Edhe sivjet mërgimtarët iu nënshtrohen pritjeve të gjata në kufi me Serbinë

Politika

Edhe sivjet mërgimtarët iu nënshtrohen pritjeve të gjata në kufi me Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 korrik 2019 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Fluksi i mërgimtarëve që po vijnë në Kosovë, është rritur duke shtuar edhe kolonat e automjeteve në pikëkalimet kufitare.

Për lehtësimin e këtyre pritjeve të gjata janë bërë disa marrëveshje ndërmjet dy shteteve për lehtësimin e tyre, por Serbia asnjë nga këto nuk i ka zbatuar, ndërsa nga ana e institucioneve të Kosovës nuk ka asnjë reagim.

Zyra për Komunikim Publik e kontaktuar nga gazeta “Bota sot” lidhur me këtë çështje, ka thënë se, i ka shtuar masat dhe personelin në vendkalime kufitare që vonesat të evitohen.

Tutje ka theksuar se, Kosova nuk i përzihet një shteti tjetër se si e menaxhon pjesën e vet të kufirit, pos që kërkon të mos ketë situata të paligjshme dhe diskriminim në pikat kufitare të mërgimtarëve tanë.

Burjani: Serbisë nuk po i bën askush presion

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se Serbia vazhdon të zbavitet me diasporën tonë nëpër kufijtë e saj

Sipas tij, Serbia nuk ka pasur asnjë presion ndërkombëtar për të mos e ndal qarkullimin e njerëzve në mënyrë normale, përderisa asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar deri më tash, pra ka përplot probleme të kësaj natyre që Serbia nuk merret fare në mënyrë serioze.

“Serbia vazhdon të bëjë telashe pa ndalë dhe pa presion nga asnjë faktor ndërkombëtar e as nga BE, është shprehur Burjani.

Haziri: Gjithçka që mund të bëjë Kosova është reagimi në Bruksel për këto veprime të Serbisë

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri ka thënë se, këto pritje të mërgimtarëve tanë në kufi me Serbinë gjatë hyrjes në Kosovë në këtë periudhë pushimesh, nuk janë risi, pasi kjo po ndodhë çdo vit.

“Këto vonesa shkaktohen me qëllim nga pala serbe për të krijuar vonesa të panevojshme dhe për t’i maltretuar në këtë formë mërgimtarët tanë, përkundër që ekzistojnë disa marrëveshje për lehtësimin e procedurave të lëvizjes së lirë kufitare ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Haziri.

Por, sa i përket institucioneve të Kosovës, ai thotë se, janë të pafuqishme për të ndikuar që këto marrëveshje të respektohen, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe procedurave të tjera që dalin nga këto marrëveshje.

“Gjithçka që mund të bëjë Kosova është reagimi në Bruksel për këto veprime të Serbisë, dhe më pas Brukseli të dal me ndonjë kërkesë si zakonisht për respektim të marrëveshjeve të nënshkruar nga dy shtetet, por as kërkesa e Brukselit, edhe në të kaluarën nuk ka pas ndonjë ndikim që Serbia t’i mënjanoj këto zvarritje të procedurave të kalimit kufitar në mënyrë që mos të krijohen pritje të gjata të mërgimtarëve”, ka thënë Haziri.

Tërnava: Taksa ka vështirësuar punën

Image
Hajrullah Tërnava

Kurse, opinionisti Hajrullah Tërnava ka thënë se, në këto kohëra të pushimeve verore kur e tërë diaspora dëshirojnë që pushimet t’i kalojnë në vendlindje me veturat e tyre, është edhe normale me pas tollovi dhe pritje të mëdha në kufirin Serbi-Kosovë.

“Është çështje e institucioneve të dy shteteve se si do t’i thjeshtësojnë këto kalime dhe t’i kontribuojnë mos pritjeve të gjata. Edhe që janë bërë marrëveshje të ndryshme mes këtyre dy shteteve për këtë çështje të papengueshme të kalimit të kufijve, por ato sikur të mos funksionojnë”.

Sipas tij, një kohë të gjatë gati nga çlirimi e këndej dy qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, ishin në bisedime për shumë çështje mes veti, e ndër to edhe mos pengimin në kufijtë të këtyre dy shteteve, por ato rezultate në këto kohëra të pushimeve verore nuk po vërehen. Qeveria jonë tani me taksën e 100% ndaj mallrave serbe, sikur e ka vështirësuar kalimin e mërgimtarëve drejt Kosovës. Edhe Serbia tani si kundër reagim sillen në mënyrë të njëjtë ndaj çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët nga Kosova qoftë edhe ndaj mërgimtarëve.

“Me vetë faktin e taksës 100% ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë tonë, tani është e vështirësuar që të kërkohen lehtësime për mërgimtarët, tani që të mos iu bëhen pengesa apo pritje të gjata në kufi. Është e kuptueshme që mërgimtarët janë kontribut dhënësit më të mëdhenj të zhvillimit të Kosovës, sepse ata për çdo vit përmes bankave ndërkombëtare derdhin mjete financiare miliardshe në bankat tona, dhe falë tyre Kosova megjithatë pa ndonjë prodhim me profitabilitet të rëndësishëm vendor, për tregjet ndërkombëtare.

Po mos të ishin mërgimtarët, ekonomia e Kosovës do të gjendej në kolaps. Që nga çlirimi e deri më tani qeveritarët sillen në mënyrën ma denigruese me mërgimtarët me kartonin e gjelbër për hyrjet me vetura në Kosovë, edhe që ato vetura janë ndërkombëtarisht të siguruara, ata pamëshirshëm gjobiten nga ky shtet i quajtur Kosovë dhe pranë ankesave të tyre askush nga qeveritarët nuk mirret me këtë çështje të tyre, përkundrazi plaçkitja vazhdon pa ndërpre në disfavorin e tyre”, potencon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat