Koalicioni LDK-VV i jep fund epokës së “shtetit të komandantëve”

Politika

Koalicioni LDK-VV i jep fund epokës së “shtetit të komandantëve”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 korrik 2019 Në ora: 07:55
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Kosova që nga paslufta e deri më sot, në secilën qeveri çdo herë ka pasur ish komandantë në radhët e saj. Pra, fjala është për ish-komandantët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë pjesë aktive në politikë. Madje shumë prej tyre janë edhe udhëheqës të partive politike, të cilët kanë arritur të mbërrijnë majat më të larta duke u ngritur në “detyra” deri te posti i Presidentit.

Nën qeverisjen e tyre, Kosova është shoqëruar vetëm me regres e ngecje të theksuar në shumë fusha. Krimi i organizuar dhe korrupsioni, janë një damkë e zezë që ish-komandantët dhe vartësit e tyre, ia kanë vënë vendit dhe po e lënë prapa në vazhdimësi.

Millaku: Mund të ketë edhe një listë e përbashkët mes LDK-LVV

Image
Drita Millaku

Por, këtyre komandantëve dhe keqpërdorimeve të tyre po iu vjen fundi. Kështu paralajmëron deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e cila për gazetën “Bota sot” ka thënë se së paku për tetë vjet të njëjtit do të dalin në opozitë. Ajo beson se një listë e përbashkët zgjedhore ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, do të ishte zgjidhja adekuate për vendin dhe dërgimin në opozitë të koalicionit PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate, AKR.

Sipas saj, kjo qeveri më së largu deri në shtator do të bie, ndërsa shton se asnjë qeveri deri, tani nuk e ka çuar mandatin deri në fund.

“Edhe kjo qeveri do ta ketë fatin e njëjtë bile shumë më të shkurtër se tjerat, kjo qeveri më se largu deri në shtator përfundon dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe vetë qeveritaret dhe do të jetë shpëtim për Kosovën, madje mund të ketë edhe një listë e përbashkët mes LDK-LVV. Komandantët përfundojnë me qeverisje dhe zullum dhe së paku për 8 vitet e ardhshme do të jenë në opozitë. Shpresoj në një bashkëpunim më të thellë në mes të LVV dhe LDK, deri në një listë të përbashkët, listë e cila do të jetë fituese absolute", ka thënë deputetja Millaku.

“Opozita aktuale të jetë bartëse e qeverisjes në vjeshtë”

Image
Naser Rugova

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova ka thënë se ka pasur një koordinim dhe bashkëveprim opozitar korrekt muajt e fundit me VV.

Sipas tij, bashkëpunimi opozitar është në nivelin më të lartë, në nivel të liderëve të të dy subjekteve.

“Ne presim që së shpejti ta dërgojmë në shtëpi këtë qeveri të keqe dhe të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare, ta ndërtojmë një qeveri stabile, profesionale dhe me duar të pastra, besoj shumë pa komandantë dhe përse jo opozita aktuale të jetë bartëse e qeverisjes në vjeshtë”, ka thënë deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Krasniqi: Brenda LDK-së ka shumë grupacione që u pëlqen akoma një koalicion me PDK-në

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se së pari opozita duhet t'i sigurojë votat për rrëzimin e kësaj Qeverie.

Sipas tij, një listë e përbashkët e Vetëvendosje dhe LDK, do të fitonte shumicën absolute të deputetëve, pa pasur nevojë që të marrin në koalicion edhe parti tjera në qeverisje.

“Vështirë se do të ndodh një gjë e tillë, dhe jo vetëm pse është e vështirë por sepse brenda LDK-së ka shumë grupacione që u pëlqen akoma një koalicion me PDK-në, për shkak të interesave të tyre të përbashkëta. Është koha të tregojnë patriotizëm, dhe patriotizmi më i madh është dërgimi i kësaj Qeverie në opozitë e sidomos PDK-në”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehmeti: Vetëm një koalicion i tillë i jep fund epokës së shtetit të komandantëve

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se nëse duan që të triumfojnë për Kosovën dhe vetën e tyre, atëherë e kanë të pashmangshëm një koalicion parazgjedhor LDK dhe VV, si e vetmja mundësi që nuk do t`i jepte asnjë shpresë komandantëve për të vazhduar qëndrimin në pushtet.

“Andaj, deklarata e zonjës Millaku është një hap në këtë drejtim, me shpresën se s’do mbetën vetëm të tilla por të ketë rezultat konkrete. Besoj fuqishëm se vetëm një koalicion i tillë i jep fund epokës së shtetit të komandantëve, që kanë degraduar vendin në këtë mjerim të thellë”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Haziri: Duhet bërë zgjidhje nga brumi aktual politik që kemi

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri, ka thënë se Kosova ka kaluar dhe po kalon në procese jo të lehta politike, dhe e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e këtyre proceseve.

Ai ka thënë se, Kosova ka shume ngecje si në politikat e brendshme, ashtu edhe në planin e politikave të jashtme.

Image
Ismet Haziri

“Kemi shumë pasoja, ndoshta është e mjaftueshme të rikujtojmë dështimet në UNESCO, në Interpol, e të mos e themi ngujimin e qytetarëve të Kosovës , si gixhat e deleve ne torishta si pasojë e një politik bërje të tipit bajraktarësh, e që Evropa për këto sjellje po na ndëshkon duke na lavdëruar, sa për të ua bërë qefin politikë bërësve, ngase për Evropën nuk është vonë asnjëherë. Mendoj se është shumë imanente që së pari të ndodhin zgjedhjet, ngase vendi po qeveriset nga një pakicë që është në kundërshtim me vullnetin e sovranit, por edhe më keq që as PAN nuk po funksionon dhe si pasojë po kemi shumë ngecje në shumë fusha të ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë çka jo, por edhe si shumë e dhimbshme është zbrazja e Kosovës nga pjesa ma vitale e popullit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Sipas tij, të gjitha këto rrethana kërkojnë ndryshime si ne mendësinë politike, po ashtu edhe ne anën programore, me fjalë tjera duhet një politikë bërje kohezive, që qeverisjen e bazon në ekspertizë, e jo në muskuj e meritokraci.

“Pra në këto rrethana politike duhet bërë zgjidhje nga brumi aktual politik që kemi. Nuk jam optimist se edhe nga LDK dhe VV do të ndodhin mrekullitë, por mbetemi me shpresë se po reflektojnë në interes të Kosovës, të popullit , të shumë të Rinjve dhe të rejave dhe se po reflektojnë për sakrificën shekullore të brezave për të arritur një kompromis bashkim programor dhe ideorë me qëllim që të kapet treni i fundit i shpëtimit të Kosovës”, ka thënë Haziri

Sipas tij, besimi qëndron në plejadën e re të politikaneve, të cilët janë shkolluar dhe edukuar jashtë Kosovës.

“Kosova asnjë minutë nuk mund ta humbë, nëse dëshirojmë ta kapim hapin e ecjeve me regjionin, prandaj Komandantët dhe pleqtë e LDK-së duhet të ikin duke e lëshuar rrugë dhe fry marrje për Kosovën. Pra, ka shpresa se populli do të reflektojë, jo për hakmarrje ndaj askujt, por për interesin e së tashmes dhe të së ardhmes se gjeneratave që janë dhe që po na vinë. Shpresojmë se këto kualitete qeverisëse do të gjinden duke u bashkuar jo vetëm VV dhe LDK, por të gjitha ato forca politike që kanë aftësi të shikojnë të vërtetën në sy, e vërteta është se Kosova po lëngon nga politika, të gjitha të mirat tjera i kemi, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat