Rasti i Astrit Deharit nën hijen e shumë dyshimeve edhe sot e kësaj dite - Bota Sot
Rasti i Astrit Deharit nën hijen e shumë dyshimeve edhe sot e kësaj dite

Politika

Rasti i Astrit Deharit nën hijen e shumë dyshimeve edhe sot e kësaj dite

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 17 korrik 2019 Në ora: 20:33
Astrit Dehari

Zbardhja e rrethanave të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, tre vite më parë, ka mbetur “peng” i informatave zyrtare të Institutit zviceran.

Janë bërë gati tri vite që kur ka ndërruar jetë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Në ditën tragjike të nëntorit të vitit 2016, Astrit Dehari, ishte në Qendrën e paraburgimit në Prizren. Ai atë kohë po mbahej nën dyshime për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës

Vdekja e tij u cilësua në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, si vetëvrasje. Mirëpo familjarët e tij nuk u pajtuan me këtë raport dhe kërkuan hetime të pavarura ndërkombëtare, të cilat po zhvillohen në Qendrën Universitare të Mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Këto hetime janë duke u zhvilluar dhe deri më tani nga ky institut nuk ka dal me ndonjë rezultat konkret për shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit.

Ndryshe, në tetor, të vitit 2017 prindërit e Astrit Deharit, përmes avokatit të tyre, i ishin drejtuar Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke i kërkuar që në kuadër të kompetencave të tij të obligojë Ministrinë e Drejtësisë që të angazhojë Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrër – Centre Hospitalier Universitaire Vaudois (CHUV) – për hetime të pavarura.

MD: Kemi përmbushur obligimet në raport me këtë çështje

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, zyra për informim e Ministrisë së Drejtësië, ka deklaruar se çështja e të ndjerit Astrit Dehari tashmë është në trajtim ekskluziv nga ana e ekspertizës nga instituti zviceran, i zgjedhur me kërkesën e familjes.

“Për ecurinë e deritanishme dhe rrjedhën e mëtejme të rezultateve se kur pritet të dalin dhe në çfarë faze janë, përgjegjëse janë organet e pavarura të zbatimit të ligjit të cilat janë në kontakt me institutin në fjalë. Ministria e Drejtësisë i ka përmbushur obligimet në raport me këtë çështje dhe është në pritje të rezultateve”, thuhet në përgjigje.

Nga ana tjetër, gazeta “Bota sot”, për disa ditë me radhë është përpjekur të marrë përgjigje nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, lidhur me rastin, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Kurteshi: Astrit Deharit nuk është harruar dhe as nuk do të harrohet
 

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në lidhje me këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rasti i Astrit Deharit nuk është harruar dhe as nuk do të harrohet, ngase, siç thotë ai, madje edhe kur përgjegjësit, të gjithë pa përjashtim, pa marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë, të kenë marrë dënimin e merituar nga drejtësia e pa korruptuar.

“Nga informatat zyrtare të Institutit zviceran, ata janë duke pritur nga organet kompetente të Kosovës, me gjasë nga prokuroria përkatëse, informata dhe rezultate prova/dëshmi shtesë të hetimeve”, tha Kurteshi.

Tutje, Kurteshi tha se çfarë janë këto rezultate dhe prova/dëshmi dhe për kohën e dërgimit të tyre, sipas tij, nuk janë të informuar familja dhe avokati i familjes. Por gjithsesi ne jemi në pritje të raportit nga Zvicra.

Burjani: Ngecja nuk ka arsyetim
 

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, në lidhje me këtë temë, analisti dhe juristi, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, tha se kjo çështje ende nuk ka rezultat përfundimtar të saktë dhe të besueshëm, fatkeqësisht kjo temë shume më pak përmendet.


“Tash, raporti përfundimtar ka ngecur, nuk ka as ndonjë informatë nga Ministria e Drejtësisë, ngecja nuk ka arsyetim, për këtë ngecje duhet të deklarohet Ministria e Drejtësisë”, ka thënë juristi, Blerim Burjani.

Tutje, ai ka thënë se arsyet pse ka ngec është përgjegjësi e kësaj ministrie.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në Facebook në muajn shkurt të vitit të kaluar, ka deklaruar se, “Dua të njoftoj të gjithë qytetarët se Prokurori i rastit, përmes Ambasadës së Zvicrës ka vënë kontakte dhe është në komunikim e sipër me institutin zviceran, me qëllim të qartësimit të plotë të këtij rasti”.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet për rastin Dehari, ndër të cilat “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.

Familja Dehari në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur me 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të paqarta, ku po mbahej në paraburgim prej 67 ditësh, si i dyshuar për terrorizëm.
Ai ishte në paraburgim që nga 30 gushti i atij viti, kur ishte arrestuar nga Policia si i dyshuar për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...