“Të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale, akuzohen për vrasjen dhe maltretimin, deri në terrorizim të shqiptarëve”

Politika

“Të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale, akuzohen për vrasjen dhe maltretimin, deri në terrorizim të shqiptarëve”

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 26 korrik 2019 Në ora: 08:14
Selia e Gjykatës Speciale

Ramush Haradinaj, para një jave dha dorëheqjen e tij të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës, shkruan Bota sot.

Në ditën kur e shkarkoi vetën nga detyra e kryeministrit, deklaroi se dorëheqjen e dha për shkak të ftesës së Gjykatës Speciale për t’u paraqitur në intervistë.

E gjitha kjo, për shkak se Haradinaj, siç shprehët, dëshiroi që të paraqitej në cilësinë e qytetarit e jo të ndonjë individi që ka pozitë shtetërore.

Se ç’lloj akuza rëndojnë mbi Ramush Haradinajn nga Gjykata Speciale, nuk dihet zyrtarisht, por supozimet nga ajo çfarë ka ndodhur më parë, del të jetë një rrugëtim i vështirë për Haradinajn.

Gashi: Për asnjë akuzë që është liruar ai nuk është ftuar përsëri në Hagë sepse këtë nuk e lejon ligji

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, për “Bota sot”, theksoi se Ramush Haradinaj ftesën për Hagë e ka dhuratë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht votuesit potencial për krijimin e Gjykatës Speciale.

‘Ramush Haradinaj ftesën për hagë e ka “peshkesh” nga deputetët e kuvendit të Kosovës, të cilët votuan gjykatën speciale duke u bërë të besueshëm se edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë mund të kryejnë krime të luftës siç janë raportuar në raportin e senatorit Dick Marty, raport të cilën e ka votuar këshilli Evropës. Sepse po që se nuk do ta votonin deputetët tanë ligjin për Gjykatën Speciale atëherë ata do të dëshmonin fort dhe qartë se nuk i dorëzojmë ushtarët e UÇK-së jashtë Kosovës dhe se në asnjë rrethanë nuk do të themelojmë vetë gjykatë kundër tyre, për më tepër kundër krenarisë së kombit shqiptar. Por ata deputetët të zgjedhur nga populli vepruan ndryshe. E votuan me mbi 82 vota, me mbi 2/3 e votave të kuvendit , me shumicë apsolute formimin e gjukatën speciale’, tha ai.

Gashi, përmendi edhe kohën kur u lirua i pafajshëm nga Gjykata Hagës para një dekade kur edhe vet ishte avokatë mbrojtës i Haradinajt.

“Në rastin e parë me 2005 kam qenë edhe unë avokat i tij në ekipin mbrojtës dhe ai është liruar nga 37 akuza. Por për asnjë akuzë që është liruar ai nuk është ftuar përsëri në Hagë sepse këtë nuk e lejon ligji. Dhe për çfarë dyshimesh është ftuar, këtë e dinë vetëm prokurorët e Gjykatës Speciale dhe askush tjetër”, tha ai.

Haziri: Gjykata Speciale do t`i trajtoj në masë të madhe edhe vrasjet e  bujshme të pasluftës

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, publicist Nexhat Haziri, është i mendimit se Gjykata Speciale do t’i trajtoj në masë të madhe edhe vrasjet e bujshme të pasluftës.

‘Mendoj se Gjykata Speciale do t`i trajtoj në masë të madhe edhe vrasjet e  bujshme të pasluftës, siç janë rastet të cilat ju i cekët, dhe jo vetëm Ramush Haradinaj, por edhe të tjerët për të cilët ka dyshime se janë të lidhur me këto vrasje do të hetohen dhe trajtohen nga Gjykata Speciale’, tha ai.

Për Hazirin, ky është një lajm i mirë dhe një mundësi e mirë për të hedhur dritë mbi vrasjet politike gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, me çka pas 20 viteve do të hiqen ato enigmat që kanë shoqëruar këto vrasje por edhe opinionin.

“Kjo Gjykatë nuk do t’i ketë në fokusin e saj vetëm viktimat për konfliktin shqiptaro-serb, por të gjithë veprimtarinë inkriminuese të njerëzve të fuqishëm, ish eksponentët kryesor të UÇK-së dhe vrasjet politike në Kosovë’, tha ai.

Zeqiraj: Të gjithë të ftuarit, e deri tashëm, nga Gjykata Speciale, duke filluar nga komandant Remi, e deri ke Sokol Bashota, akuzohen për vrasjen dhe maltretimin, deri në terrorizim të shqiptarëve

Publicisti Idriz Zeqiraj, për “Bota sot”, ka thënë se lufta në Kosovë ka qenë e pakët, si në kohëzgjatje, ashtu edhe në përballje luftarake.

Sipas tij, ka rezultuar i saktë parashikimi i bërë nga Presidenti Rugova: "Në Kosovë, më shumë se luftë, do të këtë masakra".

“Dhe, ashtu ndodhi. Është Beteja fitimtare e Loxhës dhe disa përballje tjera luftarake, nën komandën e Kolonel Tahir Zemaj dhe Lufta në Koshare, me betejat e saj të përgjakshme, të organizuara dhe të realizuara nga Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Të gjitha përballjet tjera me armikun, të bëra në distancë, nga grupe të vogla, pa komandë profesionale ushtarake, kanë rezultuar në masakra. Dhe, shifra marramendëse e masakrave serbe, ndaj shqiptarëve, llogaritet në 400 sosh! Por, për ironi e turp, këto masakra përkujtohen, më saktë, festohen si fitore, ku "komandantët" humbës shqiptarë, vetëlavdërohen për "heroizmin" e tyre me ushtrinë imagjinare’, tha ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj, për “Bota sot”, tha se shërbimet e huaja informative, të specializuara, përfshi edhe NATO-n, japin shifra të sakta të ushtarëve të vrarë në luftime dhe numrin e viktimave të palëve ndërluftuese.

Sipas tij, llogaritën 223 ushtarakë pushtues të vrarë; rreth 1.000 ushtarakë e civilë të vrarë nga bombardimet e NAT0-s dhe tej 1.000 viktima serbe-malazeze-rome, të vrarë gjatë dhe pas luftës, për motive të ulëta, për t`ua grabitë pasuritë: Tokat, shtëpitë, banesat, lokalët, makinat e tjerë.

Zeqiraj, tha se duke u nis nga ndodhitë e luftës, çmend e tmerron edhe shumësia prej 40.600 "veteranëve", në pritje për t`u bërë 60.000, sipas ish-kryeministrit Haradinaj, kur dihet se përveç Kolonel Zemaj dhe komandant Smajl Hajdaraj, që shpëtuan banorët e Pejës, nga masakra, "komandantët" tjerë dështuan në mbrojtje të popullatës.

“Të gjithë të ftuarit, e deri tashëm, nga Gjykata Speciale, duke filluar nga komandant Remi, e deri ke Sokol Bashota, akuzohen për vrasjen dhe maltretimin, deri në terrorizim të shqiptarëve. Mendoj se nuk bënë përjashtim as Ramush Haradinaj. Dihet se në Gllogjan është vrarë një polic, në hakmarrje për vrasjen e dy fëmijëve fillorist, në kthim nga shkolla, për të cilët, tani thonë se kanë qenë luftëtarë! Haradinaj mund të akuzohet edhe për urdhërdhënie të vrasjeve të supozuara të serbëve, por, në cilësinë e viktimave, siç thuhet, zakonisht, për motive të ulta”, tha ai.

Musaj, Zemaj, Haklaj e Tolaj, Zeqiraj shpjegon rastet

Zeqiraj, shtoi se akuzat që rëndojnë mbi Ramush Haradinajn dhe familjarët e tij, janë shumë personale dhe të ndjeshme.

“Sulmi me bandë, në mesnatë, në shtëpinë e Musajve, në Strellc të Deçanit, është dokumentuar edhe në librin  e Prokurores Carla del Ponte. Rasti Musaj fillon me kidnapimin dhe ekzekutimin e Sinan Musaj, me oficerët tjerë të FARK-ut: Rexhë Osaj, Ramë Idrizaj (Peja), Bashkim Balaj. I kam njohur të gjithë. Bashkimin fëmijë, qysh në vitet 70-a, në Berat, ku edhe unë isha i internuar. Ai ka lindur dhe është rritur në internim, sepse babi i tij, Elez Shehu, nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin kriminal të Enver Hoxhës. I kidnapuari i pestë Vesel Muriqi shpëton, me ikje në errësirë. Ky makrabitet i përgjakshëm, ndodhi në natën e 22 qershorit, 1999, dhjetë ditë pas çlirimit të Kosovës nga NAT0-pakti! Oficerët e Brigadës "Mërgimi", luftëtarë të Kosharës, arrestohen në mesditën e 22 qershorit në Pejë, dërgohen në zyrën e Prefektit Ethem Çeku. Ai urdhëron ti dorëzohen komandantit Ramush Haradinaj. Për katër vrasje të cilësuara janë dënuar pesë vetë, nga 2 deri në pesë vjet burg, në mes tyre edhe Daut Haradinaj, nga një gjyqtar francez’, tha ai.

Verdikti i kësaj ngjarjeje pason akoma më rëndë sipas Zeqirajt.

“Vrasjen e Sinan Musaj e pasojnë edhe vrasjet e tre vëllezërve të tij. Qëllimi kriminal: Shuarja e një familjeje. I thanë plakut të Musajve: "Ti e di se kush po t`i vret djemtë. Pse nuk po hakmerresh?!" Dhe, plaku, zemërplasur, përgjigjet: "Besa, nuk luftohet me ushtri!" Për rastin "Musaj", e pësuan me jetë edhe dy dëshmitarë të mundshëm’, tha ai.

Për rastin e Kolonel Zemaj, me kushëririn Hasanin dhe djalin e vetëm Enisin, sipas Zeqirajt, Ramushi ka thënë se "ata i kanë vrarë shërbimet e huaja".

Për rastin në fjalë, Zeqiraj, i referohet librit të sapo botuar ‘Kështu foli Tahir Zemaj’.

“Në librat e tij: "Kështu foli Tahir Zemaj", ai akuzon rëndë Ramush Haradinaj, për provokim me armë në kazermën e Prapaçanit, ku ishte vendosur batalioni i tij. Kundërpërgjigja mund të ishte fatale për Ramushin dhe bandën e tij, por, me pasoja edhe për Kosovën. Kolonel Zemaj, si një kuadër i përgjegjshëm i Presidentit Rugova, shmangu përplasjen e armatosur, u largua nga kazerma e tij, duke thënë se "nuk kam plumba për shqiptarë". Natyrshëm, Koloneli dinte shumë për krimet në Dukagjin dhe ishte dëshmitar i pritshëm në Hagë. Prandaj, edhe u vra.

Vrasja e policëve të Hetuesisë Speciale, në Prokurorinë e Pejës, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj, në opinion i faturohet Ramush Haradinaj. Viktimat hetonin, pikërisht, rastet që kishin dyshimin e bazuar se janë vrarë nga banda e Dukagjinit. Por, kjo bandë kishte selinë dhe shefin e saj. Duke i ekzekutuar këta hetues, shumë sekrete do t`i merrnin në varr. Dhe, ashtu u bë’, tha ai.

Zeqiraj, për ‘Bota sot’, vazhdoi duke përmend raste të tjera.

“Në ekipin vrastarë janë parë tre persona. Njëri syrësh është afruar ke makina, për të parë nëse kanë vdekur të tretë? I treti i plagosur është shtirë si i vdekur. Por, vrasësi ka vënë duart sipër aubës, (siprinës të makinës) dhe shenjat e gishtrinjëve e kanë tradhtuar. "Rastësisht", kishte qëlluar të jetë truproje i Ramushit! I privilegjuar nga hetimet e drejtësisë vendore, të kapur nga shteti, i arrestuari Bedri Krasniqi, nuk i zbuloi shokët në krim! Rast unik.’, tha ai.

“Përgjatë gjithë luftës, Sabahate Tolajn, e kam pasur Shefe të Emërgjencës. Atëbotë, si firmë, unë me nipat Hasan dhe Ismet Rexhaj, ishim të autorizuar për furnizimin me ushqime dhe armë luftëtarët në pikat kufitare. Në prill të vitit 2003, së bashku me Sabahate Tolaj, ishim në Koshare. E pyeta si po ecin hetimet për krimet e rënda?  "Ne e bëjmë hetimin, gati për arrestim të bazuar. UNMIK-u na i merr dosjet nga dora, ende pa e dhënë firmën e fundit, duke thënë: "Filloni me lëndën tjetër!" Pra, kishte rezerva dhe ishte e zhgënjyer nga shefat e saj. Pas dënimit të pakët, të kriminelit Bedri Krasniqi, ministri i drejtësisë të partisë së tij, e viziton në Burgun e Dubravës. Në prezencë të pesonelit shërbyes, thotë: "E shihni këtë djalë, edhe pse në burg, është çlirimtar!?" Njëri nga policët reagojnë: "A nuk është turp për një ministër, ta lavdërojë një vrasës të dyfishtë?!" Truproja i ministrit, i afrohet policit dhe e shantazhon: "Kam mësuar që ke një djalë. Është mirë ta rrisësh”, tha ai.

Sipas tij, jo gjatë nga vizita e ministrit, Bedri Krasniqi, arrin të "ikën" nga Burgu i Sigurisë së Lartë, në Dubravë të Istogut.

“Në Gllarevë të Klinës, Bedri Krasniqi, me shokë, kidnapon pronarin e kompleksit hotelier e tregtar "Nora", Azem Morinën. E izolojnë, të lidhur me zinxhirë, në bjeshkët e Dukagjinit, duke i kërkuar haraçin-kushtëzim për lirim prej 3 milionë euro. Djali, Bujari, siguron kestin e parë prej 270 mijë euro. Por, Bedri Krasniqi kapet në flagrancë dhe kthehet në burg”, është shprehur Zeqiraj.

Zeqiraj ka theksuar se, dyshimet për vrasje të kundërshtarëve politikë; pengues të vjeljes të haraçit; të dëshmitarëve; kidnapimet, rrahjet masive, me anë të bandës "Shqiponjat e zeza", me komandant "Togerin", kriminel i dënuar, janë numerike.

“Hashim presidenti, në shpjegimin pse u krijua Gjykata Speciale, arsyeton shantazhimin, kërcënimin, deri në vrasje të dëshmitarëve, gjë që pamundëson çfarëdo gjykimi e dënimi nga gjykatat vendore në Kosovë. Dhe të gjitha këto ia faturon Ramushit, me bandën aktive të Dukagjinit. Edhe rasti i Kumanovës implikon bandën e Dukagjinit, sepse disa nga eksponentët e aksionit në Kumanovë, lakohen për dajak e haraç, në favor të komandantit dhe partisë së tij AAK-a, në zgjedhjet lokale e qendrore të asaj kohe. Dërgimi i djemëve atje, sipas analistëve, kishte për qëllim eleminimin e tyre, bashkë me dëshmitë e mundshme. Në bisedën e bërë me gazetarët e "Presing-ut", Buzhala e Kërçuku, Ramush Haradinaj e pranon se djemtë e Dukagjint, kërkuan leje nga ai, për t`u hakmarrë shumëfishë, për vrasjen e vëllait, Enverit.. Ai tha se nuk pranova. Por, kjo u realizua, edhe pse Ramushi e Dauti ishin, përkatësisht, në burgun e Hagës dhe të Dubravës, me alibinë e %-të se ata nuk ishin vrasësit fiyikë hakmarrës, të dy viktimave të radhës. Së fundi, shokon kërcënimi skandaloz i bashkëshortës së Ramushit, Anitës, kur shkruan se kush paraqitet në gjykatë për dëshmi, do të bëhet grimca-grimca! Shqiptarët pyesin, kush qëndron prapa këtij kërcënimi?!”, ka përfunduar Zeqiraj opinionin  e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat