Trondit ish-kryeshefi i policisë ushtarake të FARK-ut: Ky komandant i shtabit të UÇK-së urdhëroi për vrasjen e të gjithë ushtarëve të Tahir Zemajt

Politika

Trondit ish-kryeshefi i policisë ushtarake të FARK-ut: Ky komandant i shtabit të UÇK-së urdhëroi për vrasjen e të gjithë ushtarëve të Tahir Zemajt

Nga: N.H Më: 6 korrik 2019 Në ora: 18:57
Kolonel Tahir Zemaj

Ish-kryeshefi i policisë ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), Hajrullah Tërnava, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar në detaje se si ushtarët e brigadës “Mërgimi” gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin rrahur e keqtrajtuar nga disa ushtarë të UÇK-së.

Ai ka treguar gjithashtu për herë të parë edhe se si një komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kishte dhënë urdhër që të vriteshin të gjithë ata që ishin pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Tërnava këtë rrëfim ekskluziv e fillon duke folur për Brigadën “Mërgimi”, brigadë kjo e cila atë botë ishte nën urdhrat e kolonel Tahir Zemajt.

Ndërsa, ish-kryeshefi i policisë ushtarake të FARK-ut nuk ka lënë pa treguar edhe për rrethanat se si ushtarët e kësaj brigade, 20 vite më parë ishin ndalur në Bajram Curr nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e tij, ku me që rast kishte ndodhur edhe çarmatimi i njësisë ushtarake “Mërgimi”.

“Një ndër formacionet e FARK-ut ishte edhe Brigada “Mërgimi”, në krye të së cilës komandant i saj ishte Tahir Zemaj, e cila brigadë ishte e vendosur së pari në Lezhë, dhe më vonë u vendosën në ish-kazermat e Mamurrasit, edhe pran pengesave të mëdha të asaj kohe nga udhëheqësit të lartë të Shqipërisë dhe propagandës negative të televizionit shqiptar të asaj kohe. Kjo brigadë e ka vazhduar aktivitetin e saj, dhe pranë vetës i numëronte rreth 500 ushtarë të cilët u stërviteshin që sa më parë t’i bashkëngjiten ushtarëve tjerë në Koshare”, ka thënë ish-kryeshefi i policisë ushtarake të FARK-ut, Hajrullah Tërnava.

Ai gjithashtu zbulon se komandanti i brigadës Tahir Zemaj kishte marrë një urdhër nga Ministria e Mbrojtjes, që të udhëtonte për në Shkup, në një takim të rëndësishëm me ushtarakët e NATO-s.

“Me sulmet e para të forcave te NATO-s ndaj forcave serbe, dhe me marrëveshjen e Kumanovës të nënshkruar si akt kapitullimi i Serbisë, brigada “Mërgimi” është nisur për në Kosovë me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Luan Hajdaraga, dhe me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, është arritur marrëveshja që një pjesë e armatimit t’i lënin në dispozicion ushtrisë shqiptare, kurse pjesën tjetër të armatimit të, kryesisht më të lehtë, t’i merrnin me vete. Policia shqiptare kishte marr në përcjelljen e brigadës “Mërgimi” deri në kufi”.

Image
Ish-kryeshefi i policisë ushtarake të FARK-ut, Hajrullah Tërnava.

“Në atë kohë komandanti i brigadës Tahir Zemaj merr urdhër nga Ministria e Mbrojtjes që të udhëtoj në Shkup në një takim të rëndësishëm me ushtarakët e NATO-s. Nga Ministria e Mbrojtjes komandant i brigadës “Mërgimi” emërohet Fazli Rugova, dhe posa brigada ka arritur në afërsi të qytetit Bajram Currit, forcat e policisë të ushtrisë dhe SHIK-ut të udhëhequra nga Fatmir Haklaj, Jaho Mullaosmani dhe Feriz Kërnaja i urdhërojnë që brigada të kthehej mbrapa dhe e vetmja mundësi ishte të shkonin për mes Kukësit. Pas arritjes në Kukës në kufi, pas kontrollimit nga forcat gjermane të KFOR-it, brigada ka hyrë në Prizren dhe mbas një pushimit, një grup i armatosur ushtarësh me uniforma të UÇK-se rreth, 50 vetash të udhëhequr nga Tahir Sinani i rrethojnë automjetet e ushtarëve dhe Fazli Rugovën me truprojën e tij të paarmatosur e marrin me veti”, rrëfen ai.

Hajrullah Tërnava shpjegon se me Tahir Sinanin ishte edhe gjeneral Xheladin Gashi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Plaku”, i cili thotë se kishte kërkuar që të vriteshin të gjithë nga ata që ishin pjesë e FARK-ut.

“Me Sinanin ka qenë së bashku edhe Xheladin Gashi, i njohur me nofkën “Plaku”, i cili ka kërkuar që të vriteshin të gjithë nga ata që ishin ushtarë të FARK-ut. Pas intervenimit të forcave gjermane të KFOR-it lirohet edhe Fazliu me truprojën e tij, edhe që iu marrin të gjitha pajisjet dhe gjerat tjera nga ana e ushtarëve të UÇK-së. Edhe në Gjakove ngjashëm janë maltretuar dhe rrahur nga krahu tjetër i UÇK-së. Edhe në Pejë, brigada i kishte përjetuar maltretimet e ngjashme nga ky krah i luftës, të cilët iu marrin të gjitha gjësendet, dhe në ndihmë iu vijnë KFOR-i italian dhe në marrëveshje e sipër i kthejnë në Pejë në fabrikën e Auto-pjesëve, dhe nga ky vend për dy ditë ushtarët italian do t’i shpërndajnë nëpër shtëpitë e tyre në tërë Kosovën”, shpjegon ai.

Tërnava shton se ish-ushtarët e FARK-ut janë rrahur e keqtrajtuar, vetëm pse ishin pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, regjimi socialist-enverist në Shqipëri gjithnjë u ka qenë në krah të LPK-së.

“Ata djem janë rrahur e keqtrajtuar, vetëm pse ishin pjesë e FARK-ut, si pjesë të institucioneve të Kosovës. Nga kidnapimi i 6 ushtarëve vetëm njëri kishte ikur, tani ai është i gjallë. Që nga ajo kohë e deri më tani ky rast nuk është zbuluar kurrë, përkundër apeleve të familjarëve për bijtë e tyre”.

“Në bazë të kësaj sikur që u shpjegua, përmes shkrimit të autorit të librit “Kështu foli Tahir Zemaj”, del konstatimi se gjatë tërë luftërave të zhvilluara me serbët, edhe faktori ushtarak i dy fraksioneve FARK dhe UÇK kanë qenë të përçara, e sidomos regjimi socialist-enverist në Shqipëri gjithnjë u ka qenë krah LPK-istav, në ato vende ku kanë stërvitur FARK-u, dhe që nga vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri të Ilir Konushevcit, ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, e shumë vrasje tjera që ndodhën në Shqipëri, asnjeri rast deri më tani nuk është zbardhur, prandaj, këto fakte flasin vet në favor të asaj situate vëllavrasjesh, po nga ky grup i LPK njerëzve të lidhur me enveristët e Shqipërisë, vazhduan likuidime të shumta të njerëzve eminent me kontribute të mëdha, kryesisht të LDK-së si gjatë luftës dhe pas saj, si Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Tahir Zemajn, e shumë tjerë persona që janë të zhdukur e që janë me qindra, me emra dhe mbiemra e që deri më tani asnjë rast nuk është zbuluar. Kjo është një dëshmi e kësaj përçarje që ka ekzistuar gjatë tërë luftës, por pse jo që edhe sot e kësaj dite ekzistojnë këto përçarje”, shton Tërnava.

Ndërsa, duke folur për betejat më të lavdishme në Kosovë, Tërnava ka thënë se ato çdoherë janë udhëhequr nga eprorët profesional dhe ushtarët e FARK-ut.

“Edhe që betejat më të lavdishme janë të udhëhequra nga eprorët profesional dhe ushtarët e FARK-ut, si ajo e Loxhës dhe Beteja e Koshares, të cilat kanë qenë nën komandën e institucioneve të Kosovës, në të kundërtën ushtarët e fraksionit tjetër si UÇK-së i minimizojnë ato beteja të FARK-ut, dhe konfliktet e ndodhura në sulme të ndryshme që forcat serbe i kanë shkaktuar nëpër fshatra apo qytete të Kosovës i shpallin si beteja apo si kontribute të tyre”, tha me tej ai.

Ndërkaq, krejt në fund, ish-kryeshefi i policisë ushtarake ka theksuar se në Kosovë duhet edhe shumë të punohet për perspektiven e pavarësimit të shtetit, dhe për anëtarësimin e saj në OKB, e jo si deri më tani që është bërë kapja e shtetit nga të mëdhenjtë e këtij vendi.

“Fati deshi që si aleat t’i kemi të fortit e botës në krye me NATO-n dhe ta fitojmë luftën nga Serbia, dhe ta gëzojmë tani sot ketë liri, por që duhet edhe shumë të punohet për perspektiven e pavarësimit të shtetit të Kosovës, dhe për anëtarësimin e saj në OKB, e jo si deri më tani që është bërë kapja e shtetit nga të mëdhenjtë e këtij vendi, edhe që një kohë të gjatë deri më tani po qëndrojmë në një vend të izoluar pa liberalizim të vizave dhe pa një perspektivë ku të rinjtë më të madhe po ikin në perëndim, për një perspektivë për të jetuar më mirë”, ka përfunduar ish-kryeshefi i policisë ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), Hajrullah Tërnava, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat