Dorëzohet Haradinaj, Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Politika

Dorëzohet Haradinaj, Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 korrik 2019 Në ora: 10:48
Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 korrik 2019 Në ora: 10:48
Ramush Haradinaj

Kryeministri i vendit dhe njëherit lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij. Lajmin e ka bërë të ditur vet Haradinaj në një mbledhje të Qeverisë.

Ai ka thënë se ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale, ndërsa nuk ka treguar se kur do të intervistohet, duke thënë se këtë do ta bëjë të ditur në ditët në vijim.

Haradinaj ka thënë se nuk e di nëse prapa ftesës së Gjykatës Speciale për intervistimin e tij si i dyshuar fshihet politika, teksa ka shtuar se “qëndrimet e tij janë të qartë se Kosova s’lejon ndarje të territorit apo Republikë Dodik”.

Gjithashtu ai ka përsëritur qëndrimin e tij që vendi të shkojë në zgjedhje dhe mandati t’i kthehet popullit.

“Presidenti ka kompetencat e veta. I kam propozuar presidentit të shkojë vendi në zgjedhje. Mandati më i sigurt është te populli. Do të ofrohem me pikëpamjet qeverisëse programore për të ardhmen, do ta respektoj vendimin e popullit”, ka shtuar ai.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, është një vendim që ka për qëllim moslëndimin e Kosovës.

“Vendimi kryeministrit Ramush Haradinaj, është vendim që ka për qellim moslëndimin e shtetit te Kosovës”, ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, për gazetën “Bota sot”.

Image
Anton Berisha

Tutje, ai ka theksuar se Kosova mbetet prioriteti i tyre, ndërsa pozitat i konsiderojnë si relative.

“Shteti është prioriteti ndërsa pozitat tona janë relative dhe kanë kuptim vetëm kur janë në funksion të shtetësisë”, ka përfunduar zëvendësministri Anton Berisha, për gazetën “Bota sot”.

Pozita në vend këtë vendim të Haradinajt e quan një lajm i papritur dhe befasues për të gjithë, ndërsa theksojnë se veprimi i kreut të qeverisë është një akt patriotik në shërbim të Kosovës.

Nga ana tjetër, opozita vendimin e Haradinajt për dorëheqje e konsiderojnë si një veprim të vonuar, ndërsa përsërisin qëndrimin tyre se janë të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.

E analistët politik vlerësojnë se është e vështirë të konkludohet se çfarë fshihet prapa kësaj dorëheqje, kjo për faktin se edhe në vitin 2004, ndodhi një gjë e tillë, për shkak të ftesës së Gjykatës së Hagës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje: Jemi gati për zgjedhje, dorëheqja e vonuar!

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, duke folur për vendimin e fundit të kryeministrit Haradinaj, ka thënë se ndanë mendim të njëjtë sikurse lideri i partisë së saj.

“Nuk kam asgjë për të shtuar më tepër përveç asaj që ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Dorëheqje e vonuar arsyetim i gabuar”, është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Ajo për gazetën “Bota sot”, gjithashtu ka deklaruar se partia e tyre tashmë është e gatshme për zgjedhje të reja, derisa ka bërë të ditur edhe pretendimet e tyre, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Jemi gati për zgjedhje të parakohshme dhe me siguri të plotë them se edhe jemi fitues”, ka thënë në fund Millaku për gazetën “Bota sot”.

Lama: Haradinaj po e paguan çmimin

Image
Alma Lama

Ish-diplomatja Alma Lama, ka thënë për “Bota sot” se kryeministri Ramush Haradinaj po paguan çmimin që u pozicionua fuqishëm kundër skenarit të ndarjes së Kosovës.

Me tej ajo ka shpjeguar se populli i Kosovës duhet t’i dalë zot territorit të tij dhe ta ndalë këtë skenar të errët.

“Ai ishte barriera më e fuqishme kundër këtij skenari. Populli i Kosovës duhet ta dijë se Vuqiçit i është premtuar veriu me gjithë Mitrovicë. Populli i Kosovës duhet t’i dalë zot territorit të tij dhe ta ndalë këtë skenar të errët me pasoja deri edhe në shuarjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë diplomatja Lama.

Makolli: Dorëheqja e Haradinajt, lajm i papritur

Ndërsa, nga pozita konsiderojnë se dorëheqja e kryeministrit Haradinaj është një veprim patriotik.

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë një lajm i papritur dhe befasues për të gjithë opinionin në vend dhe më gjerë. Kështu ka vlerësuar Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se dorëheqja e Haradinaj ishte e papritur pasi që Kryeministri Haradinaj dy here ka qenë në Hagë dhe të dy herët është shpallur i pafajshëm.

 “Kjo është një ngjarje e cila në masë të madhe e rëndon situatën edhe ashtu të rënduar politike në vend dhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare. Kosova dhe populli i saj nuk i ka merituar të gjitha këto situata të pa lakmueshme që po i ndodhin 20 vjet pas çlirimit. Është shumë me rëndësi në këto qaste jo të këndshme që faktori politiko-kosovar të veprojë komfor kushtetutës dhe të gjejë gjuhë të përbashkët për veprimet e më tejme”, ka thënë Makolli.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj është një veprim patriotik, njerëzor dhe i dinjitetshëm, sepse me këtë veprim Kryeministri ka treguar se Kosova dhe liderët e saj,e respektojnë çdo kërkesë që del nga Gjykata Speciale duke u përballur dhe duke dëshmuar pafajësinë e tyre dhe luftën e pastër dhe çlirimtare të UÇK-së.

“Nuk mendoj dhe nuk do të dëshiroja që të fshihej diçka pas kësaj dorëheqje pasi që për çdo qytetar të Kosovës, e sidomos për çdo lider të vendit, Kosova duhet të jetë mbi të gjitha. Vetëm me unitet dhe duke lënë anash interesat personale dhe partiake, mund ti kontribuojmë vendit për përballimin e sfidave që na presin, si atyre në rrafshin vendor, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar e sidomos për bisedimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshje historike për të cilën është interesuar shumë faktori relevant ndërkombëtar”, tha ai.

Krejt në fund, Makolli ka theksuar se edhe pse jemi vend i vogël e me një mal probleme, synimi mbetet Bashkimi Evropian i cili do të realizohet falë edhe përkrahjes së miqve ndërkombëtarë.

“Edhe pse jemi vend i vogël e me një mal probleme të brendshme dhe të jashtme, duhet të shpresojmë shumë se perspektiva për një Kosovë të zhvilluar demokratike dhe të gatshme që t’i bashkohet BE-së është synim i cili do të realizohet falë edhe përkrahjes së miqve tanë ndërkombëtarë e sidomos SHBA-së, nunit të pavarësisë sonë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli.

Kasniqi: Haradinaj do të zëvendësohet nga Veseli?

Image
Faik Krasniqi

E, politologu Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se është vështirë të konkludohet se çfarë fshihet prapa kësaj dorëheqje, kjo për faktin se edhe në vitin 2004, ndodhi një gjë e tillë, për shkak të ftesës së Gjykatës së Hagës, ku Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

“E njëjta gjë edhe tash po ndodh, por megjithatë për mijëra arsye Haradinaj do të duhej të largohej nga posti i kryeministrit, por jo në këtë formë. A do të kemi vazhdimësi të kësaj Qeverie apo jo, mbetet të shihet në ditët në vijim”, deklaroi ai.

Sipas Krasniqit, ekziston mundësia që kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ta zëvendësojë Ramush Haradinajn në postin e kryeministrit.

 “Ka mundësi që do të zëvendësohet nga Kadri Veseli në postin e kryeministrit, dhe kjo lënë hapësirë për dyshime që me Gjykatën Speciale bëhen edhe pazare politike”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ndërkaq, kujtojmë se neni 97 i pika 5 Kushtetutës së Kosovës e përcakton edhe situatën në të cilën momatalisht ndodhet vendi. Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]. 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat