Rusia zyrtarisht ka pranuar kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë - Bota Sot
Rusia zyrtarisht ka pranuar kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë

Politika

Rusia zyrtarisht ka pranuar kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë

Nga: D.B Më: 14 korrik 2019 Në ora: 11:06
Ivica Daçiq dhe Sergei Lavrov

Diplomati Shaban Murati ka thënë se paradokset në diplomaci janë si paradokset në letërsi, pra nuk njohin kufij.

Sipas tij, kjo për faktin se një tejkalim i tillë kufijsh etikë dhe diplomatikë është deklarata e ministrisë së jashtme të Rusisë në datën 8 korrik kundër bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe nismës së dy shteteve për përdorimin e selive të përbashkëta diplomatike.

“Diplomacia ruse lëshon bateri të rënda, duke akuzuar se “shkaktojnë shqetësime serioze hapat provokuese dhe veprimet sfiduese të Tiranës dhe të Prishtinës në zbatim të konceptit të “Shqipërisë së Madhe”, etj. Gjylja diplomatike ruse erdhi pas stuhisë në gotë, që ngriti qeveria dhe diplomacia serbe për këtë temë, ku kryeministrja Ana Bernabiç e cilësoi si “të tmerrshme” marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme, ndërsa ministri i jashtëm serb, I.Daçiç, të cilit i ka mbetur ora në kohën e qeverisë së kriminelit Millosheviç, ku bënte pjesë, deklaroi mufkën e radhës se Kosova nuk ka të drejtë të krijojë bashkëpunim strategjik në politikën e jashtme me Shqipërinë sepse “është pjesë integrale e Serbisë”. Ky mobilizim diplomatik ruso-serb ka arsyet e veta”, ka thënë diplonmati Murati.

Image
Shaban Murati

Sipas tij, janë dy rrethana të tanishme, ku Rusia dhe Serbia mendojnë se mund të përfitojnë dhe të krijojnë avantazh për të rikthyer pozitat, që kanë pasur në Kosovë para vitit 1999.

“E para është dështimi i nismës diplomatike franko-gjermane për të realizuar marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dështim që u sanksionua me mos-mbajtjen e takimit të caktuar të Parisit të 1 korrikut. Rrethana e dytë është situata e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri, ku klasa politike shqiptare e ka futur vendin në një trekëndësh, ku të gjithë shtetet jomiqësore po inkurajohen ta godasin ku të mundin. Kësaj jave Shqipëria përuroi publikisht portretin moldav dhe venezuelian të politikës së jashtme me sindromën e dy kuajve, që e tërheqin në drejtime të kundërta, duke dobësuar si rolin rajonal të faktorit shqiptar, ashtu dhe mbështetjen për Kosovën. Këtë shfaqje dobësie shtetërore të Shqipërisë shfrytëzuan Rusia dhe Serbia, duke e vlerësuar si moment oportun diplomatik për të goditur ecjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në rrugën e drejtë të bashkëpunimit strategjik në fushën e politikës së jashtme. Duke e ditur se nervi i reagimit të Shqipërisë ka vdekur, strategjia diplomatike ruso-serbe është vetëm të godasin, qoftë dhe jashtë çdo logjike dhe norme të së drejtës dhe të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë diplomati Shaban Murati.

Ai konsideron se paradoksin e qëndrimit ruso-serb kundër bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me Kosovën në fushën e politikës së jashtme e përbën në radhë të parë fakti se Rusia dhe Serbia kanë vetë midis tyre një bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, të zyrtarizuar edhe me një traktat dypalësh.

“Kjo është sanksionuar me Traktatin e Partneritetit Strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013, ku ndër pikat kryesore është pikërisht koordinimi strategjik dhe bashkëpunimi strategjik dypalësh në fushën e politikës së jashtme. Nuk dihet përse në MPJ të Rusisë e quajnë normale bashkëpunimin e tyre strategjik me një shtet si Serbia, që ndodhet në një rajon shumë larg Rusisë, dhe e quajnë të palejueshëm bashkëpunimin strategjik midis dy shteteve sovrane Shqipëri-Kosovë, ngjitur me njeri-tjetrin”, ka thënë diplomati Murati.

Ai vlerëson se MPJ e Rusisë e di fare mirë që rezoluta e vdekur 1244 e KS të OKB nuk i takon Serbisë, sepse Serbia nuk përmendet në asnjë rresht të saj dhe nuk ka pasur kurrë një mbledhje të KS të OKB për një rezolutë të re, që të korrigjonte terminologjinë e rezolutës 1244 dhe t’ia faturonte Serbisë.

“Nuk dihet për çfarë arsyesh Moska vazhdon avazin diplomatik se në bazë të rezolutës 1244 Serbisë gjoja i takon sovraniteti mbi Kosovën, gjë që rezoluta nuk e përmban. MPJ e Rusisë mund të rihapë arkivat e saj dhe të rishohë se ministri saj i jashtëm Sergej Lavrov ka qenë pjesë e Grupit të Konkaktit pë Kosovën dhe ka firmosur dhjetë pikate famshme të Deklaratës së Grupit të Kontaktit për Kosovën, sipas të cilave Kosova nuk do të bashkohet me asnjë shtet tjetër dhe me asnjë pjesë të një shteti tjetër, që do të thotë se Rusia ka qenë dakord zyrtarisht me kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë. Rusia nuk respekton vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe nga ana tjetër njeh të ashtuquajturat shtete të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut, që i ka shpikur vetë”, ka thënë Murati, duke shtuar se lidhur me Serbinë paradoksi është akoma më i madh.

Sipas tij, Serbia ka pranuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar me Kosovën në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, se është dakord që Kosova të bëhet anëtare e BE dhe nuk do ta pengojë atë as pranë palëve të treta.

“Beogradi e dinte se në BE pranohen shtete dhe jo provinca, ndaj marrëveshja e 19 prillit ishte hapi i parë serioz për të pranuar shtetësinë e Kosovës. Tani del ministri i jashtëm serb Daçiç, që e ka firmosur vetë atë marrëveshje, dhe thotë që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë të drejtë që të bëjnë marrëveshje për bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme.

Elementi më komik i paradoksit diplomatik ruso-serb është anatemimi i tyre për nismën e përdorimit të përbashkët të selive të misioneve diplomatike nga Shqipëria dhe Kosova. Së pari, u duhet kujtuar ministrive të jashtme të Rusisë dhe të Serbisë se kjo është një praktikë e njohur diplomatike ndërkombëtare, të cilën nuk e kanë shpikur shtetet shqiptare. Është model i njohur, të cilin e përdorin me efikasitet shtetet skandinave, të cilat shfrytëzojnë selitë e përbashkëta në disa shtete për misionet e tyre diplomatike jashtë. Së dyti, Serbisë i duhet kujtuar se kjo është edhe një praktikë diplomatike serbe”, ka thënë diplomati Murati.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...