“Luftë e heshtur”, AAK-Nisma, a po thyhet koalicioni PANA nga brenda? - Bota Sot
“Luftë e heshtur”, AAK-Nisma, a po thyhet koalicioni PANA nga brenda?

Politika

“Luftë e heshtur”, AAK-Nisma, a po thyhet koalicioni PANA nga brenda?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 15 korrik 2019 Në ora: 19:51
Krerët e vendit

“Prandaj edhe kemi deklarime të kohëpaskohshme të subjekteve apo individëve brenda subjekteve qeverisëse, e në mënyrë që të kenë opsion rezervë në rast se bie qeveria. Kjo, megjithatë, nuk është arsye që opozita mos të punoi për përmbysjen e qeverisë më të që kemi pasur. Nuk është vetëm interes opozitar, por tanimë është interes edhe nacional që kjo qeveri të ikë sa më parë që është e mundur”, tha Bajram Gecaj nga LDK.

Kohëve të fundit është vënë re një ftohje ndërmjet partive kryesore që përbëjnë koalicionin PAN, në mes të Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së, shkruan “Bota sot”.

Madje, edhe Ish- ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani i cili u shkarkua nga partia “Nisma”, është bërë pjesë e Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës.

Të kujtojmë se, Bajram Hasani mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, deri në shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte shkarkuar nga Nisma Socialdemokrate, e cila është në koalicion qeverisës me partinë AAK-në.

“Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkuan sot ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, profesoresha Anila Tusha-Kastrati, Abdyl Brestovci, ekonomist i shquar dhe Burhan Arifi, stomatolog i njohur”, njofton AAK.

Haradinaj: Ka përplasje të zyrtarëve

Që ka një ftohje në mes të dy partive kryesore të koalicionit PAN, e ka pranuar dhe vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë koalicion.

“Marrëdhëniet e AAK-së me Nismën datojnë me vite, pra që nga koha e VLAN-it, pra që atëherë ne kemi ndërtuar partneritet së bashku atëherë kemi hyrë në koalicion me PDK-në. Në raste të tilla ka përplasje të zyrtarëve. Kam respekt për Nismën dhe Limajn sikurse edhe ata që kanë respekt për ne”, ka thënë kreu i AAK-së.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, u shpreh shkurtimisht për “Bota sot”, që këto lëvizjet janë normale të politikës në Kosovë.

Image
Jakup Krasniqi

“Shkurt: Situatë normale në politikën tone”, tha ai.

Berisha: Koalicionin nuk e rrezikojnë fjalët e çarshisë

Nga ana tjetër, deputeti i Parlamentit të Kosovës, nga radhët kësaj partie, Zafir Berisha, për “Bota sot” tha se koalicionin qeverisës nuk e rrezikojnë fjalët – siç shprehët ai – të çarshisë.

Ai, është i mendimit se koalicionin qeverisës mund ta prish veç mosfunksionimi i institucioneve.

Image
Zafir Berisha

“Koalicionin nuk e rrezikojnë fjalët e çarshisë. Koalicionin e rrezikon mosfunksionimi i institucioneve ose hapat e gabuar që bien ndesh me objektivat e shtetit të Kosovës”, tha Berisha.

Demaliaj: Ata kanë të drejtë të aderojnë në parti në të cilat e gjejnë vetën

Nga ana tjetër, Shkumbin Demaliaj, nga AAK, për “Bota sot”, tha se raportet në mes të Nismës dhe AAK-së janë shumë mirë dhe se nuk ka ndonjë acarim, ndonëse si subjekte veprojnë ndaras.

Image
Shkumbin Demaliaj

“Raportet në çështjet e funksionimit të koalicionit janë shumë mirë. Nuk ka ndonjë acarim edhe pse si subjekte veprojmë ndaras”, tha ai.

Më tej, Demaliaj, theksoi se lidhur me çështjet e lëvizjes së anëtarësisë, ato janë lëvizje individuale të personave të caktuar që duhen respektuar.

“Ata kanë të drejtë të aderojnë në parti në të cilat e gjejnë vetën. Nuk kam njohuri për ndonjë qëndrim zyrtar të partisë në koalicion lidhur me lëvizjet e fundit që ndodhin në anëtarësi. Ne kemi pasur rast kur në Nismën Social Demokrate kanë aderuar anëtar të AAK-së por kanë qenë të izoluara dhe nuk kemi shprehë ndonjë pakënaqësi”, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë ndodh për shkak se jemi të lirë dhe se kemi të drejtë të anëtarësohemi aty ku e gjejmë vetën dhe aty ku kemi mundësi për ta ushtruar aktivitetin politik.

Gecaj: Tanimë është interes edhe nacional që kjo qeveri të ikë sa më parë që është e mundur

Ish-zëvendësministri Bajram Gecaj, i cili në një prononcim për “Bota sot”, tha se prishjen apo ftohjen në mes të Nismës dhe AAK-së e beson vetëm atëherë kur sheh veprime konkrete. Edhe pse, Gecaj, nuk e mohoi që mund të kenë dallime thelbësore në çështje të caktuara, ata nuk mund ta prishin koalicionin se rrjedhimisht i bie që të prishet – siç tha ai – qeverisja e “mjaltit”. Epitet ky duke iu referuar punësimit dhe keqpërdorimit enorm të qeverisë Haradinaj.

Image
Bajram Gecaj

“Unë prishjen e tyre e besoj vetëm kur ta shoh në veprim konkret. Edhe pse mund të kenë dallime në çështje të caktuara, nuk besoi që këta partner të koalicionit do ta rrëzonin “qeverinë e mjaltit” për ta. Pra qeverinë e cila po u mundëson trashjen e dhjamit dhe punësimin, siç ka thënë Milaim Zeka, edhe të “minjve në tavan”, tha ai.

Sipas tij, kjo qeverisje kështu siç është, është e paqëndrueshme dhe se dikah do të duhej t’i hyjë e çara. Por shton Gecaj, kjo nuk duhet të jetë arsye që opozita të rrijë dhe të mos punoj për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Ngase sipas tij, përmbysja e qeverisë aktuale është në interesin nacional dhe jo vetëm atë shtetëror.

“Prandaj edhe kemi deklarime të kohëpaskohshme të subjekteve apo individëve brenda subjekteve qeverisëse, e në mënyrë që të kenë opsion rezervë në rast se bie qeveria. Kjo, megjithatë, nuk është arsye që opozita mos të punoi për përmbysjen e qeverisë më të që kemi pasur. Nuk është vetëm interes opozitar, por tanimë është interes edhe nacional që kjo qeveri të ikë sa më parë që është e mundur”, tha ai.

Krasniqi: Është thjesht një koalicion interesash personale e partiake

Ndërkaq, publicisti, Faik Krasniqi, për “Bota sot”, tha se nuk mund të ketë koalicion parimor që është i përbërë nga 20 parti me ideologji të ndryshme.

Sipas tij, ky koalicion është për interesa personale e partiake. Si rrjedhojë, jo kollaj vjen deri tek përçarja për shumë arsye.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk mund të ketë koalicion parimor kur ai koalicion është i përbërë nga më shume se 20 parti, me ideologji të ndryshme. Është thjesht një koalicion interesash personale e partiake. Marrëdhëniet në mes të AAK-së dhe Nismës i shoh normale dhe abnormale. Normale sepse nuk shoh prishje tek ta për arsye të aderimit të një ish-ministri të Nismës në AAK”, tha ai.

Sipas tij, Fatmir Limaj nuk do të rrezikoj kaq lehtë për ta rrëuar qeverinë nëse paraprakisht nuk sigurohet për një të ardhme të afërt.

“Fatmir Limaj nuk është çmendur të largohet nga koalicioni, sepse është parti minore dhe falë koalicionit të përbashkët me AAK, sot është në pushtet dhe gëzon të gjitha privilegjet. Pa u siguruar mirë që do i bëhet bisht ndonjë partie politike, në mënyrë që edhe pas zgjedhjeve të tjera, nuk del nga koalicioni. Abnormale, siç e thashë më herët formimin e këtij koalicioni qeverisës. Nëse vjen deri të prishja e këtij koalicioni, do të vijë nga PDK-ja, por jo për shkak të përplasjes së AAK-së dhe Nismës”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi, pohoi se kjo qeveri s’ishte stabile qysh nga fillimi dhe se këto përplasjet janë mëse normale.

“Kjo qeveri stabile s’ka qenë prej fillimit, nuk është as tash por këta do e mbajnë në këmbë qeverinë për shkak të interesave personale të përbashkëta që kanë”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...