Truri i Kosovës po “liberalizohet” heshtur, vendit po i ikin kuadrot më të mira

Politika

Truri i Kosovës po “liberalizohet” heshtur, vendit po i ikin kuadrot më të mira

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 korrik 2019 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Premtime vit pas viti, shampanja e festime nga ana e Qeverisë për liberalizim të vizave, por që rezultuan të jenë vetëm gënjeshtër.

Kjo është saga e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, që siç duket nuk do të marrë fund edhe për një kohë të gjatë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është shprehur pesimist sa i përket mundësisë që liberalizimi i vizave të ndodhë sivjet. Palloci në një konferencë për media, të mbajtur me rastin e marrjes së kryesimit të SEECP-së nga ana e Kosovës, ka thënë se me dëshirë do të thoshte që liberalizimi do të ndodhte qysh nesër, por siç tha ai, “nuk mund të premtoj asgjë”.

“Mos më bëni të premtoj asgjë. Unë me vullnet do t’iu thoja ‘nesër’. Por, nuk mundem t’iu them. Jemi duke punuar, jemi në rrugë të mirë për këtë”, tha ai.

Por, ndryshe nga zëvendëskryeminisri Pacolli, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ende beson që shumë shpejtë do të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Haradinaj, gjatë një vizite në komunën e Vushtrrisë, ka folur për liberalizimin e vizave, duke thënë se nuk është larg dita kur do të bëhet liberalizimi.

“Iu siguroj që vizat nuk e kemi larg që t’i marrim. Sot e kemi pasur ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë, Jens Sphan. Kam biseduar edhe me të për këtë temë. Jemi duke punuar, nuk është larg dita e marrjes së vendimit për vizat.

Kollçaku: Po ndodhë një liberalizim i heshtur i trurit të Kosovës

Image
Fatmire Mulhaxha Kollçaku

Fatmire Mulhaxha Kollçaku, deputete nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për gazetën “Bota sot” tha që ajo çfarë kanë premtuar krerët e Republikës së Kosovës për liberalizim është qesharake dhe shumë joserioze.

“Kjo ka qenë shumë qesharake mos të them jo serioze sepse ju i dini edhe shampanjat janë qelë dhe janë dhënë premtime. Ne kemi pasur dje një takim me Kuvendin e Republikës së Kosovës me Komisionin e Integrimeve Evropiane me gazetarin e mirënjohur Agustin Palokaj, i cili raporton nga BE-ja dhe nga Brukseli. Ai ka thënë që ajo çfarë zyrtarët nga BE-ja mund të thonë është diçka që nuk do të ndodhë brenda këtij viti por asnjëherë nuk mund të thuash se kur do të ndodhë. Ne kemi treguar që ajo nuk ka pasur gjasa që të ndodhë më, pasi që e kemi ditur që në këtë vit do të jenë zgjedhjet në BE dhe ka qenë pothuajse e pamundur që të ndodhë sepse komplet BE-ja ka qenë e zënë me zgjedhjet e tyre.

Ndërsa askush nga kryesia e BE-së nuk e ka thënë se kur do të ndodhë tek qytetarët tanë këta kanë qenë shumë joseriozë, kanë dhënë premtime tash e 10 vite mbrapa dhe e dimë që ende nuk ka ndodhur asgjë me të vërtet kanë qenë shumë jo serioz me qytetarët.

Kollçaku, tutje shprehët që ligjin të cilën e kanë shkruar në letër duhet të zbatohet në realitet, sepse mos luftimi i sinqertë i krimit të organizuar dhe korrupsionit dërgojnë në pengesat e liberalizimit të vizave:

“Mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të shikohet nga dy aspekte për pengesat. E para është që përkundër faktit që është thënë janë kryer të gjitha obligimet e Kosovës qëndron fakti që shumë prej pikave do të thotë që është dashur të përmbushen në fakt janë përmbushur vetëm në letra, p.sh në miratimin e ligjit nuk përfundon kriteri sepse duhet edhe ta zbatosh atë ligj, pastaj çështja e mosluftimit të sinqertë të krimit dhe korrupsionit të organizuar institucional. Kur siç e dini nuk e kemi një aktakuzë të prerë d.m.th një vendim të Gjykatës, lidhur me ndonjë zyrtarë të lartë publik që e dimë që kemi shumë zyrtarë të lartë me aktakuza dhe thjeshtë nuk është luftuar sinqerisht, janë luftuar vetëm profilet e ulëta, por jo tek profilet e larta”, tha Kollçaku.

Më tej, Kollçaku cek që Evropa nuk guxon të bëjë lëshime sepse ka pasur raste që shtetet që kanë fituar liberalizim të bëjnë gabime, mirëpo kur shikon nga ana tjetër që kriminelët mund të udhëtojnë edhe pa viza atëherë mendoj që ka të bëjë me një padrejtësi kundrejt qytetarëve të rëndomtë.

“Por nga ana tjetër mbetet shumë për të bërë nga ana e palës shqiptare mirëpo në anën tjetër Evropa merr si mësim për shkak të gabimeve të shteteve të tjera, p.sh. vlerësojnë që disa prej shteteve nuk është dashur të vihet kaq shpejt liberalizimi i vizave, për shkak se pastaj kanë ndodhin shumë shkelje nga shtetasit e atyre shteteve, që tanimë kanë fituar jo vetëm liberalizmin e vizave, por janë bërë edhe anëtare të BE-së. Dhe atëherë janë shumë të kujdesshëm karshi shteteve. Këtu është padrejtësia që iu bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër e shikojmë që kriminelët nga të gjitha vendet udhëtojnë dhe gjejnë mundësi të udhëtojnë edhe pa viza. Ata që i përkasin botës së krimit ata e gjejnë kanalet për me depërtu edhe përmes shteteve, ata po ashtu edhe politikanët kanë mundësi ose kanë shtetësi tjetër ose gjejnë mundësi mirëpo vërtet kush po pëson po janë qytetarët e rëndomtë të cilëve po i pamundësohet lëvizja e lirë”, u shpreh Kollçaku.

Deputetja më tej tregon që në Kosovë po ndodhë një liberalizim i heshtur i trurit të Kosovës, pasi që me mundëisne që po i ofrojnë shtetet e Evropës për të punuar po lejojnë në një formë qarkullimin e qytetarëve, por kjo do të na dërgojë neve si shtet në krizë për ekspert të punës.

“Po ashtu edhe një e vërtet tjetër që tashmë po ndodhë, është një liberalizim i heshtur i trurit të Kosovës se siç po e dini shtetet, si Gjermania tashmë janë të interesuar për një lëvizje të qytetarëve të kontrolluar, tashmë më lehtë ia japin një qytetari një leje pune sepse ata e filtrojnë e din kush është ai. I nevojitet kuadri i caktuar edhe më lehtë marrin profesionit shëndetësor sepse lehtë mund të marrin leje pune, ndërsa një qytetarë që thjeshtë dëshiron të shkoi si turist nuk mund të shkojë lehtë. Do të thotë tash po ndodhë diçka që s`ka ndodhë kurrë më herët, diçka e pa paramenduar, që shumë më lehtë mundesh me ardhë deri të një leje e punës diku në BE se sa thjeshtë të shkosh të aplikosh për një vizë turistike. Dhe kjo do të thotë që disa shtete të BE-së, vlen të ceket Gjermania, janë të interesuar për qytetarët të Republikës së Kosovës, të cilët kanë profesion dhe kanë zotësi, ata kanë nevojë shumë për njerëz të tillë dhe ajo që do të ndodhë dhe është duke ndodhë, do të na ikin njerëz që janë më të përgatitur, rinia që është shkolluar këtu, në të cilët është investuar edhe më shumë procedura të lehta ata do të shkojnë dhe pas disa viteve ne do të kemi krizë këtu për ekspertë të caktuar, përfundon Kollçaku.

Voca: Kosova ende nuk ka liderë të mirëfilltë

Image
Mirsad Voca

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, tha që Kosova ka institucione që nuk japin llogari dhe përfaqësues të papërgjegjshëm. Voca cek gjithashtu qëndrimet konfuze të Presidencës.

“Nëse bëhet një vështrim i shpejtë dhe i thjeshtë ndaj institucioneve aktuale të Kosovës, mund të themi me gjithë mend se kemi papërgjegjësi të njëpasnjëshme për ç’gjë askush nuk jep llogari. Kjo nënkupton se kemi institucione pa llogaridhënie, kemi përfaqësues të papërgjegjshëm me të cilët besoj pa dyshim se vendi nuk mund të ndërtohet dhe nuk mund të integrohet.

Të fillojmë nga Presidenca e cila sistematikisht mbanë qëndrime konfuze dhe labile sa i përket një marrëveshje me Serbinë si dhe vazhdon me kritika të pamatura të Presidentit ndaj BE-së duke e kërcënuar BE-në se nëse nuk i liberalizojnë vizat Kosova do të kërkojë partnerë tjerë. Me qëndrime të tilla nga ana e institucionit më të lartë të vendit, Kosova nuk mund të mëtoj të përafrohet me BE-në. Presidenca po ashtu nuk po arrin të krijoj sidomos atmosferë unifikuese në vend e që roli primordial i Presidentit të vendit është që të ketë pikërisht këtë rol që konsideroj se është më i rëndësishmi për një lider vendi”, tha Voca.

Sipas Vocës, kemi të bëjmë me plotë skandale duke filluar nga mosluftimi i korrupsionit e deri tek ministrat, të cilët janë në ekzekutiv me aktakuza. Voca, përmend edhe deputetët që nuk tregojnë përgjegjësi në punën e tyre si përfaqësues të popullit:

“Sa i përket Ekzekutivit, këtu kemi të bëjmë me plotë skandale, me mos luftim të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe atij ekonomik, me kapjen edhe më të thellë të Shtetit, me qëndrime kryeneqe sikur presidenca ndaj BE-së sa i përket taksës e cila më shumë po e rëndon sesa lehtëson politikën e jashtme të vendit tashmë shumë e dobët në krye me Behgjet Pacolli, përgjatë të të cilit mandat u tërohoqën dhe u ngrirën njohje për Kosovën. Për më shumë, në ekzekutiv, kemi ende njerëz me aktakuza si ministra, zëvendës ministra dhe këshilltarë. Me garniturë të tillë qeverisëse si dhe me politika të dobëta të ekzekutivit natyrisht se procesi integrues përfshirë këtu liberalizimin e vizave stagnon.

Dhe në fund tek Legjislativi, edhe deputetët, si individë por edhe si grupe nuk tregojnë seriozitet, përgjegjësi në punën e tyre si përfaqësues të popullit sepse mungojnë pa arsye në shumë seanca dhe për rrjedhojë në mungesë të kuorumit ndëprehen seanca ku shumë ligje nuk aprovohen, ndërsa marrin paga të majme dhe tregojnë papërgjegjësi totale dhe edukatë të ultë përball qytetarëve që i përfaqësojnë. Pastaj, niveli jo i duhur i udhëheqjes dhe i përgatitjes së seancave parlamentare i shoqëruar me papërgjegjësi nga ana e deputetëve, ndikon pa dyshim në ngecjen e procesit integrues dhe në liberalizim vizash.”, u shpreh Voca.

Tutje, Voca, thotë që duhet të ketë llogaridhënie e jo premtime boshe, premtimet të cilat shpeshtohen edhe më shumë në prag të fushatave zgjedhore.

“Si rezultat i këtij pushteti aktual, sistemi gjyqësor dhe prokurorial, jo efikas, jo neutral, sepse i ndikuar drejtpërdrejt nga politika mbetet i pa konsoliduar. Meqë kjo përbën shtyllën kryesore në procesin e realizimit të Shtetit ligjor e në këtë rast edhe në realizimin e liberalizimit të vizave mund të themi prapë se përgjegjësia kryesore bie mbi tri pushtetet e lartë përmendura të cilat nuk japin llogari dhe si rrjedhojë janë të papërgjegjshme.

Meqë ka dështim që nga Pavarësimi i vendit në konsolidim të Shtetit, do të duhej së paku të ketë dorëheqje morale. Në Kosovë nuk ka aspak llogaridhënie, por vetëm premtime boshe të cilat shpeshtohen e shumëfishohen para dhe gjatë fushatave zgjedhore siç e dimë tashmë për përfitime eventuale votash”, tha Voca.

Në fund, Voca shprehet që Kosova është i vetmi shtet i izoluar në Ballkan dhe se vetëm një shtet ligjor dhe më përfaqësim të përgjegjshëm mund të shpresojmë më liberalizim të vizave.

“E gjithë kjo gjendje e pashpresë për popullin e Kosovës, i vetmi i izoluar në Ballkan, është rezultat i këtyre institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre, të papërgjegjshëm e sidomos të lidhur ngushtë me interesa personale dhe të grupeve të tyre fitimprurëse.

Fatkeqësisht, Kosova ende nuk ka liderë të mirëfilltë që para çdo interesi tjetër, intencë themelore të kenë konsolidomin e një Shteti ligjor. Vetëm me një Shtet ligjor dhe përfaqësim të përgjegjshëm e llogaridhënës mund të shpresojmë në liberalizim vizash dhe në përafrim me BE-në”, përfundoi Voca.

Mehazi: Kjo Qeveri s'është e aftë të udhëheqë Kosovën

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, Profesor Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot” se Qeveria e Kosovës është e vetmja fajtore për mos liberalizim të vizave dhe se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duhet të japë dorëheqje.

“Fajtor kryesore për mos realizimin e vizave nga BE-ja, është kush tjetër, përveç Qeverisë së Kosovës.

Nëse gjatë konferencës para mediave ai më kryesori e më përgjegjësi i vizave, Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vetvetiu është pesimist e pranon se s'ka asgjë nga BE-ja për vizat e popullit të Kosovës, atëherë çfarë pret ai, në moment duhet të jep dorëheqje të parevokueshme nga kjo ministri”, tha Mehazi.

Mehazi, më tej cek festimet që janë bërë nga ana e Qeverisë për liberalizim të vizave mirëpo që nuk ka ndodhur asgjë dhe se kjo qeveri e Kosovës është e korruptuar:

“Si është e mundur të luajnë e ta gënjejnë popullatën aq lehtë, dhe atë, me perverzitete festash e dasmash të shumta, sa herë është festuar me pije e ushqime të majme në Qeveri për shkak liberalizimit, përkundrazi asgjë e asgjë për vizat.

Nëse Thaçi, Haradinaj e Pacolli janë pesimistë për liberalizimin e vizave, atëherë, sinqerisht, ju bëjmë pyetje, cilët janë ata që e sollën këtë pesimizëm të mos realizimit të vizave? Përgjigja do ishte, vetë ata, Qeveria e Kosovës e korruptuar deri në majë të flokëve”, tha Mehazi.

Sipas Profesorit Mehazi, kjo Qeveri duhet të largohet sepse me vazhdimin e kësaj Qeveria po i sjellë dëm Kosovës:

“Prandaj, si ka mbetuar gjë tjetër kësaj qeverie përveç largimit të saj, kjo qeveri s'është e aftë të udhëheqë Kosovën, ajo, është e aftë vetëm për të plaçkitur e vjedhur Kosovën.

Sa më shpejt të rrëzohet kjo qeveri aq më mirë do bëhet për Kosovën e popullatën e saj”, përfundoi, Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat