Ky është opsioni më i mirë për Kosovën pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit

Politika

Ky është opsioni më i mirë për Kosovën pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit

Nga: G.B Më: 26 korrik 2019 Në ora: 15:15
Taulant Kryeziu

Ka kaluar një javë që kur kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij si kreu i Qeverisë, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, ku dhe u mbrojt në heshtje të mërkurën.

Pas dorëheqjes, opozita ka kërkuar që presidenti të shpallë zgjedhjet për në shtator, derisa të gjithë partitë janë shprehur të gatshme për të shkuar në zgjedhje.

Mirëpo, deri tash presidenti nuk është deklaruar fare për këtë çështje.

Se a duhet të shkojë vendi në zgjedhje pas dorëheqjes së Haradinajt, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se opsioni më i logjikshëm do të ishte shpërbërja e Kuvendit dhe dekretimi i zgjedhjeve nga ana e presidentit dhe zgjidhja do të ishte një ri-legjitimim urgjent i forcave politike.

“Opsioni më i shpejtë dhe më i logjikshëm do ishte vetë shpërbërja e Kuvendit dhe dekretimi nga ana e presidentit e zgjedhjeve të parakohshme. Askush nuk ka të drejtë që të vendos për çështje që prekin sovranitetin nacional dhe integritetin territorial të vendit, përpos sovranit - popullit të Kosovës. Zgjidhja për gjendjen ku sot ndodhet Kosova, është që të bëhet një ri-legjitimim urgjent i forcave politike për shkak se për dy vite radhazi ka pasur diskutime shterpë për copëtim të Kosovës, jo për bërjen e saj shtet normal”, është shprehur ai.

Sipas Kryeziut, ri-legjitimimi duhet të shkojë në dy binarë, duhet të ketë zgjedhje me dy platforma.

“Kjo është arsyeja që ri-legjitimimi të shkojë në dy binarë: duhet të ketë zgjedhje me dy platforma. Platforma e parë, ku bëhet e qartë për dhe kundër copëtimit të vendit. Le të dalin para sovranit ata që janë pro dhe kundër këtij projekti të shëmtuar sepse është vetëm kompetencë e sovranit të vendosë për çështje të tilla. Fuqishëm besoj që një ide e tillë nuk përkon me vullnetin e kosovarëve sepse ajo e shkatërron shtetësinë e Kosova te konfirmuar edhe nga vendimi GJND-së. Ky koalicion duhet ta këtë parasysh se ka marrë vota për të qeverisur vendin e jo për të bërë pazare me territore. Kosova ka humbur territor edhe, gjatë demarkacionit me Maqedoninë, e po shkojmë me të njëjtin skenar të humbjes së territorit edhe me Serbinë. Platforma e dytë duhet të jetë platformë për mandatim për qeverisje me vendin, pa asnjë votë rreth idesë së copëtimit te territorit, përkatësisht platformë për bërjen e Kosovës shtet funksional dhe anëtar të barabartë me kombet tjera të botës së qytetëruar”, ka deklaruar Taulant Kryeziu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat