A po zbehet efekti i taksës 100%

Politika

A po zbehet efekti i taksës 100%

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 korrik 2019 Në ora: 22:35
Ilustrim

Taksa 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnje e Hercegovina, nga ana e qeverisë së Kosovës është vendosur për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e vendit.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, nëpër deklarata të ndryshme vazhdimisht dhe me vendosmëri thotë se taksa nuk hiqet pa u respektuar Kosova nga Serbia.

Mirëpo kohët e fundit SHBA-ja dhe BE-ja, e po ashtu edhe diplomatë të shumtë po bëjnë “presion” vazhdimisht duke kërkuar heqjen e taksës dhe rifillimin e dialogut, mes Kosovës e Serbisë.

Berisha: Unë e quaj të tejkaluar këtë temë

Pavarësisht kësaj, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme Anton Berisha, ka thënë për “Bota sot” se nuk është në dijeni për ndonjë presion për taksën, së paku jo nga takimet që ai unë me zyrtarë e diplomat e të huaj.

Image
Anton Berisha

“Unë e quaj të tejkaluar këtë temë; ngase thelbi qëndron te raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë në përcaktimin për njohje reciproke ose për vazhdimin e situatës ekzistuese. Taksa as nuk e rregullon e as nuk e prishë këtë”, përfundoi Berisha.

Kadriaj: Partnerët e koalicionet, të reflektojnë për votën e mosbesimit
 

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj ka thënë se, tanimë është më se e qartë që taksa ndaj Serbisë ka dhënë efektin e vet politik dhe ekonomik.

Për më tepër, ai ka thënë se tani e tutje taksa ka filluar t`i kthehet autogol Kosovës duke ia ndalur të gjitha proceset.

Image
Mustafë Kadriaj

“Me këtë dua të t’i kujtoj opinionit që vetëm për teke të kryeministrit aktual dialogu është larguar nga rendi i ditës po ashtu edhe liberalizimi i vizave tani më nuk është në rendë të ditës për Bashkimin Evropian”.

Ai tutje thekson se, bota perëndimore si SHBA dhe BE nuk marrin vendime arbitrare por përmes mekanizmave të tyre kanë bërë që perspektiva e Republikës së Kosovës ka filluar të numëroj prapa.

“Pra duke marr këtë gjendje aspak të mirë mendoj që edhe partneret e koalicionet duhet të reflektojnë që të japin votën e mosbesimit për kryeministrin aktual sepse çdo ditë me këtë kryeministër është humbje për të ardhmen e Kosovës si nga aspekti politk dhe ekonomik”, shprehet Kadriaj.

Gashi: Taksa kishte efekt pozitiv

Analisti njëherësh drejtori ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare Avonet Kenan Gashi, ka thënë se vendosja e taksave ndaj mallrave serbe ka qenë njëra ndër vendimet më të rëndësishme të qeverisë Haradinaj, pasi që Shteti serb ka pasur një agresivitet teje të madh në të gjitha aspektet politike, ekonomike dhe ato diplomatike, kjo ka bërë që qeveria Haradinaj të merr këtë vendim.

Image
Kenan Gashi

Ai ka thënë se, lobim kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol shtyri që kabineti qeveritarë i Republikës së Kosovës të nxjerr këtë vendim, ku ky propozim ishte edhe më parë i propozuar nga ish-ministri Bajram Hasani.

Ai me tej thekson se, presioni i madh nga ndërkombëtarët dhe konkretisht nga ambasadat si ajo e SHBA-së dhe të BE-së dhe disa nga diplomatët tjerë të akredituar në Kosovë, por këtu ka pasur edhe presion drejtpërdrejt edhe nga administrata Trump, por kjo nuk ka ndikuar që kryeministri Haradinaj të vë në diskutim shfuqizimin e këtij vendimi.

“Në fakt vendimi i vendosjes së taksave 100% të mallrave serbe ka pasur efekte pozitive si në konsumimin e produkteve të prodhimit vendor por ka rritë edhe vetëdijen e qytetarëve për të konsumuar produktet vendore. Kosova duhet të tregojë sovranitetin e saj si atë territorial dhe ekonomik, sepse krijon mundësi për uljen e papunësisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Gashi.

Burjani: Haradinaj po synon të hyjë në zgjedhje me favore për taksën

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot” ka thënë se, taksa s’ka dhënë ndonjë rezultat efektiv kur të merret parasysh se Serbia ka orientuar tregun e saj ekonomik në vendet e rajonit dhe Kinë, pra deri më tash taksa ka pas efekt politik, por jo edhe për atë çka është vendosur.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, prodhimtaria e dobët e Kosovës determinon marrjen e produkteve jashtë rajonit dhe kjo Kosovës i kushton mjaft shumë.

“Disa produkte të shumta janë shtrenjtuar rreth 30%, domethënë është shtrenjtuar jeta e qytetarëve”.

Sipas tij, ky kryeministër nuk e heqë taksën po dëshiron të hyjë në zgjedhje me favore me taksën edhe kjo ka dështuar politikisht për një subjekt të vogël që udhëheq ky njeri, pra nuk duhet humbur kohë me të më, por duhet shkuar në zgjedhje për të liruar këtë njeri nga skandalet e shumta që bën dhe po bënë, po prish raportet me miqtë e Kosovës kot, kush nuk merret me këtë temë përveç që Kosovën e fajësojnë për taksë e ajo është e kot, sepse Serbisë po i konvenon plotësisht një politikë konfuze jo e mençur, Serbia po prolongon zgjedhjen dhe luan lojëra tjera të zakonshme”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat