Preokupim i përhershëm dhe qëllim kryesor i opozitës, në çdo vend e në çdo kohë është mposhtja e pozitës. Kjo për faktin se për realizimin e këtij qëllimi, opozitat janë të pamëshirshme, dhe i përdorin të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike
Kështu ka vlerësuar analisti politik Skënder Zogaj i cili në një prononcim për “Bota sot” e këtillë është edhe opozita aktuale e Kosovës, ku LDK, si pretenduesja kryesore e rrëzimit të qeverisë, vazhdimisht po e shpreh këtë pretendimin por, pos deklaratave nuk ka ndërmarr ndonjë veprim konkret.
“Kjo po ndodh jo pse opozita nuk po dëshiron, por sepse nuk i ka numrat e duhur për ta rrëzuar qeverinë, madje kjo është edhe arsyeja e vetme e zhagitjes. Dhe, kjo zhagitje është shumë e mirë, sepse raporti i forcave pozitë-opozitë është jashtëzakonisht i disfavorshëm për LDK-n, së cilës për rrëzimin e Qeverisë aspak nuk i konvenon koalicioni me VV, dhe nuk duhet ta bëjë. Sepse, fitorja eventuale e LDK me ndihmën e VV-së nuk do të sillte ndonjë cilësi më të mirë qeverisëse! Pra, nuk do të ndodhte ndryshimi i dëshiruar dhe i nevojshëm qeverisës për qytetarët e Kosovës, sepse LDK dhe VV janë dy parti konceptesh krejtësisht të kundërta dhe të papajtueshme, gjë që do të ndodhte vazhdimi i krizës”, ka thënë analisti politik Zogaj.
Sipas tij, LDK-ja nuk prish punë që kërkon rrëzimin e Qeverisë, por më shumë së me rrëzimin, duhet të angazhohet për forcimin e frymës partiake.
“LDK-ja duhet ta angazhohet për reformimin e partisë, krijimin e strukturave me disiplinë të brendshme dhe hierarki funksionale, me denoncimin e guximshëm të elementëve me prirje destruktive dhe të afërta me veprimtaritë e grupeve të organizuara korruptive, që nuk duhet të lejohen në kuadër të LDK-së. Ky duhet të jetë qëllimi jetik i LDK-së sepse, nëse arrihet ky standard, atëherë LDK-ja do të mund të bëhet fituesja absolute dhe spontanisht e ka të garantuar qeverisjen e vendit”, është shprehur analisti politik Skënder Zogaj, duke shtuar se kjo do të ishte udha historike që duhet ta ndjek LDK-ja.