Sejdiu: Haradinaj kishte një million arsye për dorëheqje, përveç kësaj për të cilën e bëri sot

Politika

Sejdiu: Haradinaj kishte një million arsye për dorëheqje, përveç kësaj për të cilën e bëri sot

Nga: K.M Më: 19 korrik 2019 Në ora: 20:47
Ramush Haradinaj dhe Korab Sejdiu

Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Korab Sejdiu, me anë të një postimi të tijin në facebook, ka folur lidhje me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj nga pozita e të parit të qeverisë, duke thënë se duhet të përballemi denjësishtë me këtë Gjykatë e cila sado e padrejtë që është, duhet të përballemi denjësisht me të, pasi që e kemi krijuar vetë.

Ja postimi i plotë i Sejdiut

1,000,000 arsye pse kjo Qeveri është dashtë të rrëzohet, përveq arsyes për të cilën ra sot!

Asnjë shqiptar nuk mund t’i gëzohet ftesave nga Gjykata Speciale (Dhomat e Specializuara) për dikë. Kjo Gjykatë është rrënjësisht e padrejtë – por është një realitet i pakthyeshëm të cilin e krijuam edhe ne dhe me të cilin realitet tani duhet të përpjekemi denjësisht. Ish-KM Ramush Haradinaj i uroj sukses në ballafaqim me këtë padrejtësi. Lufta e popullit të Kosovës është dëshmuar dhe do të dëshmohet sërish se ka qenë e drejtë dhe e pastër.

Pavarësisht mundësive të tjera kushtetuese, opcioni i vetëm që mbetet legjitim në rrethanat e krijuara është shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i vendit. Opozita duhet t’ia bëjë këtë shumë të qartë atij. Çfarë do tentative nga Presidenti për të shfrytëzuar këtë vakum për të krijuar ndonjë qeveri frankenshtajne apo për t’u rikthyer si vendimmarrës në dialogun me Serbinë duhet të kundërshtohet ashpër nga të gjithë, por veçanërisht nga LDK dhe VV. Heshtja në këto rrethana do të nënkuptonte aprovim i një shkeljeje të tillë serioze të Kushtetutës!

Tani, Kosova duhet të ecë përpara pa humbur kohë. Kjo arrihet me krijimin e menjëhershëm të koalicionit parazgjedhor në mes të LDK dhe VV, që do të garonte me prioritete, kabinet dhe program qeveritar të identifikuara qartë dhe paraprakisht për qytetarët. Ky bllok politik do të garantonte ndër të tjera një shumicë stabile shqiptare në Kuvend, themelimin e shpejtë të qeverisë së ardhshme, si dhe shpëtim për Kosovën nga errësira në të cilën gjendet aktualisht. Çdo opcion tjetër krijon rrethana të cilat janë ambient i përshtatshëm për vazhdim të gjendjes aktuale, vonesa, bllokada, pazare, e veprime të tjera të dëmshme për vendin dhe qytetarët.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat