Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbajnë “peng” fatin e koalicionit me Vetëvendosjen

Politika

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbajnë “peng” fatin e koalicionit me Vetëvendosjen

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 korrik 2019 Në ora: 10:34
LDK

Ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij.

Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur vet Haradinaj në një konferencë për medie pas një mbledhje të Qeverisë. Ramush Haradinaj, tha se arsyeja e dorëheqjes është se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit. Ai tha se do të paraqitet në Dhomat e Specializuara, ku do të merret në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale.

Me dorëheqjen e parevokueshme të Ramush Haradinaj nga posti i Kryeministrit, në opinion kanë filluar të diskutohen mundësitë për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dy parti më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Rugova: Ende herët për një marrëveshje të mundshme mes dy subjekteve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot” tha që Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së është organi që vendos lidhur me koalicionet.

Image
Naser Rugova

“LDK këto ditë përmbyllë zgjedhjet partiake, ku nga kuvendi i IX zgjedhor i partisë do del lidershipi dhe forumet e reja të partisë. Është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së organi që vendos lidhur me koalicionet, prandaj është ende herët të konstatojmë epilogun e një mundësie të një marrëveshje të mundshme mes dy subjekteve”, tha Rugova.

Tutje, Rugova tha që opozita të mbetët në opozitë është formula më e mirë e Qeverisë për Kosovën:

“Besoj se formula më e mirë e qeverisë për Kosovën do ishte që opozita aktuale të Qeverisë së vendit dhe partitë në pushtet të ngelen në opozitë, besoj në këtë formulë sepse është edhe disponim qytetar”, përfundoi Rugova.

Millaku: Këtë vend e shpëton vetëm koalicioni LVV-LDK

Image
Drita Millaku

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, për “Bota sot” tha që me përfundimin e zgjedhjeve në LDK do ti japin kahjen e duhur kësaj partie se a do të orientohet në një bashkëpunim me LVV apo do të vazhdon me avazin e vjetër:

“Koalicioni parazgjedhor LVV-LDK është më se i nevojshëm, megjithatë nuk e di se si do të rrjedhin gjërat, por unë personalisht jam mbështetëse e fuqishme e një koalicioni parazgjedhor të këtyre dy partive, dhe do te ishte shpëtim për Kosovën.

Unë mendoj se përfundimi i zgjedhjeve në LDK do ti japin kahjen e duhur kësaj partie se a do të orientohet në një bashkëpunim me LVV apo do të vazhdon me avazin e vjetër”, u shpreh Millaku.

Millaku më tej tha se mbi 90% e elektoratit të dy partive janë për një listë parazgjedhore, shumë shpejt do të qartësohen gjërat:

“Jam e bindur se mbi 90% e elektoratit të dy partive janë për një listë parazgjedhore, shumë shpejt do të qartësohen gjërat, më vjen mirë që disponimi në organet tona të partisë është pozitiv për një bashkëpunim,megjithatë këshilli i përgjithshëm do të vendos shumë shpejt. Këtë vend e shpëton vetëm koalicioni LVV-LDK”, përfundoi Millaku.

Burjani: Kërkohen dy mandate një pas një për të ndryshuar qeverisjen

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike në vend, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot” tha që do të ishte pozitive koalicioni zgjedhor mes LDK-VV, kështu do të fitonin bindshëm ndaj PAN.

“Do të ishte pozitive sikur të ketë një koalicion të gjerë zgjedhor LDK -VV, iniciativat e ndryshme qytetare, bota akademike për të fituar bindshëm ndaj PAN, që ka mbajtur deri tash pushtetin përmes zhvatjes, korrupsioni, nepotizmit.

Nëse veç ka gatishmëri nga ky bllok qëllim për të ndryshuar sistemin politik dhe për të sjellë një kualitet të ri vendimmarrës në shtet në përputhje me vlerat dhe ekonominë e tregut, realisht ka shumë punë për të bërë dhe për të kërkohen dy mandate një pas një për të ndryshuar qeverisjen dhe luftuar anët negative të PAN”, u shpreh Burjani.

Më tej, Burjani tha që nëse PAN del veç e veç do të humbin zgjedhjet por varet edhe nga konsensusi LDK-VV dhe tjerët mirëpo që duhet provohet zgjedhja e Kryeministrit në procedurë prej 60 ditëve sipas Kushtetues pastaj nëse dështon shpallen zgjedhjet:

“PAN më mirë është të mbetet në koalicion, e zgjedhjet e ardhshme pra të ketë dy blloqe të mëdha politike për garave në zgjedhjet e jashtëzakonshme, nëse PAN del veç e veç do të humbin zgjedhjet , por kjo varet shume nga konsensusi LDK, VV dhe tjerët nëse ka, andaj duhet bërë më shumë në këtë drejtim.

Së pari duhet të provohet zgjedhja e Kryeministrit në procedurë prej 60 ditëve sipas Kushtetues pastaj nëse dështon shpallen zgjedhjet, PAN nuk i konvenon fare zgjedhjet e jashtëzakonshme edhe pse AAK konsideron se mund të arrijë një sukses më të madhe të zgjedhjeve”, tha Burjani.

Në fund, Burjani tha që duhet organet të përqendrohen në sigurinë zgjedhore sepse tentativa e PAN është a po mund të jetë paligjshmëri procesi zgjedhor:

“Kujdesi më i madhe i organeve të rendit duhet të përqendrohet në sigurinë zgjedhore sepse tentativa e PAN është a po mund të jetë paligjshmëri procesi zgjedhor përmes formave të paligjshme, për të fituar vota apo blerë vota nga qytetarët kur dihet se PAN kanë zhvat dhe plaçkit para në publike dhe janë bërë paralel për dy vjet të qeverisjes”, përfundoi Burjani.

Shahu: LDK mund të bëjë koalicion me VV por të dijë se duhet të luftojë shamiat

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, për “Bota sot” tha që më mirë do të ishte të fitonte e vetme LDK-ja, e vetme të qeveriste dhe se bashkëqeverisja me Albinin do të sjelltë dështim për vendin:

“Mënyra më e mirë për një qeveri të re do të ishte që të fitonte e vetme LDK-ja e filozofisë së Rugovës dhe të qeveris së vetme. Me cilëndo forcë të majtë politike ose parti komandantësh të qeveriste LDK-ja do të paguante haraç të madh.

Shembulli që nuk duhet ndjekë kurrë nga askush është kur LDK qeverisi me PDK e cila shpinte lamën dhe kopilin ia la gjithmonë LDK-së. Edhe një bashkëqeverisje me Albinin do të sjellë që gjithë dështimet Albini di t'ia faturojë LDK. Pasi elektorati tradicional në Kosovë ende ruan nostalgji për një LDK rugoviane në pushtet”, u shpreh Shahu.

Tutje, Shahu tha që çfarëdo koalicioni i bërë nuk duhet të bëhet nën presion siç ndodhi që për një votë Pacolli mori gjysmë qeverie:

“LDK mund të bëjë koalicion me VV por të dijë se duhet të luftojë shamiat... Ose të bëjë koalicion me të vegjlit por jo nën presion siç ndodhi që për një votë Pacolli mori gjysmë Qeverie”, përfundoi, Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat