Me Ramushin, barkun thatë e çiftelinë në dorë!

Politika

Me Ramushin, barkun thatë e çiftelinë në dorë!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 korrik 2019 Në ora: 14:36
Ramush Haradinaj

Vetëm një ditë pasi u bë me një këshilltar politik më shumë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Por, avokati dhe ish inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, nuk pati mundësinë që ta “shijonte” postin e këshilltarit të Jashtëm të kryeministrit më shumë se një ditë.

Mbi 180 këshilltarë politik kishte qeveria e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga posti të premten.

“Batalioni”, i tij qeverisës përbëhej nga 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, rreth 80 zëvendësministra, mbi 180 këshilltarë politik, rreth 5 koordinatorë nacional, rreth 10 nënkordinatorë rajonal të koordinatorëve nacional dhe po ashtu rreth 10 asistent të nënkoordinatorëve rajonal të koordinatorëve nacional.

Haradinaj u kritikua mjaft për këto emërime dhe stërngarkimin e qeverisë. Madje, opozita vazhdimisht ia kërkonte dorëheqjen, për këtë arsye dhe shumë të tjera të ngjashme me këtë. Por, Haradinajt as që i bëhej vonë të jepte dorëheqjen për keqqeverisje.

Një qeveri e formuar dhe e ndërtuar mbi akuza e skandale, nuk ishte arsye që Kryeministri i cili ia rriti pagën vetit për t`u furnizuar me më shumë kravata, të jepte dorëheqje.

Një arsye më e “fortë”, e shtyri që të premten të dalë i përlotur para medieve dhe të paraqes dorëheqjen e tij. Në shikim të parë, pamja e Haradinajt me lot në sy, i preki të gjithë.

Lotët e Haradinajt na bënë të harrojmë papunësinë, varfërinë, mungesën e liberalizimit të vizave, nepotizmin, punësimet në PTK e shumë padrejtësi që iu bënë vendit përgjatë kësaj qeverisjeje dy vjeçare.

Jemi popull euforik dhe mashtrohemi lehtë, patriotizmin e kemi në shpirt. Barkun thatë e çiftelinë në dorë. Këta jemi ne.

T`i kthehemi temës, pra, ishte ftesa nga Zyra e prokurorit të Specializuar, e cila e “gjunjëzoi” Haradinajn.

Nuk ka se si të mos na shkojë mendja se kjo dorëheqje për shkak të Gjykatës Speciale, u bë për t`i mbuluar dështimet e qeverisë që i përmendëm më lart. Me këtë akt, Haradinaj do t`iu qes hi syve të popullit dhe të thotë se “dhashë dorëheqje në të mirë të Kosovës”. Për cilën Kosovë? Atë që e shkatërruan me partnerët e tij të koalicionit?

Natyrisht, se Haradinaj do të mbrohet nga Specialja me mjetet e qeverisë së Kosovës. Kushedi se sa do të zgjasë procesi që sapo ka nisur. Po, kush do t`ua kthej jetën që ia vodhi kjo qeverisje dhe të tjerat si kjo, qytetarëve të Republikës së Kosovës. Atyre, të cilët për çdo ditë konkurrojnë për një vend pune dhe për çdo ditë u humbet shpresa për punësim.

Atyre që u ka shkuar rinia pa e parë një ditë të bardhë. Atyre që për 10 euro ditën “luftojnë” me njëri tjetrin për të fituar një punë krahu. Atyre që tashmë kanë braktisur vendin për një jetë më të mirë.

Sa e çuditshme kjo, Haradinaj ka hall Gjykatën Speciale ku do të përgjigjet për veprat që dyshohet se i ka bërë, e qytetari i thjeshtë ka hall mbijetesën.

PS: As opozita nuk ishte e zonja që ta rrëzonte këtë qeveri, të cilën vazhdimisht e quante të dështuar. Pra, nuk kanë për çfarë të krenohen as Isa Mustafa, as Albin Kurti e Shpend Ahmeti jo se jo. Haradinajn e rrëzoi Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat