Ja rreziku dhe ataku më i madh që po i kanoset Kosovës?

Politika

Ja rreziku dhe ataku më i madh që po i kanoset Kosovës?

Nga: D. B Më: 30 korrik 2019 Në ora: 13:21
Harta e Kosovës

Samiti i Parisit do të jetë një tjetër projekt i përpjekjeve rreth përafrimit të palëve për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, andaj samitet nuk mund të sjellin zgjidhje me automatizëm të problemit shekullor Kosova-Serbi, e as të ofrojnë ndonjë kornizë për formatin e marrëveshjes përfundimtare.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike Ramiz Bojaj, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Samiti i Parisit i paralajmëruar të mbahet në shtator mund të shtyhet për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve në dialog.

Sipas tij, Emmanuel Macron ia bëri të qartë Serbisë së Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe bisedimet dy paleshë duhet të bazohen në këto principe.

“Serbia duhet ta ketë parasysh këtë madje edhe Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë qëndrim të Macron, i cili ndryshe nga Mogherini, duket të jetë më real dhe më fleksibil në këtë proces. Bisedimet e marrëveshjet Kosovë-Serbi, duhet të bazohen në parimet juridike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, bazë e të cilës është mbrojtja e tërësisë territoriale e të sovranitetit të vendit tonë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kohë më parë, ka shpallur si të jashtëligjshëm dialogun Hashim-Serbi, por edhe të 'ekipit fluturues të Shpendit' e më këtë ka hedhur poshtë aventurat e rrezikshme të presidentit tonë”, ka thënë Bojaj.

Ai ka pohuar se presidenti Hashim Thaçi nuk është dorëzuar ende dhe duket se i qëndron besnik 'besës' me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

Image
Ramiz Bojaj

“Ky është rreziku dhe ataku më i madh qe i kanoset Republikës së Kosovës: krijimi i tendencave për thyeshmërinë e sovranitetit shtetëror e integral të vendit tonë. Thaçi ka kohë që ka mohuar pjesë të territorit të vet duke i quajtur "territore të Rankoviçit". Kjo është shpifje mitike sllave, por çuditërisht i proklamuar edhe nga një shqipfolës, i cili mbanë edhe sot pozitën e të parit të Kosovës. Andaj  Serbia nuk do të heqë dorë nga ambiciet e tyre fashiste e ekspansioniste ndaj shtetit tonë, për aq kohë sa Hashim Thaçi është në pushtet në Kosovë e Edvin Rama në Shqipëri. Këta duket të jenë edhe shpresat e fundit e Serbisë e Rusisë për prishjen e planit te paqes në Ballkan”, ka thënë Bojaj.

Sipas tij, Kosova bashkë me aleatët tanë në BE e SHBA-në, edhe në Paris, duhet të dëshmojë vendosmërinë e vet për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë.

“Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës duhet të tregojnë vendosmëri të palëkundur se; nuk ka as bisedime e as marrëveshje me Serbinë, nëse ky shtet fqinj nuk respekton parimet e sovranit edhe për palën kosovare. Kosova duhet të tregohet e vendosur dhe e palëkundur në Paris e çdo kund. Nëse Serbia është gati të na njeh si shtet i pavarur e sovran, me këtë format e tërësi territoriale, atëherë mund të vazhdojmë dialogun bazuar në interesa bilaterale. Përndryshe, nuk ka marrëveshje, as historike e as histerike”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat