Çka fshihet prapa tendencës për ta mohuar luftën e FARK-ut? - Bota Sot
Çka fshihet prapa tendencës për ta mohuar luftën e FARK-ut?

Politika

Çka fshihet prapa tendencës për ta mohuar luftën e FARK-ut?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 7 korrik 2019 Në ora: 13:17
Ahmet Krasniqi Tahir Zemaj

Para rreth tre javësh u festua 20 vjetori i çlirimit të Kosovës. Për të rinjtë çlirimi mund të mos ketë shumë kuptim, duke qenë i trupëzuar vetëm në një imagjinatë të ngushtë bartur prej kujtesës së prindërve e të afërmve të tyre. Por, si ndjesi reale, çlirimi disi është fishkur e rravguar edhe nga ata që e kanë përjetuar nën lëkurën e tyre fashizmin e dhunën e regjimit të Millosheviqit.

Por, zvetënimi i kësaj ndjesie nuk ndodhi natyrshëm, vetëm nga kalimi i kohës. Një pjesë njerëzish, të vetëquajtur “krah i luftës”, e vodhën dalëngadalë kënaqjen nga liria, e bënë të gërditshme duke u krenuar pambarim, njëmijë-e-një herë, pa u lodhur.

Sidoqoftë, këto shprehje vulgare të krenarisë nuk e prishën veç ndjesinë e qytetarit të rëndomtë për lirinë. Ato u bënë armiqësore edhe ndaj vetë luftëtarëve të lirisë.

Së pari, ia vlen të përmendim gjithë atë masë anonime, domethënë luftëtarësh që s’dolën nëpër gazeta e televizione, dhe të cilët e panë namin e tyre derisa binte e binte. Sot, pjesa më e madhe e tyre, domethënë këta anonimë, jetojnë me hijen e dyshimit qytetar mbi vërtetësinë/pavërtetësinë e statusit të tyre të veteranit shkaku i skandalit në procesin e “veteranëve të rremë”.

Por, edhe më e rëndësishmja, është sulmi që i është bërë një pjese në veçanti: “luftëtarëve të presidentit historik, Ibrahim Rugova.”

Pse? – mund të pyes një njeri i pamësuar me mbrapshti të tilla. Përgjigjja vërtetë është e zorshme të jepet me anë të një silogjizmi aristotelian. Shumë e zorshme.

Askush nuk mund ta mohojë që presidenti Rugova ishte një luftëtar tejet i guximshëm i lirisë. Por, ja që një pjesë e liderëve të UÇK-së, u armiqësuan ndaj tij, duke qenë se figura e madhe, e besueshme dhe e dashur e presidentit, e errësonte dhe minimizonte rëndësinë e tyre. Dhe kësisoj, në një masë e minonte krenarinë e derdhur pa kursim, vend e pa vend.

Si mund t’i mohohet kontributi i jashtëzakonshëm për lirinë tonë, Tahir Zemës – një koloneli sypatrembur që për fat të keq, që sipas teorisë së probabilitetit,u vra pikërisht nga ata që deshën ta privatizonin lirinë? Si mund t’i mohohet kontributi i madh, z. Anton Quni, ndër më të shquarit e Betejës së Koshares?

Epo ja që, një tendencë e tillë ka ekzistuar vazhdimisht qe njëzet vjet, dhe paturpësisht, nuk është ndalur as nga politikanët “e dalë nga lufta”. Dhe pikërisht kjo tendencë, kjo narrativë armiqësore që mohon kontributin e luftëtarëve të Rugovës ka treguar rrezikshmërinë e madhe që mban në vitet e pasluftës, kur dhjetëra aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u vranë.

Pra, nuk po flasim thjesht për një shpërndarje meritore të kontributeve. Po flasim mbi të gjitha mbi helmimin e debatit publik, opinionit publik, dhe përkthimin e kësaj narrative në jetën reale.

FARK-u, komandant i së cilit formacion ushtarako-politik ishte Tahir Zemaj, kishte dhënë kontribut tepër të madh për çlirimin e Kosovës. Kjo do të mbetet e shkruar në histori përgjithnjë, pavarësisht asaj që mund të thonë disa prej liderëve të UÇK-së. Zemaj si një ushtarak i shkolluar në Zagreb dhe Beograd, bëri që lufta të përftonte një karakter serioz e disiplinar, e të mos ishte thjesht një kryengritje fshatare deridiku klasore.

FARK-u, me bashkëngjitjen e saj në luftë, bëri hopin e duhur, kërcimin e madh në unifikimin politik të vendit në momentet më të rënda e më delikate. FARK-u i kontribuoi fashitjes së polarizimeve të kuptueshme duke i dhënë seriozitet e vendosmëri përpjekjes për liri.

Por, paslufta i gjeti njerëzit e kësaj force të sulmuar pafund prej disa prej njerëzve të UÇK-së, të cilët të pangopur në marrjen e meritave, e ndjenin si pengesë e jo ndihmesë, ekzistencën e tyre.

Pse ishte kaq e rëndësishme që të sulmohej FARK-u? Përgjigjen për këtë mund ta marrim vesh në veçanti nga mënyra se si u qeveris ekonomia e vendit pas luftës. Në pyetje ishte dëshira e pa fshehur për protagonizëm: Ata donin të fryheshin, ndërsa ekzistenca e një formacioni të organizuar ushtarak i “shfryente”. Ky protagonizëm e kjo fryrje përkthehej në ekonominë e vendit në benefite të panumërta, gjë që edhe e bënë në kurriz të qytetarëve e shtetit.

Në pyetje ishte edhe sfida ideologjike: Ç`organizimi si metodë qeverisëse (kujto aferën “Pronto” si metodë për vendosjen e njerëzve nëpër borde duke i dhunuar kriteret) kundër organizimit. FARK-u(Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) si organizim institucional, tregonte se Kosova mund të ndërtohej me vizion e organizim, me disiplinë, pa keqpërdorim, pa vulgaritet e pa improvizim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...