Dorëheqja e Haradinajt, e përcjellur me shkelje ligjore 

Politika

Dorëheqja e Haradinajt, e përcjellur me shkelje ligjore 

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 31 korrik 2019 Në ora: 22:51
Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Ramush Haradinaj, që ushtroi detyrën e kryeministrit përafërsisht dy vi te, dha dorëheqjen e parevokueshme ditë më parë, për shkak të ftesës për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale. E habitshmja është se, ndonëse dha dorëheqjen vet, vijon të ushtroj detyrën e kryeministrit. Shkak ky që, ka bërë të reagojnë partitë opozitare e në veçanti juristët. Për më tepër, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime për veprimin që ka marrë.

 Hasani: Puna e parë që kaherë është dashur të bëj Presidenti i Kosovës është thirrja urgjente e PAN për konsultime 

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, për “Bota sot”, ka dhënë tri arsye konkrete se përse ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë shkelje ligjore. Sipas Hasanit, kryeministri i Kosovës, asnjëherë nuk ka të drejtë që të jetë palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese.

Image
Enver Hasani

Madje, siç shprehët ai, të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk e ka as qeveria në dorëheqje. Por, edhe po të mos ishte në dorëheqje, njohësi i çështjeve juridike, Enver Hasani, ka thënë se asnjë qeveri nuk ka të drejtë të referoj pyetje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.

Më tej, Hasani, vijoi duke thënë se puna e parë që është dashur ta bëjë Presidenti vendit, është t’i thërrasë partitë e koalicionit në konsultime për krijimin e qeverisë së re.

“Puna e parë që kaherë është dashur të bëj Presidenti i Kosovës është thirrja urgjente e PAN për konsultime me qëllim të formimit të qeverisë së re. Ky është një detyrim kushtetues tij sipas nenit 65.5 të Kushtetutës. Nëse ai nuk e bën këtë, atëherë Kuvendi i Kosovës ka fatin e Kosovës në duart e veta sepse ka autorizim kushtetues sipas nenit 82.1 (2) për të shpërnda vetveten dhe për ta nxjerr vendin nga kjo gjendje ku është katandisur”, tha ai. Ndryshe, Hasani, tha se vendi është futur në një rrugë pa krye, në një ngërç të ri politik, përveç nëse Kuvendi i Kosovës bën hapa vendimtar për shpërbërjen e vetvetes. Sipas tij, rrugë tjetër nuk ka për të dalë nga ky ngërç i ri politik. 

Dy llojet e dorëheqjes së Haradinajt 

Nga ana tjetër, publicisti dhe njohësi i politikave ndërkombëtare, Daut Dauti për “Bota sot”, ka thënë  se me rastin e dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj kemi dy lloj situatash. Sipas tij, në situatën e parë nëse një person ofron dorëheqje, dhe nëse ka organ më të lartë se ai, dorëheqja duhet të miratohet apo refuzohet. Në rastin e dytë, sipas Dautit, është dorëheqja e llojit të Ramushi Haradinajt, nga pozita e kryeministrit.

Image
Daut Dauti

Tutje, Dauti, theksoin se sipas ligjeve të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, mbi pozitën e kryeministrit nuk qëndron asnjë organ që e bën miratimin apo refuzimin e dorëheqjes.

“Me rastin e dorëheqjes kemi dy lloj situatash. Në situatën e parë nëse një person ofron dorëheqje, dhe nëse ka organ më të lartë se ai, dorëheqja duhet të miratohet apo refuzohet. Rasti dytë është dorëheqja e llojit të Ramush Haradinajt, nga pozita e kryeministrit. Sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës mbi pozitën e kryeministrit nuk qëndron asnjë organ që e bën miratimin apo refuzimin e dorëheqjes. Në këtë rast, funksionari, gjegjësisht kryeministri dorëhiqet dhe mbaron puna. Pason zgjedhja në kuvend i kryeministrit të ri ose shpallen zgjedhjet e parakohshme”, tha ai.

Sipas tij, është e pakuptimt që për këtë punë t’i drejtohemi gjykatës kushtetuese pasi që kjo është thjeshtë punë e vullnetit nëse personi në fjalë dëshiron apo nuk dëshiron të qëndroj në pozitë nga ku e ushtron funksionin. Shkuarja në gjykatë është e pakuptimtë. Ndoshta është një lloj taktizimi për të zgjatur gjendjen ekzistuese. Por, pa marrë parasyshë se cili është qëllimi, këtu kemi të bëjmë me një joseriozitet politik dhe angazhim të panevojshëm të gjykatës”, tha ai. 

Zogiani: Ramushi, vegël e PDK-së 

Ndërkohë, zyrtari i lartë në Vetëvendosje, Avni Zogiani, për “Bota sot” ka thënë se problemi i Kosovës është PDK, kurse ata që hyjnë në pushtet me të janë vegla që vazhdojnë pushtetin e kësaj organizate – sic shprehët Zogiani – mafioze.

“Problemi i Kosovës është PDK, kurse ata që hyjnë në pushtet me të janë veç vegla që vazhdojnë pushtetin e kësaj organizate që tashmë ka marrë skemën e një strukture kuazi-mafioze. Ramushi, sikur edhe të tjerat qeveri deri sot, kanë realizuar ndonjë interes të ngushtë grupor, por, si gjithmonë prej 2008 e këndej, vetëm në fund e ka kuptuar që ëshët thejshtë një vegël e PDK-së. Prandaj Haradinaj ka ngelur duke u përpëlitur pa i kuptuar as vendimet e veta”, tha ai.

Image
Avni Zogiani

Sipas Zogianit, Haradinaj duhet të kuptoj që PDK e ka futur atë nëpër vrimën e kamishit, dhe duhet ta braktisë këtë koalicion sa më parë.

“Sjellja e tij aktuale është absurde, është kapje për realizimin e një interesi grupor që e ka por që politikisht ka për ta shkatërruar. Ndërkohë që situata është fare e qartë, i joshur nga interesi i pushtetit, Haradinaj bën sikur nuk e kupton çka do të thotë dorëheqje”, tha ai. Tutje, Zogiani, është i mendimit se Haradinaj këtë aktrim e bën nga lakmia e jo nga patriotizmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat