Ramush Tahiri flet për planin sekret për ndarjen e Kosovës, të zbuluar nga Zaev

Politika

Ramush Tahiri flet për planin sekret për ndarjen e Kosovës, të zbuluar nga Zaev

Nga: G.B Më: 10 korrik 2019 Në ora: 00:01
Zaev, Rama, Thaçi dhe Vuçiq

Shkëmbimi i territoreve me Serbinë është përmendur si ide fillimisht nga presidenti Thaçi. E së fundmi është publikuar biseda e kryeministrit Zoran Zaev, me dyshen e gazmorëve rusë, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, të cilët duke përdorur identitete të rreme liderësh shtetesh telefonojnë personalitete të ndryshme dhe zhvillojnë me ta biseda të gjata.

Në një telefonatë që është publikuar një ditë më parë në faqen e tyre në You Tube, duke u shtirur si ish presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, ata i kanë telefonuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Në bisedë e sipër Zaev duke menduar se po fliste me Poroshenkon, ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Merkel është totalisht kundër idesë.

Image
Ramush Tahiri

“Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë. Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër”, ka thënë Zaev.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Bota sot” se fillimisht duhet të pranohër integriteti territorial i Kosovës dhe i Serbisë në kufijtë e tashëm ekzistues dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e pastaj sipas kritereve të caktuara etnike, gjeografike, ekonomike e historike.

“Kështu mendoj edhe unë. Këmbimi eventual i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, pra më parë pranimi i integritetit territorial i Kosovës dhe i Serbisë në kufijtë e tashëm ekzistues dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e mandej sipas kritereve të caktuara etnike, fiziko-gjeografike, ekonomike, historike, administrative e kritere tjera për të cilat palët pajtohen të këmbejnë ndërmjet vete territor dhe popullsi, dhe ky presedan, pra përjashtim të shfrytëzohet nga forca të caktuara në vende të tjera për raste të caktuara që i konsiderojnë të ngjashme edhe pse Kosova konsiderohet si një rast i veçantë, pra sui generis, që nuk ka dhe nuk duhet të ketë ndikim e as të merret për bazë në rastet në vendet e shtetet e botës. Kjo nuk duhet të shërbejë si shkak për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga Spanja, as e Rumanisë për Erdelin, e Greqisë dhe e Qipros për pjesën turke të Qipros, por as nga Bosnja e Hercegovina për rastin e Republika Srpska, në shembullin e praptuar e as argumenti i Ivica Daciqit, se populli shqiptar nuk ka drejtë t’i ketë dy shtete ne Ballkan”, është shprehur ai.

Në këtë vijë, Tahiri thotë se Vuçiq mendon se nëse këmben territor serbo e shqiptar atëherë Kosova automatikisht duke e humbur shtetësinë e sovranitetin i bashkohet Shqipërisë, duke i hapur udhë edhe Serbisë që të aneksojë Republika Srpska dhe kështu të shpërbëjë BeH dhe të hapë konfliktin kroato- boshnjak për territore.

““Në këtë vijë Vuçiq mendon se nëse këmben territor serbo e shqiptar atëherë Kosova automatikisht duke e humbur shtetësinë e sovranitetin i bashkohet Shqipërisë, duke i hapur udhë edhe Serbisë që të aneksojë Republika Srpska dhe kështu të shpërbëjë BeH dhe të hapë konfliktin kroato- boshnjak për territore. Shqetësimi i kryeministrit Zaev është i arsyeshëm i drejtë dhe legjitim, si dhe frika e tij se kjo mund të rikthejë luftërat e përgjakshme e të pafund në Ballkan. Zaev dyshon te qëllimet e mira të Serbisë e cila i hynë ndryshimit të kufijve ndoshta si thotë e nxitur nga forca të caktuara të Rusisë... edhe pse e thënë në mashtrim naiv si dhe e bërë publike jo ligjërisht duke manipuluar me identitete dhe me prezantim të rrejshëm”, ka vlerësuar ai.

Politologu Tahiri thotë se politika serbe e Vuçiqit e Daciqit si vazhduese e projektit të Milosheviqit e të Sheshelit për të gjithë serbët në një shtet, duke dashur të tregojnë dhe të bindin Botën se lufta në Jugosllavi ishte luftë civile për territoret e jo luftë për të drejta dhe liri qytetare, për atë Vuçiq flet për shqiptarët e Kosovës dhe jo për Kosovën si territor as shtet.

“Unë mendoj se politika serbe e Vuçiqit e Daciqit si vazhduese e projektit të Milosheviqit e të Sheshelit për të gjithë serbët në një shtet, duke dashur të tregojnë dhe të bindin Botën se lufta në Jugosllavi ishte luftë civile për territoret e jo luftë për të drejta dhe liri qytetare e kombëtare kundër shovinizmit e nacionalizmit serb i cili dëshironte me ndihmën e APJ të krijoj Serbinë e Madhe në dëm të Republikave e popujve të tjerë të Jugosllavisë duke bërë spastrim etnik në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë ndërsa intervenimin e NATO -s ta paraqet si agresion ndaj Serbisë e jo si intervenim human për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve. Për atë Vuçiq flet jo për Kosovën si territor as shtet por për shqiptarët e Kosovës me të cilët kinse do të bëjë kompromis duke bërë përkufizim të kufirit”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat