregon gjithashtu se si në të kaluarën Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës ua kishte bërë me dije palës serbe se shqiptarët ishin persekutuar në vazhdimësi.

Image
Driton Tali

“Deklarata e mëparshme të Josep Borrell, kanë qenë në funksion të Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, ku ai nga vizitat e bërë kohë më parë nga Beogradi deklaroi se Spanja është kundër pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Por, nga ana tjetër, çdo krahasim mes Kosovës dhe Katalonisë është jo i drejtë, sepse shqiptarët janë persekutuar në vazhdimësi, ndërsa ndaj Katalonisë nuk ka pasur persekutime, d.m.th ua bëri me dije edhe serbëve, madje, tha se nuk duhet të krahasohet Kosova me Kataloninë, sepse këto dyja nuk kanë asgjë të përbashkëta, dhe se shqiptarët janë persekutuar në vazhdimësi”, ka deklaruar Tali.

Ai zbulon gjithashtu edhe arsyet se pse Spanja nuk po e njeh pavaresinë e Kosovës.

“Pra, kjo është një deklaratë politike siç i ka hije një politikani të një shteti serioz. Arsyeja se pse Spanja nuk e pranon Kosovën është se përveç Katalonisë është edhe Baska, Anadaluzia që kërkojnë pavarësinë. Spanja është si dikur ish-Jugosllavia”, shpjegon ai.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës me tej thekson se nuk duhet parë Josep Borrell me aq negativitet, sepse, sipas tij, qëndrimet e tija dikur ishin qëndrime shtetërore.

“Tashmë Josep Borrell është në një pozitë tjetër dhe përfaqëson Unionin Evropian. Problemi nuk është tek Borrell, sepse, po e them edhe një herë ai do të përfaqësojë një politik të Unionit Evropian. Dyshimet e mija janë me ekipin tonë negociator, ku edhe me tutje presidenti Thaçi është ai i cili do të negocioj me palën serbe, përkundër verdiktit të Kushtetutës, atëherë këtu e shohë problemin”, ka theksuar ish-deputeti.

Krejt në fund, Tali nënvizon se kësaj radhe duhet t’i fajësojmë përfaqësuesit e Kosovës, të cilët shkuan me duar në gjepa në Bruksel.

 “Problem është delegacioni shtetëror, se kush do ta udhëheqë, me çfarë agjende. Këta që ishin dështuan edhe me zonjën Ashton si dhe me Mogherinin. Prandaj, nuk duhet fajësuar të huajt. Kësaj radhe duhet t’i fajësojmë përfaqësuesit tanë, të cilët shkonin me duar në gjepa në Bruksel”, ka përfunduar ish-deputeti Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...