Thaçi e Veseli duhet të “zhvishen” nga petku shtetëror, nëse thirren nga Specialja

Politika

Thaçi e Veseli duhet të “zhvishen” nga petku shtetëror, nëse thirren nga Specialja

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 korrik 2019 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeminitri i Kosovës Ramush Haradinaj, dha dorëheqje pas ftesës që ia bënë Dhomat e Specializuara për intervistim në Hagë. Ndërsa, Haradinaj iu përgjigj vullnetarisht ftesës për intervistim dhe këtë përgjigje e shoqëroi edhe me dorëheqje, nuk dihet se si do të veprojnë krerët tjerë të shtetit, si Presidenti Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nëse eventualisht ftohen nga Gjykata.

Raporti i senatorit zviceran Dick Marty, kishte dhënë akuza të drejtpërdreja pikërisht për Hashim Thaçin, të cilin e kishte përfshirë në raste të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë.

Nga ana tjetër, rreth dy muaj më parë në media qarkulloi lajmi se kreu i Kuvendit Kadri Veseli, ishte intervistuar nga Gjykata Speciale, gjë të cilën e ishte mohuar ky i fundit.

Se a duhet a duhet të japin dorëheqje nga pozita që mbajnë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në rast se thirren për intervistë nga Gjykata Speciale, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është e pa logjikshme që një detyrë aq të rëndësishme si ajo e të parit të shtetit apo të Kuvendit të shtetit, ta mbajë një njeri i cili është në proces të hapur me drejtësinë.

Burjani: Akti i Haradinajt si dorëheqje ka qëllime përfitimi në elektorat

Njohësi çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se dorëheqja nuk kërkohet assesi me rregullat e asnjë Tribunali gjyqësor dhe mund të jetë akt individual, çështje morali politik, ose e ndjenjës politike që do të duhej ta kishte secili politikan.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, intervistimi është akt formal që nuk nënkupton asgjë se çfarë do të ndodhë, se a do të ketë aktakuzë apo jo.

“E gathë kjo na paraqet diçka të jashtëzakonshme si intervistë, nëse ngritët aktakuzë atëherë duhet të ketë dorëheqje sepse dyshimet janë esenciale që duhet vërtetohet fajësia apo pa fajësia. Pra akti i Hardinajt si dorëheqje ka qëllime përfitimi në elektorat por si kërkesë që duhet përmbushur. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin në opinion duke paraqit vetën si të sakrifikuar dhe menjëherë pas kishte deklaruar se ai do të garon, pra këto gjëra nuk shkojnë bashkë dhe nuk janë të sinqerta. Tash lojë mbi lojë po bëhet politikisht nga njerëz të pa edukuar institucionalisht dhe duke nënçmuar popullin dhe demokracinë. Po të mos ndodhë fare e që nuk do të ndodhë aktakuzë kundër Haradinaj që nuk do të ketë fare aktakuzë ndaj tij për herë të tretë, se ai nuk mund të jetë klient i përhershëm i secilës Gjykatë që themelohet”, ka thënë Burjani.

Ai konsideron se dorëheqja e Ramush Haradinaj do të duhej të ndodhte, e jo tash pa asgjë për shkak të një intervistimi të zakonshëm.

“Loja me ndjenjat e popullit për elektorat nuk duhet të ndodhë për shkak se po nënçmohet populli si i pa vetëdijshëm dhe i pa mençur. Pasi kjo kategori e njerëzve din edhe me nënçmua popullin dhe të inskenojnë qytetarin dhe dhembshurinë. Po të kishte aktakuzë ai përnjëmend do të duhej dhënë dorëheqje si kryeministër, por për shkak intervistës është qesharake”, ka thënë Burjani.

Kadriu: Presidenti Thaçi dhe Kadri Veseli në rast se ftohen nga organet e drejtësisë ndërkombëtare duhet të zhveshën nga petku shtetëror

Image
Kushtrim Kadriu

Analisti politik Kushtrim Kadriu ka thënë se si presidenti Thaçi ashtu edhe Kadri Veseli në rast se ftohen nga organet e drejtësisë ndërkombëtare ata duhet të zhveshën nga petku shtetëror dhe të paraqiten para drejtësisë si qytetarë të këtij vendi.

“Unë mendoj që ftesën dhe intervistën e kanë kryer moti kohë Veseli dhe Thaçi tek hetuesit ndërkombëtar. Kurse Ramush Haredinaj e Jakup Krasniqi tani e bënë publike këtë ftesë, dhe ata shpejt kthehen në vend dhe vazhdojnë punët e tyre politike. Më shumë është bërë trendi kjo puna e Gjykatës Speciale për të përfituar poenë politike e për të marr ndonjë simpati nga ata që janë të lidhur me luftën”, është shprehur analisti politik Kushtrim Kadriu.

Haziri: Kjo Gjykatë do të ndihmojë edhe në dekriminalizimin e skenës politike

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, Nexhat Haziri, ka thënë se shembullin e Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit pas marrjes së ftesës nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte, do të duhet institucionalisht edhe këtyre do t’iu vijë ftesa si të dyshuar për krime nga Gjykata Speciale.

Ai ka pohuar se Kosovës nuk i duhen udhëheqës që dyshohen nga Gjykatat si kriminelë, pasi kjo do të rrënonte rendë imazhin e Kosovës edhe ashtu të dëmtuar në rrafshin ndërkombëtar, por edhe do ta dëmtonte të ardhmen e shtetit funksional, demokratik, ku sundon rendi dhe ligji, duke penguar edhe proceset integrues euro-atlantike, duke e rrezikuar seriozisht izolimin e Kosovës.

“Andaj, kjo duhet të jetë vetëdijesim i këtyre liderëve dhe të gjithë atyre që do ftohen nga gjykata Speciale që mos të sfidohet ky proces, që do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi do të ndihmojë që të vendosët drejtësia për shumë krime që kanë mbetur akoma enigmatike, siç janë vrasjet me motive politike, qoftë gjatë por edhe pas periudhës së luftës. Kjo Gjykatë do të ndihmoj edhe në dekriminalizimin e skenës politike, e cila si e tillë e ka mbajtur pengë vendin duke e shndërruar në një vend të pa perspektivë dhe me demokraci të dështuar”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Duhanaj: Gjykata Speciale, tanimë ka intensifikuar aktivitetin e saj

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se Gjykata Speciale, tanimë ka intensifikuar aktivitetin e saj.

“Kjo do të thotë që përveç Kryeministrit Haradinaj, do të thërras edhe individ të tjerë përkatësisht krerë të institucioneve. Natyrisht që nuk mund të spekuloj se a do të thirret Kadri Veseli, por për atë çfarë sigurisht që do të ndodhë, është ftesa ndaj Presidentit Thaçi, kur dihet se kjo gjykatë është si rrjedhojë e raportit të Dick Marty-t, i cili Thaçi e akuzon me emër dhe mbiemër. Për mendimin tim do të ishte e llojit të vet dhe gjykata do ta humbte kredibilitetin, nëse një i apostrofuar në raport të mos ftohet. Pra, sipas kësaj logjike Thaçi do të ftohet në cilësinë e të dyshuarit. Jam i mendimit se Haradinaj, e ka vendosë një standard korrekt me situatën. Duke dhënë dorëheqjen e tij nga kreu i qeverisë, e njëjta gjë do duhej të ndodhte me secilin që ftohet dhe që është bartës i ndonjë institucioni. Shumë shpesh dëgjohen deklarata të ndryshme për mbrojtjen e atij, asaj apo tjera. Një gjë duhet ta kemi parasysh se, Kosova është me e madhe dhe mbi të gjitha. Interesi i përgjithshëm nuk duhet të viktimizohet për asnjë dhe për asgjë!”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat