Tendenca e Thaçit me erë tradhtie, vazhdimi i dialogut pa zgjedhje të reja

Politika

Tendenca e Thaçit me erë tradhtie, vazhdimi i dialogut pa zgjedhje të reja

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 korrik 2019 Në ora: 09:59
Hashim Thaçi

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, i befasoi të gjithë. Madje, u befasua edhe partnerin i tij i koalicionit, Kadri Veseli.

Por, me largimin e tij dy çështjet kryesore të cilat i ka “mbrojtur” mund të jenë në “rrezik”.

Mund të themi se qeveria e udhëhequr nga Haradinaj është qeveria e parë në Kosovës që vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, po ashtu, ai ishte kundërshtari kryesor i korrigjimit të kufirit të Kosovës, të cilën e ka ideuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkohë, në këtë situatë të “zymtë” politike është kërkuar që të vazhdojë dialogu me Serbinë.

Këtë thirrje e ka bërë SHBA-ja, si edhe vet Thaçi në një intervistë të dhënë për APA, agjencia e lajmeve austriake.

Por, a do ta shfrytëzoj Thaçi këtë situatë politike në vend që të ecë përpara planin e tij për korrigjimin e kufirit?

Ekspertët politik, shprehen se nuk duhet lejuar një gjë të tillë.

Avdyli: Nëse vetëm shihen këto tendenca atëherë kësaj pune i vije era tradhti

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për “Bota sot”, nuk guxon të ketë dialog me Serbinë deri sa nuk zgjidhen organet e reja.

“Deri sa nuk zgjidhen organet të reja legjitime për të marrë në dorë udhëheqjen e shtetit duke përfshirë edhe dialogun, nuk mund dhe nuk guxon të ketë. Kush mund të jetë ai person që bën dialog me qeveri e parlament në dorëheqje, nëse vetëm shihen këto tendenca atëherë kësaj pune i vije era tradhti ,shkelje e çdo ligji e neni të kushtetutës. Kjo puna e dialogut është duke vazhduar që 25 vite pret edhe një muaj a dy”, ka thënë Avdyli për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se duhet të shkarkohet presidenti Thaçi dhe të ndiqet penalisht nëse mendon që të dialogoj.

“Kurse, nëse Hashim Thaçi mendon që të dialogoj atëherë ai duhet urgjent të shkarkohet, dhe të ndiqet penalisht. Ai gjatë kësaj kohe mundet vetëm të bisedoj me partitë politike për datën e zgjedhjeve dhe eventualisht mundet ndonjë dekoratë ta ndaj për ndonjë personalitet, kurse puna dialogut për kufij e gjera tjera s`janë punë të tij”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Shahu: Të mos ketë bisedime pa u krijuar qeveria e re

Image
Rexhep Shahu

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kosova do të humbiste në ato bisedime nëse hiqet dorë nga ato kushte të cilat i ka mbrojtur Haradinaj.

Po ashtu, ai ka sugjeruar se nuk duhet të ketë bisedime pa u krijuar qeveria e re pas zgjedhjeve.

“Nëse Kosova hyn në bisedime pa kushtet që mbronte Haradinaj dhe nëse heq dorë nga ato kushte, besoj se Kosova do të humbiste në ato bisedime dhe agresori Serbia do të fitonte duke u viktimizuar. Unë besoj se fati do e mbrojë Kosovën dhe jo Hashimi me kompani, i cili me inat donë të çojë në vend premtimin e tij për korrigjim kufijsh. Do të ishte mbase e nevojshme që të mos ketë tërheqje nga ato vendime që mbronte Haradinaj. Të mos ketë bisedime pa u krijua qeveria e re nga zgjedhje të reja. Por besoj se askush nuk e ka autoritetin e moralin e Ramushit për përballje me Serbinë as Thaçat as Albinat”, ka thënë ai për “Bota sot”

Berisha: Atdheu në rrezik, duhet mobilizim

Image
Ejup Berisha

Ndërkaq, politologu, Ejup Berisha, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka shprehur mospajtimin me lojërat që po bëhen nga disa qarqe antishqiptare lidhur me tentimet për njollosjen e luftës së drejtë dhe të arsyeshme të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Ai thotë se nuk duhet që viktima të barazohet me agresorin dhe se në bankat e të akuzuarave në Gjykatën Speciale duhet të jenë serbët jo shqiptarët.

“Së pari si çdo shqiptar do të shpreh indinjatën dhe mospajtimin tim me lojërat që po bëhen nga disa qarqe antishqiptare lidhur me tentimet për njollosjen e luftës së drejtë dhe të arsyeshme të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Mendoj dhe vlerësoj se nuk duhet të barazohen viktima dhe agresori. Viktima të luftës ishin shqiptarët gjë që tregojnë edhe dëshmitë dhe faktet e pakundërshtueshme bashkë me shifrat si 20 mijë njerëz të vrarë shqiptar, mbi një milion njerëz të shpërngulur nga trojet e tyre stërgjyshore në vitin1999, si dhe disa mija femra dhe gra të dhunuara shqiptare nga ana e forcave serbe të armatosura dhe paramilitarëve serb. Këto shifra nuk duan koment se kush duhet të ndodhet në bankat e të akuzuarve të Gjykatës speciale për tu përgjigjur për krime lufte pra të akuzuar kryesor duhet të jenë serbët e jo shqiptarët të cilët ishin viktima. Prandaj konsideroj se janë të papranueshme tentimet që të njolloset lufta e popullit shqiptar për lirimin e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Berisha është shprehur se, në aspekt të procesit të korrigjimit të kufijve fati i Republikës së Kosovës nuk duhet të lidhet me fatin e një individi të vetëm.

“A do të jetë humbëse Kosova pas ftesës dërguar tanimë ish Kryeministrit Ramush Haradinaj që të shkojë në Gjykatën speciale, në cilësinë e të dyshuarit për krime ndaj disa serbëve, po është humbje për Republikën e Kosovës pra po që se ndonjë luftuar dhe patriot i denjë i saj gjykohet dhe dënohet pa faj vetëm së në bazë të akuzave të qarqeve antishqiptare nga Gjykata speciale do të jetë humbje e madhe jo vetëm së për Kosovën por edhe për të gjithë shqiptarët. Në aspekt të procesit të korrigjimit të kufijve fati i Republikës së Kosovës nuk duhet të lidhet me fatin e një individi të vetëm. Po të bëhet ky si fakt atëherë Republika e Kosovës më mirë të mos ekzistojë jo vetëm se si shtet por edhe si territor gjeografik. Republika e Kosovës duhet të ketë më shumë njerëz të cilët do të jenë të gatshëm që ti dalin në mbrojtje dhe të mos lejojnë që të ndahet territori i saj. Republika e Kosovës duhet të ketë resurse të mjaftueshme njerëzore në politikë,në ushtri dhe resurse ekonomike që do të jenë në shërbim të mbrojtjes dhe ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Republika e Kosovës duhet ti mobilizojë të gjitha mundësitë potencialet dhe resurset që ta tejkaloj edhe këtë sfidën shumë të rrezikshme për ndarjen e saj. Në mbrojtje të saj duhen të jenë më shumë njerëz e jo dy apo tre individë sepse thuhet se me një lule nuk qel pranvera. Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi apo dhe ndonjë tjetër janë njerëz me afat të caktuar në politikë apo në shërbim të shtetit dhe ata një ditë ashtu kështu do të pensionoheshin. Prandaj, kundër idesë së ndarjes së territorit të Republikës së Kosovës duhet të jenë të gjithë njerëzit e mirë të ndershëm dhe patriot që kanë vetëdije të lartë njerëzore intelektuale, patriotike dhe kombëtare”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Berisha ka shtuar se kur atdheu ndodhet në rrezik duhet të ketë mobilizim të përgjithshëm të shqiptarëve që ta pengojnë jo vetëm së Hashim Thaçin, por edhe gjithkënd që e përkrah këtë ide armiqësore.

Bytyçi: Në rastin e Kosovës skenaristët dhe regjisorët kanë përzgjedhur aktorët dhe autorët e realizimit të projektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës me maskën e ‘korrigjimit të kufijve’

Image
Enver Bytyçi

Ndërsa, profesori Enver Bytyçi, ka analizuar për “Bota sot” zhvillimet në Kosovë dhe duke iu referuar dorëheqjes së kryeministrit të vendit të premten e shkuar. Ai ka thënë se gjithçka zhvillohet sipas një skenari jo vetëm për të rikthyer dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, por për të vënë në tavolinën e bisedimeve integritetin territorial të vendit, pra ndarjen e Kosovës.

“Asgjë nuk ndodh rastësisht në kësi rastesh. Ka një skenar, një regji dhe një objektiv. Skenarët ndërtohen sipas skemës për eliminimin e pengesave dhe për përzgjedhjen e aktorëve që realizojnë objektivat e një skenari të caktuar. Në rastin e Kosovës skenaristët dhe regjisorët kanë përzgjedhur aktorët dhe autorët e realizimit të projektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës me maskën e ‘korrigjimit të kufijve’. Këta autorë dhe aktorë kanë një emër e mbiemër, përkatësisht, Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi, Edi Rama, Baton Haxhiu, Gent Cakaj etj. Regjia është hartuar në Beograd dhe në Moskë. Ka gjet përkrahës edhe te obet serbe e ruse në SHBA dhe në vendet e BE-së. Rol të caktuar ka Georg Soros, i njohur si kundërshtar i bombardimeve të NATO-s në Kosovë, i cili do të jetë përfitues në aksionet e Trepçës, të administruar nga Beogradi, në rastin e ndarjes së Kosovës”, ka potencuar ai.

Po ashtu, profesori është shprehur se për këto arsye u largua ose u dërgua në gjykatën speciale të Hagës Haradinaj dhe për këto arsye festuan largimin e Ramushit në Beograd, në vilën e presidentit Thaçi dhe në Surrel.

“Një ditë mbas dorëheqjes, të shtunën, APA, agjencia e lajmeve austriake publikoi një intervistë të Hashim Thaçit, në të cilën ai bën thirrje për vazhdimin e dialogut dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje me projekt ‘korrigjimin e kufijve’. Kurthi, intriga dhe presioni i Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç ndaj kryeministrit të Kosovës që dha dorëheqjen është unik në historinë e shteteve. E gjitha në funksion të planit serbo-rus për ndarjen e Kosovës, për ndryshimin e kufijve në Ballkan, në funksion të destabilitetit dhe pasigurisë në rajon”, ka thënë ai për ”Bota sot”.

Aleati i parë dhe kryesor i PDK-së në këtë rast do të jenë deputetët e Listës Srpska në Kosovë

Gjithashtu, Bytyçi ka shtuar se do të rifillojë loja e zbatimit të projektit të shkëmbimit të kufijve dhe se taksa duket se do të hiqet.

“Presidenti i Shqipërisë në një deklaratë të tij u bëri thirrje shqiptarëve për të bërë më pak gjumë e për të qenë më të bashkuar, sepse ditë të vështira priten në të ardhmen. Pra, do të rifillojë loja e zbatimit të projektit të shkëmbimit të kufijve. Taksa për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë e kishte bllokuar këtë proces. Tani taksa duket se do të hiqet. Por, do të hiqet nëse Hashim Thaçi arrin të rikrijojë një shumicë parlamentare për t’i dhënë Kosovës një qeveri tjetër kolaboracioniste dhe kuislinge ndaj Beogradit. Aleati i parë dhe kryesor i PDK-së në këtë rast do të jenë deputetët e Listës Srpska në Kosovë, të cilët janë urdhëruar që të vihen në dispozicion të politikave antishtet të Kosovës të presidentit Thaçi. Pastaj, do të shihet se sa dhe cilët deputetë do të vihen në dispozicion të krijimit të një qeveri të tillë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se në këtë situatë ka shumë rëndësi së kush do ta udhëheq LDK-në, do të jetë një njeri vegël në duart e Hashim Thaçit, apo do të vihet dikush që i kundërvihet planeve të tij kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Partitë politike nuk kanë llogari elektorale që t’i përgjigjen pozitivisht Hashim Thaçit. Por deputetë në radhët e tyre ka mundësi ta bëjnë këtë. Kanë shumë rëndësi në këtë moment zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Varet shumë nga ajo se kush do ta marrë në dorë drejtimin e kësaj partie. Do të jetë një njeri vegël në duart e Hashim Thaçit, apo do të vihet dikush që i kundërvihet planeve të tij kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori thekson se Thaçi asnjëherë nuk ka dalë nga loja dhe se largimin e kryeministrit ai do të synojë fillimisht të vendosë me një koalicion ose pas zgjedhjeve parlamentare një kryeministër vasal të tij, pavarësisht se cilës partie do t`i takojë kryeministri.

“Unë mendoj se Thaçi nuk ka dalë asnjëherë nga loja. Atij ia dobësoi ndikimin kryeministri Haradinaj, por nga loja mund të dilte nëse do të ishte shkarkuar nga detyra e presidentit të Republikës. Tani, me largimin e kryeministrit ai do të synojë fillimisht të vendosë me një koalicion ose pas zgjedhjeve parlamentare një kryeministër vasal të tij, pavarësisht se cilës partie do t`i takojë kryeministri. Me shumë mundësi Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë nuk besoj se hiqet taksa. Por Hashim Thaçi është aty falë mbështetjes së Beogradit, të Moskës, të Sorosit dhe të të gjitha qarqeve antishqiptare e proserbe në botë!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat