Haradinaj, bashkëpunëtor i Thaçit në ndarjen e Kosovës

Politika

Haradinaj, bashkëpunëtor i Thaçit në ndarjen e Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 korrik 2019 Në ora: 13:25
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Çështja e shkëmbimit të territoreve ende e kanos Kosovën. Ajo, e përmendur fillimisht nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të jetë një ankth për qytetarët e Kosovës.

Në këtë mes për ‘pazarin’ e territorit të Kosovës, po hynë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Baton Haxhiu.

Një plan sekret rreth kësaj çështje, e ka përmendur edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Ai ka zbardhur planin sekret për ndryshimin e kufijve të Kosovës përmes një bisede të publikuar nga Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov. Ai deklaron se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i rus Valadimir Putin po e përgatisnin ndarjen e Kosovës.

Maxharraj: Ekziston rreziku për shkëmbimin, copëtimin dhe korrigjimin e kufijve

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ende ekziston rreziku për shkëmbimin, copëtimin dhe korrigjimin e kufijve, përderisa Presidenti Thaçi e udhëheq këtë dialog.

“Ekziston rreziku për shkëmbimin, copëtimin dhe korrigjimin e kufijve, përderisa Hashim Thaçi e udhëheq dialogun.  Aleksandër Vuçiq se bashku me Ivica Daçiqin janë vrastar dhe kriminelë të vërtetë, sepse ishin pjesë e elitës vrastare të Millosheviqit gjatë luftës të cilët bënë krime dhe masakruan popullin shqiptar. Aleksandër Vuçiq tash është President i Serbisë, nuk është njeri i paqes, nuk është aspak paqësor, nuk dinë se çka është Demokracia Perëndimore, por i përfaqëson vlerat sllave, vlerat e urrejtjes ndaj njerëzve. Ky njëri është i paskrupullt të cilit nuk duhet besuar asgjë kur është fjala për raportet e tij më Kosovën”, vlerëson Maxharraj.

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Duke e krahasuar me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Maxharraj thotë se ai e do vendin e vet, madje thotë se është edhe fajtor për gjendjen në Veriun e Kosovës.

“Por, ky njeri në krahasim me Presidentin e Kosovës Thaçin, e do vendin e vet, lufton për vendin e vet. Ky njeri është më meritori që Veriu i Kosovës është në këtë gjendje që është, që për 18 vjet e mbajti flakën ndezur në veri, sepse me mendje dhe zemër ishte në Kosovë, hynte dhe dilte nga ajo kur të dojë. Këtij njeriut edhe nuk i interesojnë aq shumë një grusht serbë ne Veri, por i intereson nëntoka, pasuritë marramendëse nëntokësore të Veriut, ky njeri është në gjendje të bëjë çmos për të mos u largu nga Veriu. Ky njeri është i pabesë, siç nuk kanë besë të gjithë serbët, këtij njeriut nuk duhet zënë besë. Ky njeri të pretë në besë dhe në çdo kohë me e pas rastin edhe të vret prapë. Ky njeri është me zemër në Rusi, por i dëshiron parat e Perëndimit, filtron me ta, i rrenë, i mashtron derisa të mundet për interesa te shtetit të vet”, thotë profesor Maxharraj.

Ai thotë më tutje se, derisa atmosfera politike në Serbi nuk ka ndryshuar aspak për këto 20 vite të pasluftës, është e njëjta dhe e ngjashme me atë të Millosheviqit, e cila bazën e ka jo në pajtimin me shqiptarët, por me thellimin e urrejtjes midis dy popujve.

“Për këta 20 vite as Vuçiq e as Daçiq por edhe asnjë zyrtar tjetër serb nuk ka dhënë asnjë shenjë pajtimi me shqiptarët, përveç kultivimit dhe rrënjosjes në memorien serbe urrejtjen ndaj shqiptarëve. Kah do që shkojnë veç mbjellin urrejtje ndaj shqiptarëve, e pengojnë Kosovën nga çdo anë që ajo të mos anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtar. Në këtë situatë të urrejtjes ndaj shqiptarëve pozita serbe edhe nuk do të arrijë ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse me shqiptarët. Ajo ka hyrë në dialog me Kosovën për interesa të veta, e jo për ndonjë pajtim eventual me shqiptarët, sepse siç theksoi këto ditë vetë Vuçiq se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje me sintagmën ”duhet të na njohin në kuadër të këtyre kufijve”. Më këtë ai bëri me dije se nuk ka marrëveshje pa ndryshimin apo korrigjimin e kufijve. Këtë e do Serbia, këtë e kanë deshtë edhe shumë gjenerata para Vuçiqit, ata nuk e kanë qëllim mbrojtjen e një pakice serbe në Veriun e Kosovës, por Serbisë i intereson nëntoka e Kosovës, pra pasuritë e saj dhe në këtë pikë Serbia nuk lëshon pe”, thotë ai.

“Falë Samitit te Berlinit kjo çështje u ndal”

Maxharraj thotë se më 2011 filloi njëfarë dialogu me Serbinë, i cili nuk ishte dashur të ndodhë.

“Kosova me finokun e vetë të pa mend dhe kokë Hashim Thaçin e nisi dialogun me Serbinë pa kurrfarë kushtesh, bile as për kërkim falje për masakrat dhe gjenocidin që e ka bërë në Kosovë, sepse me këtë edhe zyrtarisht Serbia u fut në lojë në luftën për rrëmbimin e Veriut të Kosovës. Për shtatë vjet u bë një dialog i pakuptimtë, pa kurrfarë rezultati, pa kurrfarë transparence për Kosovën, por me disa marrëveshje që Hashim Thaçi si finok që është, pa dijen e askujt dhe në dëm të Kosovës i bëri më Serbinë, siç ishte Demarkacioni me Malin e Zi  dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe. Hashim Thaçi në krye në vete, pa e pyet askënd në stilin e një despoti, e rrëmbeu udhëheqjen e dialogut ani pse Kushtetuta nuk ia lejon, sepse kjo është kryesisht çështje e Qeverisë e cila duhet të udhëheq me dialogun. Ai e rrëmbeu me dhunë dhe filloi bisedat me Vuçiqin. Në këto biseda Hashim Thaçi iu nënshtrua plotësisht kriminelit Vuçiq duke e aprovuar edhe kërkesën e tij për korrigjimin e territorit të Kosovës. Për këtë Hashim Thaçi edhe lobojë nëpër botë se duhet me u bë një marrëveshje me Serbinë, pra duke e bërë korrigjimin e kufijve tha se do ta bëjmë një marrëveshje historike gjithsesi në dobi të Serbisë. Çështja e korrigjimit te kufijve e mori dheun, u çudit e tërë bota me Presidentin tonë Hashim Thaçi duke theksuar se është i vetmi president që lobon për zvogëlimin e territorit të shtetit të vetë. Por,falë Samitit te Berlinit kjo çështje u ndal, ishte e rreptë Kancelarja Angela Merkel e cila i bëri Thaçit me dije se nuk ka korrigjim të kufijve. Për korrigjimin e kufijve për të cilin Presidenti i Kosovës harxhoi shumë energji kot nuk e ka aprovimin e populllit, as të partive tjera politike qofshin në opozitë apo në pozitë. Korrigjimin e kufijve nuk e pranon plotësisht as PDK”, thekson ai.

Maxharraj thotë se ky rrezik për shkëmbim të territoreve nuk ka kalu. Rreziku është i pranishëm përderisa Hashim Thaçi të lejohet të udhëheq me dialogun.

“Nuk duhet të lejohet assesi që ky njeri i cili deri më tani e uzurpoi paligjshëm dialogun, të lejohet edhe më tutje të udhëheq me të, sepse Hashim Thaçi është njeri i pabesë, ai për interesa të veta personale është në gjendje ta jep edhe gjysmën e Kosovës, të bëjë kompromise me Serbinë në dobi të saj, sepse Serbia kurrë nuk do ta arrijë ndonjë marrëveshje me Kosovën sa për sy e faqe, por ajo do me shumë, kërkon Veriun e Kosovës të cilin de jure dhe de facto edhe tash e ka në dorë Veriun e Kosovës. Qeveria e Kosovës e në veçanti Kryeministri Ramush Haradinaj i cili edhe është kundërshtar i korrigjimit të kufijve duhet ta largon Thaçin nga dialogu me Serbinë. Dialogun duhet ta merr  vetë Qeveria sipas Kushtetutës të cilin edhe e deklaroi Kushtetuesja kohëve të fundit. Nuk është e mjaftueshme që Kryeminstri veç të deklaron se është kundër korrigjimit të kufijve, por ai edhe duhet të veproi duke e larguar Thaçin nga dialogu me Serbinë, sepse nëse këtë nuk e bën Kryeministri Ramush Haradinaj atëherë bëhet bashkëpjesëmarrës me Thaçin në rrezikimin e sovranitet të Kosovës. Kjo është e qartë si loti nëse Hashim Thaçi lejohet jo ligjërisht, kundër Kushtetutës të vazhdoi dialogun, ekziston rreziku permanent se do të këtë korrigjim të kufijve, sepse ky njeri është lodër e Serbisë, e shantazhuar dhe e zënë rob nga Serbia”, thotë profesor Maxharraj.

Më e ndershme është që të rrëzohet Qeveria

Ai thotë se nuk ka prioritet më të lartë për Qeverinë se sa fakti se duhet të marrë në dorë dialogimin me Serbin dhe ta largojë Thaçin, i cili deri më tani këtë dialog e ka uzurpuar dhunshëm.

“Nuk duhet Kryeministri ta ruaj pozitën e Kryeministri duke e lejuar Thaçin të dialogojë, sepse më këtë bën veprim antikushtetues me rrezikshmëri të lartë për humbjen e sovranitetit të Kosovës. Qeveria dhe Kryeministri kurrsesi nuk duhet të lejoj që Hashim Thaçi të vazhdoi dialogun sepse, siç thash, ky njeri është shumë i rrezikshëm me të cilin kufijtë e Kosovës mund të prekën. Më e ndershme është që edhe të rrëzohet Qeveria dhe të shkohet në zgjedhje të reja se sa të lejohet që Presidenti i dhunshëm, sepse dhunshëm erdhi si President, të lejohet, të vazhdoj dialogun me Serbinë, kur dihet shumë mirë se për çfarë angazhohet Serbia, pra për ndarjen e Kosovës, që ndaj kësaj kërkese finoku Hashim Thaçi nuk mund t’i rezistoj për shkak të shantazheve dhe dosjeve që i ka në Serbi për të kaluarën e tij. Pra,vetëm Qeveria e Kosovës mund ta ndalë shkëmbimin dhe korrigjimin e kufijve, jo me fjalë, por me vepra duke ia pamundësuar Thaçit që të vazhdoi me dialogun më Serbinë. Nëse këtë nuk e bën Qeveria ekziston rreziku permanent për shkëmbimin, copëtimin dhe korrigjimin e kufijve”, përfundon profesor Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat