E vërteta e Betejës së Loxhës dhe mohimi i saj nga Shtabi i Rognerit - Bota Sot
E vërteta e Betejës së Loxhës dhe mohimi i saj nga Shtabi i Rognerit

Politika

E vërteta e Betejës së Loxhës dhe mohimi i saj nga Shtabi i Rognerit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 korrik 2019 Në ora: 08:06
Beteja e Loxhës

Janë bërë 21-vite nga fillimi i luftës së parë frontale në Kosovë, e cila nisi në fshatin Loxhë, nga ku edhe u zhvilluan luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Beteja e lavdishme e Loxhës përveç suksesit të madh ushtarak, kjo e fundit kishte arritur të kthente pas edhe dinjitetin, vetëbesimin dhe krenarinë e humbur në tërë Kosovën.

Loxha ishte beteja e parë e formacioneve ushtarake të Republikës së Kosovës, e komanduar nga strategu i luftës, nga komandanti i parë i Brigadave 131, 133, dhe 134, kolonel Tahir Zemaj.

Ajo gjatë gjithë kohës ishte drejtuar me profesionalizëm nga njeriu i cili kishte përgatitjen dhe doktrinën ushtarake, të kalibrit të oficerëve më të lartë.

Mirëpo, përkundër suksesit të jashtëzakonshëm të arritur, pjesëmarrësit e drejtpërdrejt të kësaj betejë ka thënë se “Loxha” nga krerët e institucioneve në Kosovë nuk është vlerësuar asnjëherë sa duhet. Ata janë të mendimit se shpeshherë është tentuar të shtrembërohet e vërteta, për shkak se forcat të cilat kanë marrë pjesë në këtë betejë ishin Forcat e Armatosur të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërsa, nga ana tjetër, analistët në vend vlerësojnë se kjo betejë shënon një kapitull të rëndësishme të organizimit ushtarak në historinë tonë më të re të periudhës së luftës për liri.

Zëvendëskomandanti Kurtulaj: Beteja e Loxhës ishte beteja e parë në Kosovë në të cilën u zhvillua luftë frontale

Cuf Kurtulaj, zëvendëskomandant i batalionit në Betejën e Hoxhës, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo betejë nuk është vlerësuar asnjëherë sa duhet, madje, ai deklaron se shpeshherë kjo e fundit është përdorur edhe për poenë politik.

“Beteja e Loxhës nuk është vlerësuar sa duhet. Në shumicën e rasteve kjo luftë përdoret për proteza politik, për qëllime të caktuara, për ta përvetësuar luftën të cilën e ka bërë dikush tjetër. Nuk i jepet ajo merita e nevojshme. Mendoj se për atë betejë duhet të thuhet e vërteta ashtu siç ishte, mirëpo shpeshherë tentohet të shtrembërohet e vërteta, për shkak se forcat të cilat kanë marrë pjesë janë Forcat e Armatosur të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë Kurtulaj, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Kurtulaj, Beteja e Loxhës dikujt është duke i penguar, pasi në atë betejë kanë marrë pjesë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, në të cilën ka pasur edhe një hierarki ushtarake.

Ai potencon se një strateg si kolonel Tahir Zemaj, Kosova nuk do ta ketë as në shekullin e ardhshëm.

“Duhet të del e vërteta, por të shohim, megjithatë duhet pjesëmarrësit e kësaj beteje të mos heshtin, gjithnjë duhet të tentohet të thuhet e vërteta, pasi një gjë e tillë shtrembërohet dhe kjo është rrezik, sepse për ngjarjen për të cilën po flasim ka dëshmi, ka dëshmitarë, njerëz okular. Siç e shoh, kjo betejë dikujt është duke i penguar se në atë betejë kanë marrë pjesë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, në të cilën ka pasur një hierarki ushtarake, duke filluar nga komandanti suprem presidentin Rugova, Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, kurse në teren sa i përket brigadave ka qenë që një strateg që Kosova nuk do ta ketë as në shekullin e ardhshëm kolonel Tahir Zemaj”, shton ai.

Zëvendëskomandanti Kurtulaj, më tej gjithashtu thekson se kjo betejë është e para në Kosovë në të cilën është zhvilluar luftë frontale me forcat serbe.

“Beteja e Loxhës është beteja e parë në Kosovë në të cilën është zhvilluar luftë frontale. Për Kosovën kjo shënon fillim e një lufte frontale, pasi për këtë edhe mediat serbe kishin paralajmëruar se kanë pasur humbje të mëdha, ndërsa në këtë betejë si forcë ne kemi pasur afër 200 deri në 300 veta, derisa mediet atë kohë raportonin se forcat e Ushtrisë Çlirimtarë ishin rreth 5000 veta, me një arsenal armatimi që kemi qenë shumë larg krahasuar me forcat serbe. Fatbardhësisht, arma jonë ka qenë guximi dhe njerëzit të cilët e kanë njohur artin ushtarak, me rol të veçantë gjatë gjithë kësaj beteje kolonel Tahir Zemaj, që ka qenë një strateg i madh, e mbi të gjitha një patriot e guximtar shumë i madh”, thekson ish-zëvendëskomandanti Kurtulaj.

“Rrallë herë ndodhë që një komandant i tri brigadave, t’i prijë ballë për ballë në vijat e fronit, në raste edhe para ushtarëve duke iu prirë ushtarëve gjatë luftës, dhe kjo padyshim e bënë atë suksesin, pasi një ushtar ku e sheh komandantin e brigadës që është para tij atëherë aty nuk humbet asgjë aty”, tha ai.

në fund, Kurtulaj ka nënvizuar se në Forcat e Armatosur të Republikës së Kosovës, komandant suprem ka qenë presidenti Ibrahim Rugova, dhe se në këto formacione nuk kanë pasur asnjëherë pseudonime.

Hadërgjonaj: Fitorja e parë e formacioneve ushtarake të themeluara nga kolonel Ahmet Krasniqi

Image
Fadil Hadërgjonaj

Ndërsa, ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj, ka thënë se Beteja e Loxhës ishte beteja dhe fitorja e parë e formacioneve ushtarake të themeluara me urdhër të kolonel Ahmet Krasniqit.

“Kjo ishte beteja dhe fitorja e parë e formacioneve ushtarake të themeluara me urdhër të komandantit të shtabit suprem të FARK, kolonel Ahmet Krasniqi”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se ishte kolonel Zemaj, ishte ai i cili kishte ndarë detyrat e përgjithshme dhe ato specifike.

“Komandanti i këtyre formacioneve koloneli Tahir Zemaj, kishte ndarë detyrat e përgjithshme dhe ato specifike për drejtimin dhe komandimin e trupave, të cilat ishin nga batalioni i parë”, ka deklaruar ai.

Hadërgjonaj kujton gjithashtu se marshimi në fshatin Loxhë gjatë gjithë kohës ishte shoqëruar me këngën “Besa Besë”.

“Marshimi deri në fshatin Loxhë i cili tani veç se ishte pushtuar nga forcat armike, shoqërohej me këngën “Besa Besë” nga trupat tona”, ka kujtuar ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj.

Haziri: Beteja e Loxhës shënon një kapitull të rëndësishme të organizimit ushtarak në historinë e Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Beteja e Loxhës është njëra nga betejat më të lavdishme në historinë e Kosovës.

“Beteja e Loxhës është një nga ata dy betejat e lavdishme të luftës çlirimtare së bashku me Betejën e Kosharës. Si të tilla janë vlerësuar edhe nga njohësit ndërkombëtar të fushës ushtarake”, ka thënë Haziri.

Tutje, Haziri ka thënë se kjo betejë kanë ngritur në një nivel tjetër luftën dhe organizimin ushtarak të vet UÇK-së në zonën ku kanë operuar.

“Udhëheqja e Betejës së Loxhës nga njerëz profesional, ushtarak të karrierës si kolonel Tahir Zemaj, major Nazif Ramabaja dhe të tjerë, përpos fitores së shënuar ndaj forcave ushtarake serbe, kanë ngritur në një nivel tjetër luftën dhe organizimin ushtarak të vet UÇK-së në zonën ku kanë operuar, pra në nivelin profesional e strategjik, e gatshme për tu përballur me një ushtri mirë të organizuar dhe të armatosur siç ishte ushtria serbe”, ka thënë ai.

Në fund, sipas opinionisti Haziri kjo betejë shënon një kapitull të rëndësishme të organizimit ushtarak në historinë e Kosovës.

“Andaj, kjo betejë shënon një kapitull të rëndësishme të organizimit ushtarak në historinë tonë më të re të periudhës së luftës për liri”, ka përfunduar opinionisiti Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...