Me Buxhovin, “Stupcat” dhe UÇK-në, por kundër “komandantëve”! - Bota Sot
Me Buxhovin, “Stupcat” dhe UÇK-në, por kundër “komandantëve”!

Politika

Me Buxhovin, “Stupcat” dhe UÇK-në, por kundër “komandantëve”!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 13 korrik 2019 Në ora: 19:27
"Stupcat" dhe Jusuf Buxhovi

Një deklaratë e historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi e cila nuk ishte as e para e as e fundit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur qindra apo ndoshta edhe mijëra reagime në shoqërinë tonë.

Buxhovi në një emision televiziv derisa ishin duke diskutuar rreth vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së pas luftës, si dhe rreth marrjes së pushtetit nga UÇK-ja, që po konsiderohet se ishte puç tha se UÇK-ja nuk ishte krejt e pastër sepse pas luftës janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së, mbas luftës”, ka potencuar ai.

Mjafton kjo deklaratë e tillë për të bërë bujë në opinion. Ka pas reagime nga më të ndryshmet kundër tij. Një reagim i ashpër i kishte ardhur edhe nga Gani Koci, deklarata e tij e cila po cilësohet si thirrje për vrasje ndaj Buxhovit. Por Buxhovi e tha vetëm një mendim të tij, që ne duhet ta mirëpresim edhe po që si konvenon dikujt!

Ashtu siç thash edhe më lart, deklarata e historianit nuk ishte e para dhe e vetmja ndaj UÇK-së. Një video humoristike e “Stupcave” e realizuar për kohën e luftës në Kosovë kishte ngjalluar reagime po të njëjtat.

Edhe ata ishin kritikuar, sha e fyer pas publikimit të atij skeçi.

Skeçi i shfaqur nga “Stupcat” paraqet komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa i ndajnë pozitat për pushtet, ndërsa luftëtarët e vërtetë, ata të cilat luftuan me qëllimin e vetëm që të behët çlirimi i Kosovës nga fashistët serb ishin në vijën e parë të frontit duke bërë luftën e shenjt për këtë tokë.

Është e pakuptueshme, dhe jonjerëzore nga gjithë ata që reaguan ndaj një skeçi të tillë, por edhe ndaj Jusuf Buxhovit, sepse “Stupcat” e kishin paraqitur skeçin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, ndaj atyre që asnjëherë nuk luftuan për Kosovën, ndaj atyre që përfituan në luftë, nga lufta dhe tash në paqe.

Në atë skeç, shihet mjaftë qartë se momenti i ndarjes së posteve nga komandantët bëhet pikërisht në ato qaste kur në vijën e parë bëhet një luftë mes luftëtarëve të UÇK-së dhe ushtrisë gjenocidiale të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç.

Lufta Çlirimtare e UÇK-së, është gjëja më e bukur dhe më e shenjt që ka ndodhur në shekujt e fundit për shqiptarët. Prandaj, në asnjë moment nuk është fyer lufta e drejt për çlirimin e vendit tonë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti, ndërsa idealin që e kishin luftëtarët e kësaj ushtrie është keqpërdorur pikërisht nga këta “komandantët” që uzurpuan dhe u pasuruan që nga lufta e deri më sot!

Gjaku i derdhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nga asnjë kauzë nuk mund të keqpërdoret, të fyhet dhe të nënçmohet nga të tjerët, e sidomos nga ata që thirrën në vlerat e kësaj.

Pse po e them këtë?

Sepse, ata që reaguan ndaj Buxhovit dhe ndaj “Stupcave”, edhe pas njëzetë viteve të kaluara pas luftës e në liri, asnjëherë nuk e kthyen kokën nga luftëtarët e UÇK-së, asnjëherë nuk i ndihmuan ata që luftuan dhe që dhanë gjithçka për Kosovën. Madje nuk i ndihmuan as ata që mbetën pa gjymtyrët e trupit të tyre, as familjet e dëshmorëve që ranë për këtë tokë, e as veteranët e vërtetë të UÇK-së.

Kjo kauzë ka sjellë edhe vetëvrasje tek ish-ushtarët e UÇK-së, e këtë gjë nuk bënë të harrojnë as qytetarët e Kosovës e as OVL e UÇK-së!

Një proverb popullore thotë: “Kush e ka mizën nën kapuç reagon”! E si duket nga deklarata e Buxhovit janë “prekur” shumë “komandantë” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, jo të gjithë. Sepse shumë ish-komandantë të kësaj Ushtrie të lavdishme të popullit tonë pajtohen me atë që ka thënë Buxhovi dhe me skeçin e “Stupcave”.

Nuk duhet harruar edhe një gjë, se ka pas mundësi infiltrimi të segmenteve të ndryshme në UÇK, mirëpo, do të kishte qenë absurde nëse dikush do të përpiqej të thotë se nuk ka pasur në UÇK edhe kriminelë.

Kjo për faktin se, ka pasur vepra kriminale, ka pasur vrasje figurash brilante nga më të shkëlqyeshmet atdhetare që janë vra tinëzisht, si kolonel Ahmet Krasniqi, Ilir Konushevci, Ali Ukaj, Xhemal Mustafa, Enver Maloku, Ismet Raci, Shaban Manaj e shumë e shumë të tjerë, që janë vepra të kriminelëve të cilët duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e merituar, për t’ia lehtësuar udhën lirisë dhe për t’ia forcuar themelet shtetit të Kosovës.

Krejt në fund, imazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të prishet e as të mohohet nga askush. Populli shqiptar, sa të ekziston do të krenohet me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë atyre që ranë për liri!!!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...