Haki Abazi tregon arsyet pse zgjedhja e Ursula von der Leyen në krye të KE-së është lajm i mirë për Kosovën

Politika

Haki Abazi tregon arsyet pse zgjedhja e Ursula von der Leyen në krye të KE-së është lajm i mirë për Kosovën

Nga: G.B Më: 17 korrik 2019 Në ora: 20:06
Haki Abazi

Ursula von der Leyen është zgjedhur presidente e Komisionit Evropian.

Ajo do të nisë detyrën si pasuese e Jean-Claude Juncker në krye të komisionit më 1 nëntor. Ajo është gjermanja e parë që do të drejtojë ekzekutivin e BE-së që nga modernizimi i Bashkimit Evropian.

Lidhur me zgjedhjen e saj dhe ndikimin pozitiv që mund ta ketë për Kosovën ajo, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, vlerëson se zgjedhje e saj është lajm i mirë, pasi ajo është grua dhe kështu është sinjal i barabarësisë.

“Zgjedhja e Znj. Ursula von der Leyen është lajm shumë i mirë nga shumë dimensione. E para është që një grua udhëheq me unionin më të madh politik, ekonomi e financiar në botë, ky është një kthim i madh dhe një sinjal i barabarësisë dhe që shekulli 21 ngadalë por sigurt po bëhet shekulli i tejkalimeve të barrierave gjinore e patriarkale. Ajo që ka ndodhur në Amerikë me zgjedhjen e Obamës si presidenti i parë me ngjyrë ka ndodhur në Evropë me përzgjedhjen e femrës së parë në krye të BE”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, arsye e dytë pse është lajm i mirë, ka të bëjë me daljen nga hezitimi nga e kaluara e Gjermanisë për të marrë drejtimin e BE-së.

“E dyta ka të bëjë me daljen nga hezitimi nga e kaluara e Gjermanisë për të marrë drejtimin dhe koordinimin e punëve në Evropë, ky është një nivel tjetër i përkushtimit gjerman për çështjet e brendshme të Evropës dhe angazhimit të BE në botë. Meqë Gjermania është shteti më i fortë në Evropë dhe ekonomia me trende zhvillimi më stabile në botë kjo është po ashtu një kontribut i jashtëzakonshëm”, ka vlerësuar Abazi.

E treta, sipas tij, është se Ursula von der Leyen vjen me një përvojë të jashtëzakonshme të udhëheqjes dhe menaxhimit të çështjeve publike.

“E treta Znj. Ursula von der Leyen vjen me një përvojë të jashtëzakonshme të udhëheqjes dhe menaxhimit të çështjeve publike dhe si ish ministre e mbrojtjes sigurisht që ka nevojë që BE të rrisë nivelin e seriozitetin për të kaluar fazën tjetër të konsolidimit dhe përafrimit me interesat e qytetarëve për të lëshuar burokracinë nga ndërtesat e qelqta të Brukselit në nivelin e qytetarit. Rritja e ulëseve të partive të gjelbra në Parlamentin Evropian tregon se në BE është përçuar mesazhi i brengosjes së qytetarëve për të sotmen dhe të ardhmen e gjeneratave të reja dhe planetit në përgjithësi ku lidershipi i Evropës është më se i domosdoshëm”, ka theksuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Sa i përket Kosovës, ai thotë se kjo tregon arritjen e një konsensusi Evropian, që duket se dialogu Prishtinë-Beograd do të ngritët në dialogun Kosovë Serbi, që të cilën e ka thënë edhe presidenti francez.

“Sa i përket Kosovës, mendoj që përzgjedhja e një gjermane në krye të BE tregon arritjen e një konsensusi Evropian edhe për vijën që do të ndjekin edhe në rastin e zgjerimit por edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE. Ky është lajm i mirë për të gjithë edhe për Kosovën por edhe për Serbinë. Dialogu Prishtinë Beograd i dikurshëm po duket që gradualisht dhe me seriozitet do të ngritët në dialogun Kosovë-Serbi, këtë mendoj e ka thënë edhe presidenti francez gjatë vizitës së tij në Beograd. Ai në çdo fjalim ka përmendur angazhimin e përbashkët të Francës dhe Gjermanisë me institucionet e BE në përfundimin e problemeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është në dorën e qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve shpresoj legjitime në zgjedhjet që do të vijnë që të përcaktojnë agjendë të qartë dhe të arsyetojnë e mbrojnë pavarësinë e shpallur në gjithë territorin e pranuar nga më se 110 shtete. Kompromiset me Serbinë duhet të jenë kompromise për marrëdhënie funksionale siç janë ato ndërmjet Sllovenisë e Kroacisë apo që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë por assesi nuk duhet lejuar që të rikthehet në tavolinë integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës duke vënë në pikëpyetje ardhmërinë dhe ekzistencën e shtetësisë së Kosovës”, është shprehur tutje ai.

Abazi beson se nën udhëheqjen e von der Leyen, BE do të jetë më e përkushtuar në reformat e thella dhe forcimin e zbatimit të rendit dhe ligjit në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Besoj shumë që BE nën udhëheqjen e znj. Ursula von der Leyen do të jetë shumë e përkushtuar në reformat e thella dhe forcimin e zbatimit të rendit dhe ligjit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe avancimit të marrëdhënieve normale nëpërmjet procesit të Berlinit. Kjo do t’i kontribuonte përshpejtimit të zhvillimit të rajonit dhe mandej anëtarësimit në BE por edhe sigurisë dhe stabilitetit të BE”, ka deklaruar Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat