Hashim: shpëto kokën, bëhu njeri i matur e rugovist

Politika

Hashim: shpëto kokën, bëhu njeri i matur e rugovist

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 19 korrik 2019 Në ora: 22:00
Ibrahim Rugova

Jemi në prag të përfundimit të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së. Në prag të zgjedhjes së kryetarit të ri. Në këto zgjedhje pati një seri incidentesh dramatike nëpër nëndegë ku anëtarët e dhunuan njëri tjetrin.

Ruana zot që diçka e tillë të ndodhë edhe kur të zgjedhet kryetari. Sidoqoftë duhet pasur kujdes. Këta muaj ishin po ashtu të zhurmshëm në politikë. Akuza e kundërakuza. Sharje e më-the-e-të-thashë.

Presidenti Thaçi dilte e gënjente ashiqare të madh e të vogël. I dështoi ideja serbe e ndarjes së Kosovës. Kryeministri ia fuste këngës ose me teke e merrte ndonjë vendim a bënte ndonjë skandal. Kryetari i Kuvendit belbëzonte.

Ndërkohë, në Velani prehet trupi i pajetë i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Ai ishte antidota e gjithë këtij helmi të përditshëm që e marrim nga skena e korruptuar dhe e zhurmshme politike. E gjithë këtij zarari e kakofonie që nuk na lë të qetë.

Ai ishte njeri i urtë e i mençur që e njihte me rrënjë filozofinë bashkëkohore franceze, e që kishte studiuar te kritiku i madh Roland Barthes.

Një njeri që i shkonte përkundër kakofonisë së zakontë ballkanike. Potereve të pafundta politike që ta gërdisin jetën.

Urtia e tij ishte konstrukt i bindjeve të mprehta filozofike. Ishte krejt i paprovokueshëm edhe kur ndonjë dallaverxhi dilte e akuzonte për gjëra të kota. I mposhte pa folur, me heshtjen dhe maturinë karakteristike.

Ai bënte punë, nuk merrej me thashetheme siç merren sot politikanët tanë, prej presidentit e teposhtë. Nuk merrej me intriga dhe nuk dilte për çdo ditë të lume në emisione politike e argëtuese që të na imponohej si kryepersonazh i jetëve tona.

A thua vallë, a e bën mend Ramush Haradinaj apo Hashim Thaçi, se një qytetar i rëndomtë i këtij vendi ka se çka të mendojë, ka se çka të shohë, ka se çka të jetojë përtej tij? Një megalomani që ta ndjell krupën.

E turpshme. E neveritshme.

Eh, ja pse more lexuesit e mi, Rugova ishte thellësisht i huaj brenda kësaj shoqërie.

Dhe tëhuajsimin e tij e materializonte me raki e me heshtje. “Jetoni!” – sikur na thoshte figura e tij. “Jetoni se, ka botë edhe përtej politikës, jemi në sistemin liberal, dmth jeni të lirë. Ka edhe emisione tjera për argëtim, ka edhe kulturë kjo botë, ka edhe art, ka edhe gjëra tjera më me rëndësi se ato që i them unë, a i thotë një tjetër politikan.”

Kjo e pengonte Baton Haxhiun. A i keni parë studiot e tij televizive? Secila më traumatike se tjetra.

Në njërën është një kub i madh mbi të cilin duhet të ngjitet i ftuari. Në një tjetër, gjendet një podium më e madhe se një zyrë e një qeveritari. Pastaj, edhe në një të tretë, kemi grilat që e rrethojnë – si të ishte ring boksi. Këto studio promovojnë megalomani.

E mashtrojnë shikuesin duke e bërë që të mendojë se fati i botës do të përcaktohet aty. E mashtrojnë kosovarin e rëndomtë duke ia kufizuar mundësitë e zgjedhjes. Eh, në këto studio nuk do të shkonte kurrën e kurrës Rugova.

Një politikan i përulur e modest, pa kompleksin e politikanëve të promovuar nga Haxhiu.

Politikën, të nderuarit e mi, e kanë bërë argëtim për konsum.

Deklarata të pafundme senzacionale që shërbejnë për klikim e për shikim. Që shërbejnë për rritje popullariteti e për rritje mundësish për reklama. Politika, o të nderuarit e mi, është bërë spektakël. Fati ynë, fati i varfanjakëve, fati i njerëzve që jetojnë në gjendje të mjerueshme, është bërë një gjë me të cilën luajnë këta politikanë, dhe nxjerrin profit disa mediume.

Ndërkohë që, prapa këtij spektakli, prapa senzacioneve që bëjnë politikanët tanë, vazhdojnë dallaveret e korrupsionet, vazhdon hajnia e keqpërdorimi, e të cilat kurrë nuk do të zbardhen.

Nuk është larg dita kur një qytetar i vendit do ta shpreh sinqerisht në ndonjë moment se “jeta i është bërë bajate, se nuk po ndodh asnjë skandal prej qeverisë.” Eh pra, skandalet qeveritare nuk janë bërë diçka që do të duhej të përcillej me pasoja të rënda, me ndëshkime penale e shkarkime morale. Skandalet qeveritare janë bërë brumi për mediumet.

E Rugovën, presidentin tonë historik, e kishim krejt të kundërt. Anti-spektakël. Anti-senzacionalist. Njeri të fjalës së matur. E ne, ne të gjithëve na konvertuan në anti-rugovistë. Në njerëz të pangopur për vëmendje e për fjalë. Për spektakël e për idiotësi.

Thuaj jo spektaklit me politikën, me fatin tonë. Prandaj Hashim: bëhu njeri i matur e rugovist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat