Duhanaj: Për keqardhje, s’kanë të ndalur keqpërdorimet me vetura zyrtare: Shteti shihet si lopë të cilën duhet mjelur

Politika

Duhanaj: Për keqardhje, s’kanë të ndalur keqpërdorimet me vetura zyrtare: Shteti shihet si lopë të cilën duhet mjelur

Nga: M.H Më: 8 korrik 2019 Në ora: 13:15
Leon Duhanaj

Keqpërdorimi i veturave po vazhdon ende edhe pas shkarkimit nga detyra Zv. Ministri i Bujqësisë, Shukri Maxhuni, pasi ishte fotografuar në veturën zyrtare, deri sa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë.

Një zyrtari tjetër, është parë këtë fundjavë (e diel), duke përdor veturën zyrtare për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Një lexues i një medie vendore ka dërguar disa fotografi të veturës me targa 3Z 191 12.

Ai ka thënë se ngasësi i veturës, voziste si i “çmendur”, dhe nuk respektonte aspak shenjat e komunikacionit. Vetura është fotografuar në Rrugën e Kombit, duke u kthyer nga Shqipëria.

Ndryshe, keqpërdorimi i automjeteve zyrtare tashmë është bërë një normalitet në vendin tonë, pasi edhe më herët ka ndodhur që të raportohen me dhjetëra raste të tilla.

Lidhur me këtë temë analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Leon Duhanaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se jo vetëm zyrtari po edhe qytetarët e shohin si plaçkë shtetin dhe se ky është njëri ndër problemet më të mëdha dhe se është detyrë e secilit qytetarë, ta respektoj ligjin dhe shtetin, duke respektuar dhe ruajtur pasurinë:

“Për fat të keq, në Kosovë tashmë është instaluar një "kulturë" e tillë, e sjelljes, ku jo vetëm zyrtari i cilitdo rang qoftë, por edhe vetë qytetarët e shohin shtetin dhe pasurinë e tij, apo të mirën e përbashkët si plaçkë apo si lopë të cilën duhet mjelur. Është vërtetë për keqardhje se si ne si shoqëri e shtypur shekuj ne radhe, edhe pse deklarohemi shumë patriot me folklor, nuk kemi shfaqur aspak ndjesi për shtetin dhe pasurinë e përbashkët.

Sipas mendimit tim, ky është edhe njëri ndër problemet me të mëdha që kemi si shoqëri dhe si komb.

“Ndoshta rrjedhë kjo edhe si pasojë e shtypjes së vazhdueshme, ndoshta kemi ndonjë problem gjenetik, por është vërtetë e pashpjegueshme, se si shqiptari e shfrytëzon dhe shkatërron pasurinë e përbashkët, pa asnjë kriter, pa asnjë fije mëshire, pa asnjë fije turpi as përgjegjësie!. Nuk është ky një problem vetëm i nivelit qeveritarë, apo zyrtarë. Ketë e kemi problem nacional dhe ky është mjerimi i madh. Kjo fillon nga korridoret e përbashkëta, shkallët, rrugët dhe hapësirat tjera publike, të cilat ndotën dhe nuk i pastron askush. E deri tek përkrahja e keqpërdorimeve masive apo mos deklarim i i shkeljeve të çfarëdolloj qofshin”.

“Ne duhet të ndërrojmë qasje në mentalitetin tonë për ndryshe shteti nuk do t'u mbijeton grabitjeve nga të gjitha anët. Shteti është aparat fiktiv përmes të cilit mundësohet bashkëjetesa e njerëzve në kushte të barabarta. Kur shteti funksionon, funksionon edhe barazia dhe mirëqenia e përgjithshme. Kur shteti nuk funksionon, atëherë nuk funksionon asgjë. Prandaj, është detyrë e secilit qytetarë, ta respektoj ligjin dhe shtetin, duke respektuar dhe ruajtur pasurinë. Sepse e gjitha është një pronë e përbashkët. Në qoftë se dikush e shfrytëzon apo keqpërdorë për interesa private apo të paligjshme, duhet të denoncohet dhe luftohet nga të gjithë derisa kjo një ditë të bëhet vërtetë normë e sjelljes, siç e kanë në shtetet perëndimore”, përfundon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat