Debati, konkurrenca, vota e fshehtë - parimet bazë të demokracisë

Politika

Debati, konkurrenca, vota e fshehtë - parimet bazë të demokracisë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 29 korrik 2019 Në ora: 14:34
LDK

Incidentet e rënda, deri në përleshje fizike, në disa kuvende zgjedhore të Nëndegëve të LDK-së, sikur me qenë të porositura, kanë dhënë shansin disa profiterëve të partisë, të cilët, në emër të frikës së ndarjes, ngulmojnë në ruajtjen e statusquosë, përkatësisht, vazhdimin e lidershipit, ngulfatës të LDK-së. Jo vetëm eksponentë të klanit Mustafa, duke e dashur shefin në fron, duan edhe vetën e tyre praj tij. Por, edhe disa analistë e banalistë, e himnizojnë atë, për servilizëm e përfitime.

Garuesi humbës i Prizrenit shokon me deklarimin paushall, iracional dhe skandaloz: "Zoti (Isa) Mustafa do të mbetet, për një kohë të gjatë, një ndër ikonat e LDK-së, që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, për konsolidimin dhe ngritjen e saj... Është në dotën e delegatëve, për të vlerësuar nëse Mustafa do të jetë edhe për një mandat në krye të partisë apo jo"! Dhe, vetë zbulohet kur thotë se "është Isa Mustafa, njëra nga arsyet pse aderova në LDK". Pra, është Isa dhe jo Ibrahim Rugova, që ia ka mbushur mendjen, për katapultim në LDK-e, madje, hop e në kupolën e strukturës vendimmarrëse të saj!

Është ky zotëri, fort i privilegjuar në mediet vizive, që, me një rast, ka thënë se "nuk është e thënë me ndjekë vizionin e Rugovës!" Njësoj si shefi i tij, Isa, kur hypi në fron, premtoi se "do ta krijojmë një LDK-e të re"! Dhe, e mbajti fjalën, njësoj si Enver Hoxha, i cili "e krijoi njeriun e ri shqiptar", të zhveshur nga tradita, për ta bërë një rus shqipfolës!

Ndërkohë, dominon bindja e bazuar se as kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, me shokë, nuk mund ta dëmtonin e rrënonin më shumë LDK-në, sa e ka përtokur e baltosur Isa Mustafa me klanin e tij fatal. Sondazhet e shumta flasin për një mbështetje mjerane të Isa Mustafës, në raport me rivalët e tij, 7 me 93 %! Megjithatë, provokimi për rikandidim të sërishëm, ka tensionuar dhe irrituar anëtarësinë e LDK-së, me bindjen se elektorati do të çdekurajohet, për zgjedhjet e radhës.

Pse është mbjellë gjithë kjo frikë e shantazhim, se çdo nismë e reformës, për ndryshim, rrezikon ndarjen e LDK-së?! Sepse të gjitha vendimet ogurzeza për LDK-në dhe Kosovën, që i ka marrë Isa Mustafa, me rrethin vicioz, përfshirë edhe vet emërimet në Kuvendin e 8-të, janë marrë në emër të strukturave të partisë dhe të anëtarësisë. Por, në fakt, nuk janë përfillur as njëra dhe as tjetra.

Janë përjashtuar, braktisur tri parimet bazë të demokracisë: debati, konkurrenca, vota e fshehtë. Me këto parime, dikur, është dalluar LDK-ja, nga partitë-banda, tashmë, të koalicionuara në PAN. Logjikshëm e meritueshëm, është mburrur me parimësinë e saj dhe kuvendet zgjedhore i ka pritur dhe bërë pa frikë e tensione.

Zbatimi selektiv i Rregullores të Partive Popullore të Evropës (PPE), duke marrë vetëm normat që favorizojnë shefin e partisë, me rrethin vicioz të tij dhe duke anashkaluar parimet demokratike, që cituam më parë. Mjafton fakti, se kur shefi i partisë evropiane, humb zgjedhjet e para, zakonisht, nuk provon humbjen e dytë, dorëhiqet, për ndryshim nga vendet ballkanike, sidomos shqiptaret, që kryetari nuk lëvizë as pas humbjeve serike!

Stop, kuvendeve farsë zgjedhore!

Reçeta për Kuvend të qetë e dinjitoz, që përjashton çdo mundësi hatërimi, zemrate apo ndarjeje, është e gatshme dhe lehtësisht e aplikueshme:

1) Kryesia e punës të zgjidhet nga mesi i delegatëve. Kryetari në largim ta mbajë raportin përkatës, ta zejë vendin që i takon, deri sa të mbarojë debati, së bashku me sekretarin. Misioni i tyre mbaron dhe duhet të zënë vendin në sallë, të barabartë me delegatët tjerë;

2) Kuvendi zgjedhor të zbatojë tri parimet bazë: debatin, konkurrencën dhe votën e fshehtë zgjedhore;

3) Kandidatët për kryetar të propozohen nga salla dhe asessi nga kryetari apo kryesia;

4) Anëtarët e kryesisë, gjithashtu, me kundër kandidatë, të propozohen nga delegatët;

5) Për nënkryetarët, sekretarin, arkëtarin, zëdhënësin, të votohet veçmas, pasi të jetë votuar kryesia. Pra, nga radhët e asaj kryesie. Kjo ka shumë rëndësi, sepse të zgjedhurit nga kryetari, po komprometohen nga ai, duke i llogaritur si të zgjedhurit e kryetarit dhe jo të partisë;

6) I gjithë këshilli i përgjithshëm të propozohet nga delegatët, me kundër-kandidatë;

7) E detyrueshme, renditja emërore e të gjithë të propozuarve, për të gjitha nivelet e strukturave të partisë, të bëhet sipas germave alfabetike;

Nëse këtë skemë e aplikon Kuvendi i 8-të Zgjedhor, rrjedha e punimeve do të jetë ideale dhe nuk do të këtë as hatërime dhe as zemërime. Rrjedhimisht, përgjegjësia për çdo të votuar apo të pa votuar, për çdo votues apo humbës, është e delegatëve. Dhe, kujtdo që i teket të rebelohet, nuk mund ta ndajë partinë, por, do ta izolojë vetën, deri në përbuzje e vetëlargim.

Konsensusi, marrëveshja politike - vazhdimësi e butakëve

Pjesëtarët e klanit Mustafa, shfrytëzojnë mediet dhe ngulmojnë për konsensus, marrëveshje politike. Një kërkesë e tillë, pas tri dekadave të themelimit të LDK-së, është e marrëzishme. Sepse zgjedhjet demokratike, vota e fshehtë është ajo që zgjidhë gjithçka: zgjedhë kryetarin, nënkryetarët, kryesinë, këshillin e përgjithshëm.

Ish-ministri i dyfishtë, nënshkruesi i Demarkacionit fatal, i cili, në kundërshtim me të gjitha strukturat e partisë, mbron hapur qeverinë kriminale të PAN-it, duke e konsideruar "hendikep të madh rrëzimin e saj", për zgjedhjet e pritshme, "nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e kryetarit, kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm" të LDK-së.

Ja, se çfarë pisllëqesh kalkulojnë klanorët aktual, të cilët, për 14 vjetë radhazi, e mjelin, pameritueshëm dhe abuzueshëm, lopën LDK-e! Dhe, ende nuk kanë të ngopur! Pse e bëjnë këtë? Sepse në të gjitha kombinacionet tjera, me bazë parimet demokratike, ku vendin kyç e zë vota e fshehtë, klanorët nuk e kalojnë pragun. Kjo është dëshmuar në garën për deputetë, në zgjedhjet e kaluara nacionale, edhe pse disa të rinj kanë qenë viktima, të bindjes qorrazi, ndaj kryetarit egoist e karrierist.

Isa Mustafa nuk pushon se denigruari kundërshtarët e tij, duke thënë se LDK-ja ka: "egoistë, karrieristë, anarkistë, populistë"! Realisht, Isa Mustafa i ka pronë të tij tri veset e para. Ndërsa "populistët", që ai me klanin e tij i anatemon, qysh nga zgjedhjet nacionale, grupin e deputetëve rinorë, të cilët e shpëtuan nga shembja e panrtishme LDK-në, dikur, krenare të Ibrahim Rugovës.

Uniteti faktik, kthimi i rugovistëve në struktura

Nervozë e papërmbajtshme e Isa Mustafës, me rrethin e tij vicioz, nuk është hiç e shëndetshme për LDK-në. Përpjekja për të bërë zgjedhje klandestine, të fshehta, u dekonspirua nga grushtimet dhe karriget e hedhura, mbi kokat e delegatëve, sikur ata të ishin derra të egër. Presioni, shantazhi e deri ke kërcënimi i hapur "me përjashtim nga LDK-ja", të deputetëve që kundërshtonin koalicionin me partinë-bandë, PDK-në, e cila, bashkë me simotrat në PAN, kanë përgjakur Kosovën, duke ekzekutuar shumë qindra veprimtarë të LDK-së dhe ushtarakë FARK-istë të Ibrahim Rugovës; kundërshtuan "Zajednicën", Demarkacionin, zgjedhjen e Kadrisë kryeparlamentar, të Hashimit president dhe tani i quani "egoistë, karrieristë, anarkistë, populistë", nuk i shërben unitetit dhe as suksesit zgjedhor, qoftë në parti, qoftë në zgjedhjet e pritshme parlamentare.

Uniteti faktik do të ishte kthimi i rugovistëve në strukturat vendimmarrëse të partisë. Dhe, për këtë unitet, duhet një klauzolë e veçantë, pikërisht, e praktikueshme në Kuvendin e IX-të të LDK-së:

Pas shuarjes të Presidentit Rugovë, kryetarët që e pasuan, të ndikuar nga elementë të SHIK-ut, brenda klaneve të tyre, për ta dobësuar LDK-në, eliminuan nga konkurrenca, për strukturat vendimmarrëse të partisë, gardën më aktive dhe fort përkushtuese të kryetarit Rugova. Prandaj, delegatët nga degët që vijnë, të propozojnë për kryesinë e LDK-së, nga një anëtar rugovistë, të seleksionuar dhunshëm nga klanorët, nga qytetet e kategorisë së parë, si: Prizreni, Peja, Mitrovica, Ferizaji, Gjilani dhe nga një anëtar për këshillin e përgjithshëm, nga të gjitha degët, pavarësisht madhësisë të qytetit, degës. Dhe, të gjithë të propozuarit t`i nënshtrohen votës së fshehtë.

Kjo do t`i shërbente riaktivizimit të rugovistëve, të dëshmuar ndër vite, por, të larguar nga SHIK-as, të fshehur e të veshur me pushtetin e strukturës të LDK-së. Afrimi, futja në strukturë të veprimtarëve krenarë e dinjitozë, që nuk kanë qenë të gatshëm të bëhen puthadorë të kryetarëve klanorë, janë seleksionuar dhe eliminuar nga aktiviteti politik në parti.

Kjo përbuzje, pothuaj se numerike, ka dëmtuar, në mos pakthyeshëm, rëndë, gjithsesi, unitetin në LDK-e, ka tkurrur anëtarësinë, elektoratin. Andaj, për të mbijetuar në njëfarë pushteti fiktiv, duke lëpirë ndonjë kockë, dy herë radhazi, e kanë bërë LDK-në bisht e zhallogë të PDK-së.

Pjesë e kryesisë të LDK-së, në Kuvendin Zgjedhor, duhet të bëhet bashkëpunëtorja shumëvjeçare e kryetarit Rugovë, Donikë Gërvalla, veprimtarja më cilësore në botë, për LDK-në dhe Kosovën. Dikush mund të thotë se nuk është më në LDK-e!? Jo, ajo mbetet gjithnjë pjesë e LDK-së të Ibrahim Rugovës, por, jo e matrapazëve, rrënues të LDK-së.

"Nëse deputetët e LDK-së e votojnë demarkacionin, në vijën aktuale kufitare, unë nuk dua të jem pjesë e asaj LDK-je. Sepse, gjyshi im është vrarë, pikërisht, në mbrojtje të këtyre tokave, që sot klika pushtetare e shtetërore, i ka vënë në ankand", - ka thënë, në arsyetimin e saj, Donikë Gërvalla.

Dhe, e mbajti fjalën, sepse ajo është gjak i gjakut të Jusuf Gërvallës, është vajza e zgjuar, luftarake, dinjitoze e vizionare, Donikë Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat